"Studime antropologjike në etnokulturë" nga Shaban Sinani, botim i Akademisë së Shkencave, Tiranë 2024
Nga vlerësimet e dy recensuesve:
1. Arian Leka:
Leximi i veprës “Studime antropologjike në etnokulturë” e ofron qartazi mendimin se kemi të bëjmë me prurje të reja, zgjerim e thellim të mëtejshëm të korpusit shkencor mbi antropologjinë, i cili prej vitesh ka marrë vëmendje të veçantë në studimet e Shaban Sinanit.
Optika e të qëmtuarit të hollësishëm edhe mbi çështje të mëhershme, të tilla si kanuni dhe statutet, historiku i Shkrimeve të Shenjta dhe gjithçka tjetër që përbën objektin e trajtimeve shkencore mbi dijen antropologjike, në këtë vepër zgjerohet si vështrim dhe thellohet si kërkim mbi etnokulturën, antropoletërsinë dhe antropogjuhësinë.
E konceptuar në tri pjesë dhe e plotësuar me një shtojcë, vepra përfaqëson një tjetër kontribut të çmuar të studiuesit, i cili trajton me kompetencë të lartë shkencore trashëgiminë e kulturës shqiptare, duke sjellë zbulime e këndvështrime të reja, si dhe plotësime më të përimtësuara mbi çështje të etnonimeve, mikrotoponimeve dhe vëzhgimeve se si është zhvilluar kultura shqiptare përkah asaj europiane (“Chanson de Baligant” / “Këngën e Rolandit”; miti iluminist i përhapjes së dijes përmes tipografisë, njohja me “tjetrin” dhe gjuhën e tij), duke përfshirë edhe kontributet në rrafsh krahasimtar (“Naimi dhe Rumiu sipas Musine Kokalarit”; “Kanoni dhe kanuni në mitologjinë e Fishtës”).
Paradigma e kërkimeve në fushë të dijes albanologjike zgjerohet përmes pjesës së dytë, me studimet në etnokulturë e letërsi, që kanë në vëmendje aspekte të veçanta të personalitetit krijues të Muhamet Kuçukut, Fan Nolit, Etëhem Haxhiademit, Migjenit; apo që hedhin dritë mbi dokumente arkivore të pavëzhguara më herët (rasti i dorëshkrimeve të Santorit); si dhe interpretime mbi këngë të moçme shqiptare e prurje në fushë të historishkrimit lidhur me figura të tilla si V. Prennushi, G. Crispi, përfshirë këtu edhe qasjet krahasimtare mes Migjenit, Mekulit dhe Kosovel-it, si dukuri kulturore ndërballkanike.
Pjesa e tretë e veprës përfshin studime mbi procese të tjera, krejt specifike, brenda zhvillimeve moderne të letërsisë shqiptare, si rasti i autorecensionit në romanet e Kadaresë, dimensioni historik e dokumentar në prozën romanore të Petro Markos, vendi që zë “Saga ballkanike” e Luan Starovës në kritikën letrare franceze etj., të cilat nuk lënë jashtë vëmendjes edhe dukuri të tilla si vëzhgimi kritik mbi paraqitjen e shembëlltyrës ungjillore në letërsinë e Dhimtër Anagnostit.
Me vlerë të veçantë si qasje dhe si pasuri bibliografike e kërkimore me bazë në literaturën shkencore dhe në arkiva paraqitet shtojca mbi etnokulturën, që përmbyll veprën, ofruar përmes një dokumentimi të gjerë që autori u bën studimeve historike, bashkëkohore e të hapura për thellimeve të mëtejshme mbi ritet, festat pranverore, këngët pagane apo ato me frymëzime religjoze, si pjesë domethënëse e kulturës shqiptare.
Vepra “Studime antropologjike në etnokulturë” ka një aparat shkencor mjaft të pasur në burime, përmban argumentime të thelluara dhe është shkruar më gjuhë të zgjedhur, që jo vetëm lehtëson komunikimin me tezat dhe propozimet, por bën të mundur që edhe dija e thellë shkencore të lexohet si letërsi.
2. Gjovalin Shkurtaj:
Ky libër me studime vjen me shqyrtime të rëndësishme e me vlerë aktuale jo vetëm për antropologjinë kulturore, po edhe për gjuhësinë, sidomos për antroponiminë dhe disa dukuri të të folmeve të shqipes si ajo e Reç-e-Dardhës së Dibrës .
Libri ka një hapësirë të gjerë tematike, por është parashtruar qartë e natyrshëm, me një sythëzim të tillë të hapët të trajtimit që lejon t’u japë përgjigje shumë problemeve të deritanishme të pazgjidhura ose të patrajtuara mjaftueshëm në antropokulturën dhe letërsinë shqiptare. Ai ka mëtimin e lakmueshëm të sjellë një përpjekje krejt të re për të rrokur një këndvështrim të ndryshëm dhe për të ndriçuar anë deri më sot të kaluara shkarazi ose të papërfillura.
Libri ka studime e artikuj të shkruar me stil të përshtatshëm e terminologji të saktë, sikundër “e ka në thua” Shaban Sinani, i cili është sa prodhimtar, aq edhe i kujdeshëm për qartësi e hijeshi ligjërimore; ndonjëherë edhe ka krijuar terma të rinj, që i shkojnë për shtat shtjellimit e synimit për ta bërë trajtimin edhe sa më aktual e të atillë që të jetë në emërues të përbashkët me monografitë studimore me profesionalizëm të theksuar e pa dyshim të lakmueshëm e të vlerësueshëm.
Në të gjitha këto shqyrtime autori ka ruajtur etikën e duhur dhe krejt vepra, përveç sa sjell me brendinë a përmbajtjen e studimeve dhe artikujve të përfshirë në të, jep gjithashtu një shembull të vlerësueshëm të seriozitetit e përkushtimit të plotë të autorit ndaj tematikës së zgjedhur, si dhe të “peshores” së drejtë që ka përdorur për pohimet e prurjet e pararendësve.
Ky libër çmohet për vlerat mirëfilli shkencore, ashtu edhe nga prurjet konkrete nga hulumtime të kujdesshme e të ngjeshura dhe me shqyrtime të gjera e të arsyetuara, si dhe për frymën aktuale të trajtimit të shumë prej dukurive të trajtuara në të.