5 shtatori, Dita e Nënë Terezës

Në një ligjeratë të mbajtur në Akademinë e Shkencave dr. Gëzim Alpion analizoi marrëdhëniet e Nënë Terezës me vendlindjen dhe rëndësinë e kësaj ikone globale për shqiptarët.
Ai vuri theksin në veçantinë e rrethanave që përjetoi Gonxhe Anjezë Bojaxhiu dhe efektin e tyre në përcaktimin e qëndrimit të saj ndaj Shqipërisë, Kosovës dhe kombit shqiptar.
Alpion theksoi se vullneti i saj i fuqishëm njerëzor ndihmoi në ndryshimin e të kuptuarit nga bota perëndimore të varfërisë në “botën e tretë”, transformoi konceptin e bamirësisë dhe ndihmoi formësimin e një këndvështrimi të ri të institucioneve fetare në shekullin e 20-të si organizata të punës sociale.
Autori eksploroi jetën dhe veprën e saj nën dritën e informacionit të zbuluar rishtas për familjen e saj, traditën shpirtërore shqiptare përpara dhe pas hyrjes së krishterimit si dhe ndikimin e Vatikanit dhe fuqive të tjera mbi popullin e saj qysh nga mesjeta e hershme.
Duke u përqendruar në traumat e saj, vuajtjet dhe arritjet si individ, por edhe si misionare, si dhe në spiritualitetin e saj kompleks, Alpioni argumenton se jeta e Nënës Terezë dhe historia e kombit të saj, veçanërisht marrëdhënia e popullit të saj me katolicizmin, janë të ndërlidhura. Kjo ikonë bashkëkohore shpirtërore dhe humanitare u bë mishërimi i trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore të kombit të saj.
Në pjesën e dytë të ligjëratës Alpion shtjelloi konceptet “hero” dhe “kapital” nga disa këndvështrime, duke u përqendruar kryesisht në veprat e Thomas Carlyle, Samuel Smiles, Daniel J. Boorstin dhe Pierre Bourdieu. Kjo ështe hera e parë që shtjellohet para një audience koncepti i ri “kapitalit të famës”, të cilin ai po e thellon në një studim në proces, me figurën e Nënë Terezës. Alpion argumenton se teoria e kapitalit, dhe format e tij – ekonomik, social, simbolik, kulturor – ndihmojnë, por nuk mjafton për të matur “vlerën” e shtuar që Nënë Tereza solli në kulturën dhe influencën e njerëzve të famshëm. Sipas Alpion, ajo që e bën Nënë Terezën figurë emblematike të “kapitalit të famës” janë përkushtimi fetar, bamirësia pa kushte dhe bindja në shenjtërinë e dinjitetit njerëzor që, së bashku, e shndërruan atë në mishëruese të vlerave më pozitive të njerëzimit.
Alpion përfundon se Nënë Tereza nuk është një rastësi. Sipas tij, personalitete të kalibrit të saj duhen studiuar në kontekstin e rrethanave personale dhe sfondin etnik, nacional, fetar, dhe kulturor me efekt brumues në jetën dhe aktivitetin e tyre. Në rastin e Nënë Terezës, këta rrethana dhe efekti i tyre akoma nuk janë zbërthyer si dhe sa duhet nga studiues të huaj dhe shqiptar. Kjo është si pasojë e mos distancimit, aq i domosdoshëm në angazhimin me figura të tilla komplekse, dhe tutjen e pajustifikueshme për të dekonstruktuar dhe çmitizuar personalitetin e saj kompleks.