Egon Gjadri e Enver Preza, "Nderi i Akademisë"
U mbajt sot më 16 maj 2024 në kuadër të 60-vjetorit të anëtarësisë së Shqipërisë në Komitetin Ndërkombëtar të Digave të Mëdha (ICOLD) simpoziumi teknik ndërkombëtar “Challenges and Innovations for Better dams” (“Sfida dhe inovacione për diga të sigurta).
Simpoziumi u zhvillua në Hotel Tirana, në Tiranë, nga Komisioni Ndërkombëtar për Digat e Mëdha (ICOLD), Komiteti Kombëtar i Digave të Mëdha të Shqipërisë (KKDM) dhe Komiteti Francez i Digave dhe Rezervuarëve (CFBR) me pjesëmarrjen e akademikëve dhe Kryesisë së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, drejtuesve të lartë të ICOLD dhe përfaqësuesve të saj, përfaqësuesve të CFBR dhe KKDM, si dhe inxhinierëve të rinj dhe përfaqësuesve të shfrytëzuesve të digave në Shqipëri.
Gjithashtu, në simpozium morën pjesë përfaqësues të KKDM, CFBR, përfaqësues të Ambasadës Franceze në Tiranë, MIE, MBZHR, Universiteti Politeknik i Tiranës, Universiteti Polis dhe Metropolitan, agjencitë e huaja që mbështetin projekte të ndryshme në Shqipëri, përdoruesit e digave më të mëdha, si dhe inxhinierë në fushën e projektimit dhe zbatimit të digave të mëdha e të vogla në Shqipëri.
Simpoziumin e përshëndeti Kryetari Komitetit Kombëtar të Digave të Mëdha, Arjan Jovani. Ai bëri një prezantim të pasurisë së digave të mëdha në Shqipëri dhe theksoi se Shqipëria është vendi që ka numrin më të madh të digave në raport me numrin e banorëve apo në raport me sipërfaqen në metra katrorë të vendit.
Më tej, z. Jovani foli për problematikat, duke e vënë theksin tek mungesa e standardeve teknike të nevojshme për projektimin dhe monitorimin e digave, si dhe për inovacionet e fundit për monitorimin e digave të mëdha dhe rezervuarëve të krijuar prej tyre.
Në seancën e parë të këtij simpoziumi përshëndetën edhe Presidenti i Komisionit Ndërkombëtar për Digat e Mëdha prof.Mishel Lino, presidenti i CFBR z. Denis Aelbrecht, zv.kryeministrja Belinda Balluku, këshilltari i parë i Ambasadës së Francës në Shqipëri Samuel Richard, si dhe presidentja e EUROCOLD Sera Lazaridou.
Ata folën rreth përvojave në lidhje me projektimin dhe monitorimin e digave në Shqipëri dhe në Francë dhe për sfidat dhe të rejat në kuadrin ligjor dhe organizativ për një reformë në sektorin e digave.
Në mbyllje të seancës së parë, Kryetari i Komitetit Kombëtar të Digave të Mëdha Arjan Jovani ia dha fjalën akad. Skënder Gjinushit, Kryetarit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Akad. Gjinushi pas fjalës përshëndetëse u dorëzoi trashëgimtarëve të projektuesve të mëdhenj Egon Gjadri e Enver Preza mirënjohjen “Nderi i Akademisë” me motivacionet:
Egon Gjadri
Bashkëhartues i skemës së shfrytëzimit të energjisë ujore në rrjedhën e lumit Drin; me kontribut origjinal tekniko-shkencor për projektimin e tuneleve të veprave të mëdha hidroteknike dhe të konstruksioneve të tjera hekurudhore e rrugore; si dhe për organizimin dhe drejtimin profesional të ekipeve të suksesshme për projektimin e digave më të mëdha të vendit tonë, si drejtues i suksesshëm në zbatimin krijues të shkencës në projektim.
Enver Preza
Për merita të shquara tekniko-shkencore në fushën e projektimit të çimentimeve të thella poshtë digave të mëdha, elemente kryesore ndër më të rëndësishmit në veprat e mëdha hidroteknike të ndërtuara në kaskadën e lumit Drin; që zgjidhi probleme nga më të ndërlikuarat në projektimin e perdeve të çimentimit dhe të tuneleve; të bllokimit të lëvizjes së ujërave nëntokësore; personalitet që dhe pas shumë dekadash është vështirë të kapërcehet.