U zhvilluan takimet mes drejtuesve të redaksive të fushave dhe anëtarëve të redaksisë vendore-koordinatorë të grupfushave
Në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, në datën 17 prill 2025, u zhvilluan takimet me 27 redaksi të fushave dhe anëtarëve të redaksisë vendore Tiranë, gjithashtu koordinatorë të grupfushave. Ata u njohën me Udhëzuesin e përbashkët të miratuar për fazën e re të punës me përgatitjen e fjalësit të “Enciklopedisë shqiptare” para dorëzimit për miratim redaksisë qendrore.
Këto veprimtari u zhvilluan në vijim të takimit të dy redaksive vendore Tiranë e Prishtinë më 25-26 mars 2025 në Vërmicë, ku u miratua fjalësi-bazë dorëzuar i dakordësuar nga redaksitë e fushave deri më 20 shkurt 2025, pranë QBEA-së.
Takimet e ndara në 7 grupe pune sipas grupfushave u drejtuan nga kryeredaktori i “Enciklopedisë shqiptare” akad. Skënder Gjinushi, Kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, dhe dr. Arian Leka drejtor i Qendrës së Botimeve Enciklopedike Shqiptare.
Fillimisht kryeredaktori i Enciklopedisë shqiptare akad. Skënder Gjinushi dhe zëvendëskryeredaktori akad. Mehmet Kraja nënshkruan udhëzuesin për redaksitë e fushave për përgatitjen e fjalësit enciklopedik (ESH) para dorëzimit për miratim në redaksitë qendrore.
Në vijim të punës u diskutua rreth udhëzuesit të ri dhe u dhanë detyra e rekomandime duke theksuar çështje në vëmendje.
Akad. Gjinushi theksoi forcimin e artikujve me argumente shtesë, përkrah kriterit bazë dhe tha se propozime për ndryshime, si rregull, do të ketë vetëm për raste që kriteri nuk i parashikon apo kur vijnë në mbështetje të karakterit përmirësues, të përmendura në udhëzuesin e ri. U theksua, gjithashtu, nevoja për kalime të mëtejshme në artikujt përmbledhës, evitimi i ndarjeve të panevojshme gjeografike apo tematike a kohore, riadresime drejt njësisë së dominancës, si dhe qartësimi i emërtimeve në formën e shkrimit të tyre përmes fjalës çelës. Për çdo ndryshim dhe shtesë, a heqje nga fjalësi bazë, shprehet mendimi nga drejtuesit e redaksive të fushave.
Redaktorët përgjegjës dhe drejtuesit e redaksive të fushave ranë dakord me detyrat e përcaktuara dhe rekomandimet e bëra për përmirësimet në udhëzuesin e ri:
U la detyrë për personalitetet, të përfshira në fjalës si artikuj më vete për shkak të kontributit të tyre si studiues, krijues, kërkues, mësimdhënës, zbatues e politikanë, të vihet përbri argumenti kryesor e kontributi i veçantë pse vlerësohet se i plotëson kriteret e parashikuara, si p.sh. për mbajtësit e titullit profesor, të shpjegohet edhe kontributi i veçantë në veprimtarinë e tyre, që i dallojnë nga profesorati. Për personalitetet historike ky shpjegim bëhet kur shihet i nevojshëm.
U la detyrë që për ngjarje të veçanta historike, më pak të njohura, gjithashtu, të jepet argumenti kryesor pse ngjarja përkatëse duhet të jetë artikull më vete.
Për fjalësin bazë për çdo propozim të bërë pas datës 20 shkurt 2025 e të paraqitur në Vërmicë bashkë me dakordësinë të shprehet edhe arsyeja e propozimit të fjalës. Fjalësi të shoqërohet me kategorizimin e madhësisë së artikujve, me propozimet për artikujt monografikë dhe artikuj përmbledhës të karakterit monografik, që sipas vlerësimit të redaksive të fushave çmohen se duhen trajtuar posaçërisht.
Në përfundim, u miratua kalendari i përbashkët i aktiviteteve për periudhën prill-qershor 2025 që do të realizojnë të dyja institucionet Akademia e Shkencave Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës, me qëllim përmbushjen e detyrave për realizmin e përbashkët të veprës madhore “Enciklopedia shqiptare”.
Për përmbushjen e detyrave u përcaktuan katër afate kohore, sipas programit të miratuar.
www.akad.gov.al