Simpoziumi i XItë shkencor ndërkombëtar “Biodiversiteti, ruajtja dhe përdorimi i qëndrueshëm për zhvillimin rural” më 21 dhjetor 2015, u zhvillua në bashkëpunim me disa institucione shkencore dhe shoqata në vend dhe në trojet shqiptare në Ballkan, një traditë tashmë me rëndësi të veçantë në Shqipëri. Simpoziumi u organizua nga Akademia e Shkencave me Universitetin Bujqësor të Tiranës, Universitetin “Fan Noli”, Korçë, Qendrat e Transferimit të Teknologjisë Bujqësore, Fushë-Krujë dhe Korçë dhe Fondacioni, si dhe në bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës, Kosovë dhe Universitetin e Tetovës, FYROM. Në Komitetin Organizativ, Akademia përfaqësohej nga akad. S. Bushati, kurse akad. asoc. E. Kongjika merr pjesë në Komitetin Shkencor të Simpoziumit.
Problemet e biodiversitetit u trajtuan në katër drejtime kryesore:
– Identifikimi dhe karakterizimi i fondit gjenetik autokton, si pjesë e trashëgimisë natyrore dhe kulturore: (i) Kafshët e fermës dhe varietetet bimore të kultivuara; (ii) Biodiversiteti i florës dhe faunës së egër.
– Biodiversiteti dhe mjedisi prodhues bujqësor: (i) Sistemet tradicionale të prodhimit;
(ii) Fermat familjare të shkallës së vogël – faktor kyç për zhvillimin rural në zona kodrinore dhe malore; (iii) Bujqësia, eko-turizmi; (iv) Produktet tradicionale të ushqimit; (v) Efektet e zhvillimit ekonomik për studime të biodiversitetit.
– Parqet natyrore dhe konservimi i fondit gjenetik në rrezik për zhdukje: (i) Parqet natyrore – mjedise për konservimin dhe përdorimin e qëndrueshëm i agrobiodiversitetit; (ii) Konservimi in-situ dhe ex-situ i resurseve gjenetike autoktone i fermave të kafshëve dhe bimëve.
– Tradita etno-kulturore në përdorimin e biodiversitetit si pjesë e trashëgimisë kulturore.
Problem kryesor në qendër të studimeve konsiderohet jo vetëm vlerësimi i biodiversitetit dhe monitorimi i tij, por edhe përdorimi i qëndrueshëm i tij me ndikim të drejtpërdrejtë në ekonomi, veçanërisht në drejtim të zhvillimit të eko- dhe agroturizmit. Gjithashtu u bë paraqitja e rezultateve shkencore të deritanishme të punimeve të një komuniteti shkencor të gjerë, që është përqendruar në fushën e biodiversitetit, si dhe veprimtaritë dhe sfidat e ardhshme për ruajtjen, mirëadministrimin dhe zhvillimin e biodiversitetit në vendin tonë, në rajon dhe më gjerë.