Vijojnë ngushëllimet për humbjen e akademikut Gudar Beqiraj (1948-2020)

▪Akademik emeritus Anesti Kondili:

I paharuar do të jetë kujtimi i Akademik Gudar Beqiraj, i shkencëtarit dhe pedagogut gojë ëmbël me miqtë dhe bashkëpunëtorët e Tij, si në Akademinë e Shkencave, ashtu edhe jashtë saj. Ai do të mbetet në memorien tonë si një kapacitet shkencor dhe drejtues me reputacion kombëtar e ndërkombëtar!

Ngushëllime të sinqerta familjes së Tij!

▪Prof. Ariola Bacu:

Ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe bashkëpunëtorëve. Prania e akademikëve si Prof. Gudari dhe Prof. Salvatori e bënë akademinë një vend ku shumë prej nesh dëshirojne të ofrojmë kontributin më të mirë të mundshëm.

▪Prof. Kozeta Sevrani

Lajmi më i trishtueshëm…! Miku jonë shumë i dashur…! Personalisht kam qenë pjesë e kolegëve e miqve më të ngushtë, ndaj nuk kam fjalë! Ta kujtojmë Gudarin tonë të dashur! Ti rrojnë familjarët dhe qoftë i parajsës!

▪Prof. Ilia MIKEREZI:

Lajm i hidhur për humbjen e kolegut tonë të dashur. Do ta kujtojmë përherë me dashuri dhe respekt! I paharruar qoftë kujtimi i tij!

▪Prof. Arta Mandro:

Sa lajm i trishtë!

Kontributi dhe vepra do të jetojnë mes nesh dhe brezave duke u kujtuar me respekt!

▪Prof. Anila Godo:

Shumë lajm i hidhur. Kaq papritur!

Do të kujtohet përjetë me respekt të thellë.

▪Dr. Erida Gjini:

Humbje e madhe. Kontributi i tij për shkencën dhe matematikën do të kujtohen gjatë me respekt.

Ngushëllime!

▪Prof. Adrian CIVICI:

Lajm tmerrësisht i hidhur që na tronditi thellë. U nda nga ne një njeri i mrekullueshëm. Do të na mungojë shumë dhe do ta kujtojmë me mall dhe respekt.

Ngushëllime. U prehtë në paqe.

▪Prof. Fatmir Hoxha:

Lajm i papritur dhe i hidhur. Humbja e Gudarit tonë të dashur do lerë një boshllëk të madh, por kujtimi i tij do të rrojë në mendjen dhe zemrën e të gjithë atyre që e kanë njohur. Qoftë i paharruar kujtimi i tij.

▪Akademik Rexhep Qosja, Prishtinë:

Me pikëllim e mësova lajmin për ndarjen nga jeta të aakdemikut dhe ish kryetarit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Gudar Beqiraj. Krijimtaria e tij shkencore, veprimtaria e tij arsimore dhe veprimtaria e tij sportive do të çmohen përgjithmonë në shkencën, në arsimin dhe në sportin shqiptar.

Ju, kryetar i Akademisë, gjithë anëtarëve të Akademisë dhe familjarëve të kolegut tonë të paharruar Gudar Beqiraj ju shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta.

▪Eno Koço, antar i jashtëm i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Angli:

Mora lajmin e hidhur që Gudari, miku dhe kolegu ynë i mirë, na la kaq shpejt. Do të doja shume të isha atje ne ceremoninë e tij, por distanca e bën të pamundur.

Me zemër e me mendje jam me ju atje.

U prehtë shpirti i Tij në paqe.

 

▪Akademik Adnan Kastrati, Gjermani:

 

Me shumë keqardhje e dëgjova këtë lajm të papritur. Prof. Gudari ishte nje mik i madh i të gjithëve. Do të na mungojë pa masë.

Ngushëllime ASH për të cilin ai qe një ndër kontribuesit më kohëgjatë dhe më aktivë.

▪Prof. Mina Naqo:

Sapo më dërguan lajmin e hidhur që ka ndërruar jetë pa pritur miku i vjetër e i nderuar Gudar Beqiraj.

Humbja e Prof. Gudarit është një humbje e rëndë dhe e ndjeshme jo vetëm për familjen, por edhe për miqtë dhe nxënësit e shumtë të tij, për tërë komunitetin matematik, për Akademinë e Shkencave dhe për gjithë vendin.

Jam shumë i prekur dhe i hidhëruar nga kjo humbje e papritur.

 ▪Akademike Aurela Anastasi:

Kujtimi dhe vepra e Profesor Gudarit do të mbeten të paharruara për ne. Ishin vite të një bashkëpunimi optimist e frymëzues!

I hapur për çdo ide, na mbështeti në projekte e aktivitete të përbashkëta me Akademinë e Shkencave. Me kujtohen konferencat që çeleshin mbarë me fjalët e dashura të përshendetjes!

Krenohej me akademikët, talentet e reja që i promovonte dhe kujtonte me nostalgji punën me inovacionin. Drejtues i stilit elastik, demokratik dhe i mirë kuptueshem!

I hapur në kritika të arsyeshme. I paharruar do të mbetet me gjithë energjinë pozitive që rrezatonte.

▪Prof. Dr. Andrea Shundi, USA:

Akademik Gudar Beqiraj me formim të plotë matematikor sikurse i ati,

njihej gjithashtu si drejtues i shquar institucionesh shkencore sikurse

Instituti i Informatikës e mandej Akademia e Shkencave të Shqipërisë, njeri shumë veprues dhe dashamir me të gjithë. Le ta

nderojmë duke e kujtuar përherë dhe botuar studimet e veprimtarinë shkencore të këtij personaliteti shkencor.

▪Akademia e të Rinjve, pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë:

 

Ikja e parakohshme e profesorit dhe akademikut Gudar Beqiraj është një ngjarje tjetër e trishtuar për shoqërinë shqiptare, në veçanti për komunitetin shkencor dhe sportiv. Duket e vështirë për t’u besuar që një njeri me një energji dhe fuqi të tillë njerëzore, me veprimtari shkencore dhe publike aktive të mund të pushojë kështu, befas, dhe të lërë një mungesë të ndjeshme jo vetëm për familjarët dhe miqtë, por edhe për bashkëpunëtorët, profesoratin, kolegët, ish-studentët, studiuesit e fushës, të njohur e të panjohur për të, por edhe për kërkuesit e rinj.

Profesor Beqiraj është një rast i rrallë në shoqërinë shqiptare, por jo vetëm: në të ishte bashkuar intelekti i jashtëzakonshëm dhe fuqia po e tillë fizike; intuita e studiuesit të suksesshëm, me aftësi për përvetësimin e dijes bashkëkohore me sportistin e suksesshëm; disiplina e rreptë e studiuesit të shkencave të informatikës me disiplinën e mundshme të sportit agonistik; shkencëtarin e zot në fushën e vet të studimit dhe individin e angazhuar publikisht për transformimin e shoqërisë së vet. Këto cilësi të rralla të profesor Beqirajt e bëjnë atë një shembull për t’u ndjekur nga studiues të zot, që të jenë aktivë në jetën publike dhe intelektualë me ndikim, por edhe shembull për sportistë të rinj që të mos lënë pas dorë rritjen e tyre intelektuale dhe angazhimin e tyre publik.

Profesor Beqiraj spikat në gjirin e personaliteteve akademike në Shqipëri me një energji të përveçme për të përqafuar inovacionin në fushë të shkencës. Këtë prirje të tij ai e tregoi edhe në fusha të tjera të veprimtarisë së tij dhe ishte, po ashtu, mbështetës i gjallë i reformimit cilësor të Akademisë së Shkencave dhe përkrahjes institucionale dhe shoqërore të studiuesve të rinj. Ai mbështeti përfshirjen e studiuesve të rinj në organizmat e Akademisë së Shkencave, duke i hapur udhë kështu që lidhjeje të qëndrueshme dhe institucionale mes studiuesve të vjetër e të rinj, në një kohë kur bashkekzistenca mes së vjetrës dhe së resë në fusha të ndryshme të veprimtarisë shoqërore e kulturore në Shqipëri ka qenë shpesh konfliktuale.

Ikje të tilla të parakohshme nxisin shpesh rivlerësime për kontribute dhe analiza më të thella për njeriun dhe veprën e tij. Shpresojmë të jetë kështu me largimin e prof. Beqirajt.