Zija XHOLI

Fusha: Filozofi

XHOLI Zija (1923–2012). Pedagog i filozofisë në Universitetin e Tiranës, profesor, akademik. Lindi në Korçë, ku kreu Liceun Kombëtar francez. Mori pjesë në Lëvizjen ANÇ si ilegal më pas në Brigadën XX S. Kreu studimet e larta për filozofi në Universitetin “Lomonosov” të Moskës (1952). Më 1952 filloi punën si pedagog i filozofisë në Institutin e Lartë Pedagogjik të Tiranës dhe prej vitit 1957 në Universitetin e Tiranës, ku ka dhënë kurset e plota të filozofisë, të historisë së filozofisë botërore dhe të historisë së mendimit politik dhe filozofik shqiptar në disa fakultete dhe në degën e filozofisë që u hap në vitet ‘60. Ka qenë dekan i Fakultetit të Shkencave Politike e Juridike (1974–1989). Z.Xh. është bashkautor i teksteve universitare të filozofisë. Në veprimtarinë shkencore i është kushtuar studimit të mendimit filozofik shqiptar. Ka botuar monografinë “Jeta dhe veprat e Sami Frashërit” (1978), ka shkruar studime për jetën dhe veprën e rilindësve (N. Veqilharxhi, Z. Jubani, J. Vreto, P. Vasa, N. Frashëri, S. Frashëri, P. Luarasi), si edhe të autorëve të parë të letërsisë shqipe, të përmbledhura në librat e tij “Mendimtarë të Rilindjes Kombëtare” (1987) dhe “Pesë mendimtarët më të vjetër të kulturës sonë kombëtare (Marin Barleti, Gjon Buzuku, Pjetër Budi, Frang Bardhi, Pjetër Bogdani)” (2003). Në Universitetin e Prishtinës ka dhënë për disa vjet leksione për mendimtarët e Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Ka marrë Çmimin e Republikës të Shkallës së Parë.