Akademia e Shkencave dhe Universiteti i Tiranës thellojnë bashkëpunimin
Akademia e Shkencave e Shqipërisë në zbatim të reformës që ka ndërmarrë qysh në vitin 2020, pas lidhjes se marrëveshjeve me institucionet kryesore të arsimit të lartë, po zhvillon konsultime dhe takime me drejtuesit e tyre për zbatimin e konkretizimin e këtyre marrëveshjeve.
Sot, në ambientet e saj, u zhvillua një takim mes rektorit të Universitetit të Tiranës, prof. dr. Artan Hoxha dhe Kryetarit të ASH-së Skënder Gjinushi dhe anëtarëve të kryesisë së Akademisë për të diskutuar mënyrat dhe format e bashkëpunimit mes këtyre dy insitucioneve. Në tryezën e bisedimeve u shtruan për diskutim bashkëpunimi për një ligj të ri për shkencën, për ligjin e përdorimit të gjuhës shqipe, për zhvillimin e veprimtarive te përbashkëta, siç është Kuvendi mbarëshqiptar për Albanologjinë, e disa konferenca shkencore të fushave që mbulon UT-ja si dhe forcimi i bashkëpunimit në organizimin e funksionimin e njësive të kërkim-studimit që janë ngritur pranë ASH-së dhe të komisioneve të përhershme, gjithashtu.
Akademia e Shkencave me financim të qeverisë shqiptare do të realizojë tri projekte madhore, që janë hartimi i “Fjalorit të madh të gjuhës shqipe”, të “Enciklopedisë shqiptare” dhe të “Historisë së shqiptarëve”. Është hera e parë që këto projekte madhore të cilat kishin mbetur si tentativë, tani do të bëhen realitet. Ndaj bashkëpunimi me institucionet e larta arsimore dhe shkencore të vendit bëhet i domosdoshëm.
Në takimin e zhvilluar, z. Gjinushi paraqiti platformën e bashkëpunimit dhe theksoi se ASH-ja është e interesuar që projektet e mëdha, strukturat kërkimore shkencore që janë ngritur pranë saj dhe veprimtaritë kryesore shkencore që do të organizohen në fushën e albanologjisë apo shkencave të sakta të realizohen me ndihmesën e profesoratit të UT-së. Rektori i UT-së, prof. dr. Artan Hoxha mirëpriti propozimet për bashkëpunim duke bërë sugjerimet përkatëse dhe vuri theksin te komunikimi i vazhdueshëm mes institucioneve në mënyrë që të respektohet hierarkia vertikale e strukturave universitare duke përfshirë në këtë proces departamentet, njësitë bazë dhe senatin. Ne takim u përmend si përvojë pozitive bashkëpunimi me rastin e propozimeve dhe vlerësimeve për anëtarësimet e reja në Asamblenë e ASH-së të disa profesorëve të këtij universiteti, anëtarësime që u realizuan edhe me tërheqjen e mendimit të senatit dhe departamenteve të UT-së.
Bashkëpunimi mes Akademisë së Shkencave dhe UT-së, që do të pasohet edhe me marrëveshjet me insititucione të tjera të larta të vendit, synon që të angazhojë forcat më të mira shkencore të vendit në realizimin e projekteve madhore kërkimore e shkencore. Është hera e parë në këto vite të tranzicionit që shkenca shqiptare fillon të gjallërohet dhe projektet e mëdha që do të realizohen jo vetëm do të mbushin boshllëqe të ndjeshme në panoramën e shkencës shqiptare, por do të angazhojnë me punë konkrete dhjetra shkencëtarë shqiptarë.
Në këtë takim u përmend, gjithashtu, që bashkëpunimi mes ASH-së dhe UT-së shtrihet në projektet kryesore të bashkëpunimit që ASH-ja do të realizojë me Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës duke mundësuar që veprimtaria kërkimore shkencore të përfshijë të gjithë hapësirën shqiptare në projekte të përbashkëta, veçanërisht në fushat e albanologjisë.
Në fund të diskutimeve, të pranishmit konstatuan se takimi shërbeu që marrëveshja të konkretizohet në detaje dhe të gjitha çështjet që u shtruan për diskutim, morën një përgjigje të kënaqshme nga të dyja palët.