Nënshkuhet e para marrëveshje bashkëpunimi midis Akademisë së Shkencave dhe Universitetit të Sporteve
Akademia e Shkencave e Shqipërisë (ASHSH) dhe Universiteti i Sporteve i Tiranës (UST) nënshkruan sot marrëveshjen e bashkëpunimit midis dy institucioneve. Marrëveshja u nënshkrua nga akad. Skënder Gjinushi, Kryetar i ASHSH dhe prof. dr. Agron Kasa, Rektor.
Marrëveshja u firmos në praninë e akad.Vasil Tole zv.kryetar i ASH-së, akad. Shaban Sinani sekretar shkencor i ASH-së, akad.Pëllumb Xhufi drejtor i Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike (ASH), akad. Neki Frashëri drejtor i Seksionit të Shkencave Natyrore dhe Teknike (ASH), si dhe prof. dr. Dhimitraq Prifti zv.rektor i UST-së, prof. asc. dr. Arben Kacurri drejtor i Institutit të Kërkimit Shkencor të Sportit dhe znj. Mirlinda Galushi administratore e UST-së.
Akad. Skënder Gjinushi tha se marrëveshja me Universitetin e Sporteve është në kuadrin e politikave të hapjes që kanë si UST, ashtu dhe Akademia, për bashkëpunim sa më të gjerë midis institucioneve të arsimit dhe të shkencës në Shqipëri. Është kënaqësi për ne që ne e zgjerojmë edhe jashtë sferës së deritanishme të bashkëpunimit. Ndoshta është marrëveshja e parë jona me Universitetin e Sporteve. Është shumë pozitive që edhe Universiteti i Sporteve si gjithë institucionet e arsimit të lartë, tashmë ka një fizionomi tjetër, ka një peshë tjetër në tërë formimin e kuadrove dhe specialistëve të lartë, por edhe në veprimtarinë kërkimore studimore të domosdoshme në fushën e shëndetit publik dhe të sportit në tërësi. Kjo e zgjeron mundësinë për një bashkëpunim konkret midis nesh.
Rektori, prof. dr. Agron Kasa, falënderoi Akademinë e Shkencave dhe në mënyrë të veçantë kryetarin akad. Skënder Gjinushin për gatishmërinë e tyre për të krijuar hapësirën që Universiteti i Sportit për herë të parë në historinë e krijimit prej 60 viteve të nëshkruajë një marrëveshje të drejtëpërdrejtë me Akademinë e Shkencave. Nga kjo pikëpamje, tha ai, për Universitetin e Sporteve është një ditë e rëndësishme, e cila ne drejtuesve të institucionit na nxjerr përpara një program obligimesh që sapo u firmosën nga marrëveshja këtu në ASH. Duke shprehur bindjen se një numër jo i vogël çështjesh dhe problemesh që kanë impakt kombëtar duhet patjetër që të kalojnë nëpër një projekt kërkimor shkencor me ASH, Rektori Agron Kasa tha se kërkimet shkencore për çështjet madhore që kanë lidhje me shëndetin publik dhe me shkencën e sportit për çështje që kanë të bëjnë me rritjen e shëndetshme të fëmijëve, me futjen e dhe rritjen shumë agresive të obezivitetit në Shqipëri, me rehabilitimin e personave për
shkak të stilit të jetës që bëjnë, presin për t’u konkretizuar në projekte me Akademinë e Shkencave. Kjo marrëveshje do të japë një impakt, por ne do të bëjmë atë pjesë që na takon në zbatimin e këtyre projekteve, tha Rektori Kasa.
MARRËVESHJE BASHKËPUNIMI
NDËRMJET AKADEMISË SË SHKENCAVE TË SHQIPËRISË (ASHSH)
DHE
UNIVERSITETIT TË SPORTEVE TË TIRANËS (UST)
Neni 1
Përcaktimi i Palëve
Palët në këtë Marrëveshje janë:
- Akademia e Shkencave e Shqipërisë (ASHSH), me adresë në Tiranë, sheshi Fan Noli, 1001, e përfaqësuar nga akad. Skënder Gjinushi, Kryetar;
- Universiteti i Sporteve i Tiranës (UST), me adresë në Tiranë, rruga Muhamet Gjollesha, 1001, i përfaqësuar nga prof. dr. Agron Kasa, Rektor.
Neni 2
Qëllimi
Kjo Marrëveshje ka për qëllim rregullimin e bashkëpunimit ndërinstitucional midis Palëve, si dhe midis strukturave përbërëse të tyre (seksione, komisione, njësi, këshilla e borde; fakultete, institute, njësi kërkimore dhe senate); përcaktimin e prioriteteve themelore të bashkëpunimit dhe mënyrën e zbatimit të tyre, mbështetur në legjislacionin në fuqi, në parime të gjithëpranuara dhe në interesa të përbashkëta.
Neni 3
Parime bazë
Parime themelore rregulluese për bashkëpunimin e Palëve janë liria akademike dhe autonomia universitare. Palët bashkëpunojnë duke respektuar njëra-tjetrën në vetëveprimin e tyre të rregulluar me ligje dhe me akte nënligjore, përmes nismash, projektesh dhe veprimtarish të përbashkëta akademike e universitare.
Në veprimtaritë e përbashkëta dhe jashtë tyre Palët respektojnë (garantojnë) zbatimin e Kodit europian të sjelljes për integritet në kërkimin shkencor. Ato mbajnë qëndrim kritik dhe të papajtueshëm ndaj çdo forme të manipulimit në kërkim e konkurrim; ndaj plagjiaturës dhe deformimit të garës.
Palët bashkohen në vlerësimin e lartë për rëndësinë e frymës së olimpizmit; të konkurrencës dhe promovimit të energjisë njerëzore, që çon në thyerjen progresive të rekordeve dhe të kufijve të mundësive të dëshmuara të zhvillimit fizik dhe intelektual të njeriut si qenie vetjake e kombëtare.
Palët çmojnë se respektimi i deontologjisë në veprimtarinë sportive është e vetmja formë e ligjshme e promovimit të identitetit fizik vetjak dhe kombëtar në kompeticionet brenda dhe jashtë vendit.
Palët çmojnë se suksesi në kërkimin shkencor dhe në konkurrencën sportive bazohet në synimin për të arritur një shkallë cilësore më të lartë në veprimtarinë mendore dhe fizike, në frymën e skuadrës dhe në respektin për identitetin dhe qenësinë kombëtare.
Neni 4
Drejtimet kryesore të bashkëpunimit
Bashkëpunimi midis Palëve shtrihet në gjithë fushat e dijes dhe shkencës që kanë objekt dhe interes të përbashkët kërkimor.
Palët bashkëpunojnë me përparësi në shkencat e jetës dhe të formimit fizik; të promovimit të dijeve që janë në shërbim të shëndetit, të lëvizjes, të rekreacionit dhe të rehabilitimit sportiv e shëndetësor.
Palët bashkëpunojnë për zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta garuese në këto fusha, si dhe për organizimin e konferencave, forumeve, punëtorive, simpoziume etj. Ky bashëpunim përfshin nxitjen dhe asistimin e etnosporteve dhe lojërave sportive tradicionale etj.
Palët bashkëpunojnë për kryerjen e studimeve të përbashkëta, si dhe për aplikimin dhe për zbatimin e projekteve të përbashkëta shkencore.
Palët bashkëpunojnë për nxitjen dhe promovimin e brezave të rinj në shkenca e sporte me kërkesa të larta për individualitet e ambicie për progres.
Palët bashkëpunojnë për përsosjen e programeve universitare në shkencat e sportit. Ato inkurajojnë kërkimet ndërdisiplinare dhe ndërthurjen e shkencave të shëndetit intelektual me ato të shëndetit fizik dhe sigurojnë praninë e ekspertëve në formimin e kërkuesve të rinj në ciklin e doktoratës dhe të postdoktoratës. ASHSH dhe Instituti i Kërkimit Shkencor të Sportit nxiten për bashkëpunim të drejtpërdrejtë.
Në respekt të legjislacionit në fuqi dhe të traditave të bashkëpunimit, Palët premtojnë nxitjen e përfaqësimit të njëra-tjetrës në organizma që kanë të bëjnë me prestigjin kombëtar e shtetëror (komitete olimpike kombëtare, federata sportive kombëtare); si dhe në organizmat që funksionojnë pranë Akademisë së Shkencave me të njëjtin synim.
Neni 5
Bashkëpunime të veçanta
Përfaqësues të trupës akademike të UST propozohen dhe përfshihen sipas fushave në komisionet e përhershme që funksionojnë pranë ASHSH, veçmas në shkencat e jetës, shëndetit, gjuhësisë dhe identitetit.
ASHSH garanton përfshirjen e ekspertëve të UST në nismat shkencore madhore si Enciklopedia shqiptare, Historia e shqiptarëve etj. UST rekomandon e propozon përfshirjen e ekspertëve më cilësorë në këtë proces bashkëpunimi nga radhët e profesoratit të saj.
ASHSH dhe UST ftojnë përfaqësues të njëra-tjetrës të marrin pjesë si anëtarë jurie, vlerësues të jashtëm, recensues dhe oponentë në organizimin dhe zhvillimin e konkurseve shkencore e sportive.
Përfaqësues të UST ftohen të marrin pjesë në këshillin e botimeve akademike ose si bashkëpunëtorë të tij. ASHSH fton në mbledhjet vjetore të Asamblesë së saj përfaqësues të UST.
Neni 6
Shkëmbimi i botimeve dhe i informacionit
Palët i sigurojnë njëra-tjetrës shkëmbimin e ndërsjellë dhe të pakushtëzuar të informacionit shkencor, të periodikëve që botojnë, të studimeve dhe monografive. ASHSH u dhuron periodikisht koleksione të botimeve të saj bibliotekave të UST.
Palët shkëmbejnë ekspertiza dhe mbikëqyrje të përbashkëta të veprimtarisë shkencore në ekspedita dhe në kërkime dhe të zbatimit të deontologjive specifike që zbatohen në veprimtaritë e secilës prej tyre.
Palët informojnë rregullisht njëra-tjetrën për marrëveshjet dy ose shumëpalëshe me interes të ndërsjellë.
Neni 7
Zbatimi dhe kohëzgjatja
Kjo Marrëveshje ka fuqi veprimi me kohë të papërcaktuar.
Palët takohen dy herë në vit për të vlerësuar ecurinë e Marrëveshjes.
Ndërprerja e saj pranohet prej Palëve në rastet kur:
– Ndryshon statusi ligjor i institucioneve dhe ky ndryshim prek funksionet themelore të tyre, me efekt në Palën tjetër;
– Njëra nga Palët shpreh me shkrim dhe në mënyrë të arsyetuar shqetësimin për cenimin e interesave bazë të saj në procesin e plotësimit të kushteve të kësaj Marrëveshjeje.
Neni 8
Protokollet e bashkëpunimit
Me vullnetin e Palëve kësaj Marrëveshjeje i bashkëlidhen protokolle bashkëpunimi me afate realizimi që përcaktohen me diskutim mes tyre. Protokolle mund të nënshkruhen dhe për një veprimtari të vetme.
Neni 9
Ankesat
Kjo Marrëveshje është çështje dypalëshe. Për paqartësitë dhe ankesat e mundshme Palët nuk kërkojnë apelim në ndonjë instancë tjetër. Mosmarrëveshjet midis Palëve zgjidhen me bisedime.
Në rast të mosarritjes së dakordësisë për një periudhë dyvjeçare për çështje të diskutueshme, kjo Marrëveshje e humbet fuqinë.
Neni 10
Të fundme
Kjo Marrëveshje nënshkruhet në dy kopje, të dyja në gjuhën shqipe, një për secilën Palë, me vlerë të barabartë.