T.Bicoku (1)

Teki BIÇOKU

Fusha: Gjeofizikë

Teki BIÇOKU (1926–2009). Inxhinier gjeo-fizikan, profesor, akademik. Lindi në Elbasan, ku ndoqi Shkollën Normale. Mori pjesë në Luftën ANÇ dhe pas Çlirimit përfundoi studimet e mesme në Shkollën Teknike të Tiranës. Ndoqi studimet e larta dhe u diplomua në Institutin e Naftës në Moskë (1952). T.B. është një ndër specialistët e parë që punuan për krijimin, organizimin dhe zhvillimin e gjeofizikës në Shqipëri. Ka qenë kryegjeolog (1955–1965) dhe drejtor (1965–1975) në Shërbimin Gjeologjik Shqiptar (shih). Pedagog i lëndëve metodat gjeofizike dhe sizmometria në Fakultetin e Gjeologjisë dhe të Minierave të UPT (shih). Në shkurt 2008 u emërua kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. T.B. është bashkautor i ndarjes tektonike të Shqipërisë (1964), që përdoret edhe sot; ka drejtuar dhe është bashkautor i studimeve përgjithësuese sintezë: “Harta gjeologjike e Shqipërisë” (1967, botuar edhe frëngjisht) në shkallën 1:200.000, “Harta tektonike e Shqipërisë” (1969) në shkallën 1:500.000, “Harta e mineraleve të dobishme të Shqipërisë” (1971) në shkallën 1:200.000, i veprës “Gjeologjia e Shqipërisë” (1970, frëngjisht, 1974), dhe autor i monografisë “Historiku i kërkimeve dhe studimeve gjeologjike të Shqipërisë” (2004), i librit “Veprimtaria individuale e specialistëve të fushave të gjeologjisë” (2004) dhe bashkautor i pjesës për Shqipërinë në veprën “Tectonics of the Carpato-Balkanian Region”, 1974 (“Tektonika e Harkut Karpato-Ballkanik”). Është dekoruar me urdhra e medalje të luftës e të punës, si dhe me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”; ka marrë “Çmimin e Republikës” të shkallës së parë.