Artan BORIÇI

Fusha: Fizikë

Artan BORIÇI (19 prill 1965 – 26 mars 2021). Akademik i asociuar. Ai ka mbrojtur gradën doktor i shkencave matematike në ETH, Zurich, Zvicër, më 1996. Titullin profesor e ka marrë në Universitetin e Tiranës, në vitin 2010. Punoi në drejtimet kërkimore të fizikës teorike dhe llogaritëse dhe në fushën e financës llogaritëse në Institutin Paul Scherrer të Zvicrës; në shkollën e lartë politeknike federale të Zyrihut e në Universitetin e Ediburgut (1996-2003). I njohur në botën e teorisë rrjetore të fushës për “fermionet Boriçi-Creutz”. Artani Boriçi kishte bashkëpunim me institucione shkencore, si Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Akademia Mbretërore e Shkencave e Suedisë (për propozimin e çmimeve Nobel në fizikë), Qendra e Kërkimeve Bërthamore Europiane, Qendra e Llogaritjeve Intensive në Jylih të Gjermanisë etj. Së bashku me këto institucione dhe personalitete të shquara të fizikës dhe matematikës botërore ka marrë pjesë në organizimin e konferencave ndërkombëtare brenda dhe jashtë vendit. Atij i janë akorduar mbi gjysmë milionë dollarë grante për punë kërkimore fondametale prej agjencive zvicerane e skoceze, si dhe nga NATO (gjatë punës në Shqipëri). Ka 64 artikuj, të cituar 531 herë (ResearchGate), me 34 artikuj të indeksuar në SCOPUS, me indeks H = 9. Ka botuar në revistat e mirënjohura të fizikës, si Physical Review D dhe Journal of Computational Physics. Ka qenë pjesëmarrës me referime në 49 konferenca shkencore brenda dhe jashtë vendit, në 11 prej tyre si referues i ftuar. Artan Boriçi ka mbi 20 vjet veprimtari si pedagog në Fakultetin e Shkencave të Natyrës. Ka shërbyer si zëvendësdekan i këtij fakulteti (2012) dhe si anëtar i këshillit shkencor. Që prej vitit 2012 ai drejtonte grupin e fizikës llogaritëse dhe të energjive të larta në departamentin e fizikës. Ka udhëhequr dy teza doktorale në fushën e fizikës së thërmijave elementare.