Afërdita VEVEÇKA

Fusha: Fizikë

Afërdita Veveçka Priftaj (1948-2017). Fizikante, profesore, akademike e asocuar. Lindi më 21 janar 1948 në Berat në një familje intelektuale. U diplomua më 1970 në degën e fizikës 5-vjeçare në Fakultetin e Shkencave të Natyrës të Universitetit të Tiranës dhe pas studimeve u emërua pedagoge pranë katedrës së fizikës së përgjithshme pranë këtij fakulteti, kurse pas vitit 1990 si pedagoge në departamentin e fizikës të Universitetit Politeknik të Tiranës. Në vitin 1982 fitoi gradën “Doktor i shkencave”, kurse më 1994 mori titullin “Profesor i asociuar” dhe më 1999 titullin “Profesor”. Më 2008 u zgjodh “Akademike e asociuar” pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Afërdita Veveçka ka patur përvojë të pasur jo vetëm në mësimdhënie, por edhe në kërkimin shkencor në fushën e materialeve, veçanërisht për nanomaterialet dhe nanoteknologjinë, falë kualifikimit pasuniversitar dhe specializimeve të shumta në universitete prestigjioze jashtë vendit, si në Universitetin e Kalifornisë së Jugut në Los Anxhelos, në Universitetin e Kembrixhit dhe të Oksfordit, të Klausthalit dhe të Erlangenit në Gjermani, të Limerikut në Irlandë, në Qendrën Ndërkombëtare të Fizikës në Trieste, në Institutin Mbretëror të Teknologjisë në Stokholm.

Afërdita Veveçka mori pjesë aktive në realizimin e disa projekteve të përbashkëta me bashkëpunëtorë në stafe të kualifikuara të institucioneve shkencore evropiane në fushën e materialeve me Universitetin e Stavangerit të Norvegjisë, me Universitetin Jagellonian në Krakov të Polonisë dhe me Universitetin e Ankonës në Itali. Gjithashtu qe koordinatore e shumë projekteve shkencore në kuadër të Programit Kombëtar për Kërkim dhe Zhvillim si dhe për disa projekte të bashkëpunimit dypalësh të Shqipërisë me Italinë, Austrinë, Greqinë, Slloveninë. Falë përvojës së pasur në fushën e kërkimit shkencor, Komisioni Europian e ftoi si eksperte për vlerësimin e projekteve TEMPUS për thirrjen e 6-të. Ajo u zgjodh në bordin botues të revistës ndërkombëtare “Materials Science and Engineering A”. Gjithashtu akad. asoc. Veveçka ka qenë anëtare e redaksisë së revistës JNTS (Journal of Natural and Technical Sciences) të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Afërdita Veveçka ka kontribuuar në mësimdhënie me botimin e teksteve universitare dhe pasuniversitare, si dhe në kërkimin shkencor me botime të shumta në revista shkencore brenda dhe jashtë vendit. Ka qenë pjesëmarrëse aktive në shumë konferenca shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare.