Akademike Aurela Anastasi prezantoi temën: “Çështje të metodave të kërkimit shkencor përmes “dialogut gjyqësor kushtetues””
Në datën 16 prill 2025 në Komisionin për çështjet ekonomike, juridike e sociale të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë u zhvillua prezantimi me temë: “Çështje të metodave të kërkimit shkencor përmes “dialogut gjyqësor kushtetues”” nga akad. Aurela Anastasi.

Veprimtaria u zhvillua në prani të anëtarëve të Komisionit, si dhe të të ftuarve në sallën “Aleks Buda” dhe të pjesëmarrësve që u bashkuan online.
Akad. Anastas Angjeli, Kryetar i Komisionit dhe njëherazi drejtues i panelit, uroi mirëseardhjen dhe theksoi rëndësinë e temës që do të trajtohet në këtë mbledhje.

Akad. Aurela Anastasi prezantoi gjetjet paraprake të studimit për këtë çështje, duke theksuar rëndësinë e “dialogut gjyqësor” të Gjykatës Kushtetuese me Gjykatën Europiane të Drejtësisë, me gjykatat kushtetuese të vendeve anëtare të Bashkimit Europian, si dhe të interpretimit krahasimor me legjislacionin e Bashkimit Europian. Kjo çështje është e lidhur ngushtë me kontrollin kushtetues të ligjeve, kur Shqipëria ndodhet në një fazë intensive të procesit për integrimin e saj në Bashkimin Europian. Vëmendje e posaçme iu kushtua metodës së studimit dhe të kërkimit në të Drejtën Kushtetuese të Krahasuar në kuadër të këtij dialogu.
Anëtarët e Komisionit dhe pjesëmarrësit e tjerë zhvilluan pyetje, diskutime e komente, duke u fokusuar në metodën e kërkimit, në konkluzionet e studimit dhe mënyrën e aplikimit të gjetjeve të tij në Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë, si edhe për zhvillimin e shkencave kushtetuese dhe të filozofisë të së Drejtës.

Diskutimet e zhvilluara në Komision përbëjnë një ndihmesë të vyer për hartimin e konkluzioneve përfundimtare të studimit të kryer. Studimi është hartuar në kuadër të projektit: “Përafrimi i legjislacionit me standardet europiane përmes gjykimit kushtetues”, që zbatohet nga Fakulteti i Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, financuar nga Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit, (AKKSHI).