Stefanaq POLLO

Fusha: Histori

POLLO Stefanaq (1923–1997). Historian, profesor, akademik, personalitet i historiografisë shqiptare. Lindi në Përmet dhe kreu Liceun Kombëtar (francez) të Korçës. Studimet e larta për histori i kreu në Universitetin “Lomonosov” të Moskës (1945–1950). Mori pjesë në Luftën ANÇ. Gjatë v. 1944–1945 punoi si kryeredaktor i gazetave “Kushtrimi i Lirisë” e “Rinia” dhe i gazetës “Bashkimi”. Në vitet 1950–1951 ka qenë pedagog i historisë në Institutin Pedagogjik Dyvjeçar, më 1951–1957 nënkryetar i Institutit të Shkencave, gjatë viteve 1957–1958 dhe 1968–1969 dekan i Fakultetit të Historisë e të Filologjisë dhe përgjegjës i katedrës së historisë (1969–1972), më 1972–1989 drejtor i Institutit të Historisë të ASHSH. Me krijimtarinë e tij shkencore ka hedhur themelet e studimeve shqiptare për epokën e Rilindjes Kombëtare, por veç kësaj ka rrokur edhe një gamë të gjerë problemesh të historiografisë shqiptare. Vepra e tij shkencore, e përmbledhur në dy vëllime “Në gjurmë të historisë shqiptare” (1990, 2003), hedh dritë mbi probleme të tilla si: formimi i kombit dhe i lëvizjes kombëtare shqiptare, roli i popullit shqiptar në historinë e re dhe të sotme në rrafshin ballkanik dhe europian, Lidhja Shqiptare e Prizrenit, Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, roli dhe vendi i feve në Shqipëri gjatë Rilindjes, që përbën një monografi të mirëfilltë etj. S.P. ka kontribuar si bashkautor dhe redaktor përgjegjës në hartimin e veprave të tilla madhore të historiografisë shqiptare, si: “Historia e Shqipërisë” vëll. I, 1959 dhe vëll. II, 1965; “Historia e Shqipërisë” vëll. IV, 1983, dhe vëll. II e III 1984. S.P. është bashkautor i vëll. II të “Historisë së popullit shqiptar” (2002), bashkautor dhe redaktor përgjegjës i veprës “Historia e Shqipërisë nga origjina në ditët tona”, botuar frëngjisht (Lion, 1974) dhe anglisht (Londër, 1981), bashkëpërgatitës i vëll. me dokumente “Akte të Rilindjes Kombëtare Shqiptare 1878–1912” (1978), redaktor dhe bashkëpërgatitës i disa botimeve dokumentare dhe përmbledhjeve me artikuj e kumtesa, si: “Konferenca e Parë e Studimeve Albanologjike” (1965), “Konferenca e Dytë e Studimeve Albanologjike” (tre vëll., 1969), “Alfabeti i gjuhës shqipe dhe Kongresi i Manastirit” (1972), “Konferenca kombëtare e studimeve etnografike” (1977) etj. Ka qenë kryeredaktor i revistës “Studime historike” (1964–1990), anëtar i Komitetit Ballkanik të AIESEE-së. Ka marrë Çmimin e Republikës të shkallës së parë; është dekoruar me Urdhrin “Flamuri i Kuq i Punës” të kl. I; deputet i Kuvendit Popullor (1970–1978).