Akademik Skënder Gjinushi, Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, priti sot në një vizitë zyrtare ambasadoren e Zvicrës znj. Ruth Huber
Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akad. Skënder Gjinushi, priti sot më 19 shtator 2024 në një vizitë zyrtare ambasadoren e Zvicrës znj. Ruth Huber.
Të pranishëm ishin kryetari i Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike akad. Gëzim Hoxha, shefja e marrëdhënieve me jashtë prof. asoc. dr. Elda Zotaj.
Takimi u organizua me rastin e përgatitjeve të simpoziumit të përbashkët shkencor për figurën e Eugéne Pittard që do të mbahet më 9 tetor 2024.
Takimi nisi me një bisedë kortezie rreth figurës shumëdimensionale të Eugéne Pittard në rrethet akademike të Shqipërisë. U fol për rolin e tij në njohjen e Shqipërisë si shtet dhe anëtarësimin në Lidhjen e Kombeve (1920), si dhe për kontributin e tij si arkeolog, antropolog dhe si bashkëthemelues i Kryqit të Kuq Shqiptar me gruan e tij Helene Pittard.
Gjatë këtij takimi u theksua se Eugene Pittard është zbuluesi i parë i sitit të lashtë arkeologjik të Trenës në Korçë (1924). Puna e tij ka nxitur studiues dhe arkeologë të tjerë, ku u përmend kontributi i studiuesit zviceran prof. Albert Hafner që udhëheq ekipin shqiptaro-zviceran të kërkimeve arkeologjike në këtë zonë dhe që do të jetë i pranishëm dhe në ditën e konferencës më 9 tetor 2024.
Bashkëorganizimi i një veprimtarie shkencore jubilare në nderim të figurës dhe kontributit të studiuesit Eugene Pittard mes Ambasadës së Zvicrës dhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë do të shërbejë dhe si një urë për të tjera nisma dhe organizime të përbashkëta. Mes këtyre nismave, me rëndësi është edhe përfshirja e studiuesve e albanologëve të të dyja vendeve në projektin madhor të “Enciklopedisë shqiptare”.