Akademik Bahri Beci përshëndet kryetarin e Akademisë së Shkencave dhe pjesëmarrësit në veprimtarinë jubilare për 85-vjetorin e lindjes së tij dhe promovimin e librit “L’union linguistique balkanique à la lumière des données de la langua albanaise”
Gjuhëtari i shquar akad. emeritus Bahri Beci ka sot 85-vjetorin e lindjes.
I specializuar në fushën e fonetikës eksperimentale në Institutin e Gjuhësisë dhe të Fonetikës në Paris, akad. Bahri Beci ka bërë kërkime dhe studime të shumta shkencore në fushat e dialektologjisë dhe fonetikës.
Ai ka botuar disa monografi e skica dialektore për të folmet e Luznisë, Reçit e Dardhës, Grykës së Madhe (rrethi i Dibrës), për të folmet e krahinës së Matit dhe të Shkrelit (Malësi e Madhe).
Krahas tyre ka botuar dhe artikuj që trajtojnë çështje të përgjithshme të studimeve dialektore, si klasifikimi i të folmeve të shqipes, tiparet dalluese të dy dialekteve të saj dhe lashtësia e tyre, marrëdhëniet midis dialekteve dhe gjuhës letrare.
Së fundmi ka botuar “L’union linguistique balkanique à la lumière des données de la langua albanaise” (Lidhja gjuhësore ballkanike nën dritën e të dhënave të gjuhës shqipe) në frëngjisht, botim i ASH-së, që u promovua në veprimtarinë jubilare që u mbajt sot më 2 mars 2020 në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë për 85-vjetorin e lindjes së akademik Bahri Becit.
Pas mbylljes me sukses të veprimtarisë shkencore, i emocionuar dhe me lot në sy, gjuhëtari i shquar përshëndeti online kryetarin e Akademisë së Shkencave, pjesëmarrësit dhe organizatorët, me këto fjalë:
“ Nuk kam ndër mend të flas shumë, por duhet t’ua them me sinqeritetin më të madh se më keni dhënë kënaqësi të veçantë. Në radhë të parë ju përshëndes të gjithëve për këtë prani në këtë situatë shumë të papërshtatshme, shumë të vështirë, që kërkon edhe guxim që të jesh i pranishëm në një mbledhje të kësaj natyre. Për mua ka qenë një kënaqësi e veçantë.
Duhet të falënderoj në mënyrë të veçantë kryetarin e Akademisë së Shkencave (ta përdor kështu edhe në fjalën time), mikun tim të nderuar, me të cilin kemi kaluar për dy vjet ose më shumë, momente të veçanta, kënaqësi të veçanta, por edhe probleme dhe vështirësi.
Në fjalën e tij, që për mua ishte një befasi, të them të drejtën, nuk arrij ta imagjinoj se si ai (por ndoshta dashuria, e vërteta, shpirti i njeriut që i ndjen gjërat, e bënë të mundur një gjë të tillë) arriti t’i japë punës sime, që për mendimin tim ka qenë me sakrifica, një dimension gati-gati të paimagjinueshëm edhe për mua vetë. Kështu që unë e falënderoj në mënyrë të veçantë. Nuk ishte thjesht një vlerësim i punës së një anëtari të Akademisë së Shkencave, por ishte një njeri, një shpirt që fliste shumë më gjerë, shumë më thellë dhe të them të drejtën më ka emocionuar me shkrimin e tij.
Dhe tani falënderoj në mënyrë të veçantë sigurisht dhe akademikun Pëllumb Xhufi, që ishte në krye të këtij organizimi dhe do të thosha dhe shkëlqeu me thjeshtësinë dhe transparencën e qartësinë e këtij organizimi të thjeshtë, por që në momentin e tanishëm ishte shumë i vështirë për t’u realizuar.
Sigurisht që një vlerësim dhe falënderim i veçantë shkon për dy recensentët, miqtë e mi, njerëz me të cilët kam kaluar një pjesë të bukur, por edhe të vështirë të jetës sime; profesor Seit Mancakun, profesoreshë Anila Omarin, dy persona me një personalitet shkencor dhe njerëzor, që unë i admiroj dhe i vlerësoj.
Por vlerësimi për akademik Rexhep Ismajlin është i një natyre tjetër. Është një miqësi e filluar në kushte shumë të vështira. Është një miqësi që unë e vlerësoj thjesht jo si një miqësi midis dy njerëzve apo dy akademikëve. Ka qenë përtej kësaj, duke llogaritur se ai është një nga personalitetet e shquara të shkencës shqiptare, ndoshta më i pari, më i forti, më i shpejti, më i guximshmi për ta kthyer shkencën shqiptare në përgjithësi, por në veçanti gjuhësinë shqiptare, me sytë nga perëndimi.
Ai ka një meritë të jashtëzakonshme në këtë drejtim, dhe unë s’e kam thënë, ndoshta indirekt kam ndjekur dashur padashur se ai u ka paraprirë këtyre proceseve, duke pasur parasysh edhe kushtet, se edhe situatat ishin krejt të ndryshme.
Në një kuptim ka paraprirë në kohë se ka pasur shansin edhe të marrë, edhe si të thuash informacione, dije, po aty ku kam shkuar unë më vonë, në Francë, por jo në të njëjtin institut, por me një nga profesorët më të shquar atje.
Nuk e di, por mendoj se e meriton një vlerësim të veçantë zv. kryetari i Akademisë së Shkencave, zoti Vasil Tole, i cili ka qenë me gjithë ekipin e tij, sepse kuptohet kjo nuk është një veprimtari e thjeshtë, është një veprimtari e një ekipi të tërë. Unë e kam ndier këtë gjatë këtyre ditëve, gjatë kontakteve që kam pasur, se ka qenë një pjesëmarrje shumë e gjerë dhe jam shumë i nderuar që arriti t’i japë jo vetëm një dimension shkencor, por ndoshta më shumë se kaq këtij evenimenti.
Ju falënderoj të gjithëve për pjesëmarrjen dhe ju uroj që (së shpejti unë zor se do kem kontakte të kësaj natyre), por në 90-vjetorin ndoshta ju ftoj me kënaqësi jo këtu, por në shtëpi.
Ju faleminderit dhe urime.”