Promovim kolane

Veprimtaria e zhvilluar datë 23 prill 2019 nga Akademia e Shkencave, Seksioni i Shkencave Shoqërore e Albanologjike lidhur me promovimin e kolanës prej 10 vëllimesh me burime dokumentare për qëndresën arbërore në shekullin e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, koleksionuar dhe përkthyer në shqip nga akad. Kristo Frashëri, me titullin: Skënderbeu dhe lufta shqiptaro-osmane në shek. 15-të I-IX, të cilat përmbajnë burime osmane, burime tregimtare euro-bizantine dhe burime kancelareske perëndimore, zgjedhur nga dhjetëra arkiva e botime, gjatë gjithë jetës së autorit, prej 13 gjuhësh të huaja, si dhe ribotimi i plotësuar i monografisë së akademik K. Frashërit Skënderbeu – jeta dhe vepra (vëll.I), u hap me shfaqjen e një materiali të shkurtër dokumentar mbi jetën dhe veprën e akademik Kristo Frashërit.


Fjalën e hapjes e mbajti akademike Floresha Dado, kryetare e Seksionit të shkencave shoqërore dhe albanologjike, e cila e quajti aktivitetin të një lloji të veçantë, sepse, citoi ajo, përballemi nga njëra anë me një përjetim në dukje “mizor”, nga ana tjetër me përjetimin e një krenarie e nderimi të veçantë. “Mizor” sepse, në një kuptim nuk na shkon mendja që historiani i shquar K. Frashëri nuk është sot këtu, midis nesh. Ligjeve të natyrës nuk u shpëton askush dhe ne e pranojmë me përulësi këtë fakt. Por e veçanta është përjetimi i krenarisë dhe nderimit për këtë figurë të shquar të shkencës albanologjike. Korpusi me dokumente prej 9 vellimesh, “Skënderbeu dhe lufta shqiptare-osmane në shek. 15-të”, bashkë me ribotimin e monografisë mbi jetën dhe veprën e Skënderbeut, që promovojmë sot, ka një vlerë dhe peshë të tillë që e zbehin mungesën fizike të tij. Njerëzit e shquar të letrave, qofshin ato shkencore apo të llojeve të tjera, kanë privilegjin e pakrahasueshëm të jenë përherësisht të pranishëm në mjediset të cilëve u përkasin. Akademik Kristo Frashëri takohet sot me kolegë, studiues, profesorë, studentë në një marrëdhënie tjetër: ai u jep, bujarisht, të gjithëve, një pasuri të jashtëzakonshme dokumentacioni mbi figurën më të madhe të historisë së kombit shqiptar. Ai i fton historianët e rinj të sotëm dhe ata që do vijnë, të futen në labirinthin e dokumenteve historike, për të thelluar aspekte të pa dokumentuara ose të pa trajtuara deri sot. Botimi i kësaj kolane ishte një premtim, një ndërmarrje themelore e Akademisë së Shkencave për vitin e Skënderbeut. Për arsye të problemeve të botimit e sjellim sot. Kjo nuk ndryshon asgjë, sepse nuk ka një vit të Skënderbeut, por çdo vit është i tij. Nuk ka botime shkencore themelore që i përkasin një date apo një viti, por botime që mbeten në historinë shkencore dhe shpirtërore të kombit tonë.


Në vazhdim të kësaj veprimtarie, përfaqësuesi i Presidencës, Z. Arben Cici i dorëzoi djalit të akademik Kristo Frashërit, prof. Gjergj Frashërit, dekoratën më të lartë “Gjergj Kastriot Skënderbeu”, pas vdekjes, akorduar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Shkëlqesia e Tij Z. Ilir Meta.


Akademik Kristo Frashëri, e nisi fjalën e tij prof. Pëllumb Xhufi, ishte i munguari i madh i veprimtarive shkencore të zhvilluara në kuadrin e Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriot Skënderbeut. Njohës e hulumtues i palodhur i jetës dhe i veprës së Heroit, Kristo Frashëri me siguri do kishte shkëlqyer në ato veprimtari, me interpretime e të dhëna të reja që do pasuronin bilancin, edhe ashtu pozitiv, të tubimeve shkencore të organizuara me atë rast. Megjithatë, Viti i Skënderbeut, që filloi pikërisht në prill 2018, ende nuk është mbyllur, e sot Akademik Kristo Frashëri na rishfaqet në mënyrën e tij më të mirë, me botimin e një kompleti origjinal që përfshin monografinë e mirënjohur mbi jetën dhe veprën e Gjergj Kastriotit, të riparë e të plotësuar, si dhe plot 9 vëllime dokumentare që e shoqërojnë atë. Ndaj botimi i tyre sot është një shlyerje borxhi që shteti i ka jo thjesht Kristo Frashërit, por historisë sonë kombëtare e posaçërisht figurës së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut që Akademiku e konsideronte edhe yllin polar të saj. Realizimin e këtij projekti madhor në një kohë të shpejtë ia detyrojmë Akademisë së Shkencave, që e radhiti atë ndër prioritetet e veta në kuadrin e Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriot Skënderbeut. Studjuesit e studentët e historisë kanë sot një arsye madhore për t’i qenë mirënjohës Akademik Kristo Frashërit. Me botimin 10-vëllimësh të monografisë e të dokumentacionit përkatës mbi Gjergj Kastriot Skënderbeun, ata kanë në dorë një mjet të domosdoshëm pune e njëherësh, një udhërrëfyes metodik, për t’iu qasur me akribi shkencore studimeve skënderbejane.


Në fund të veprimtarisë, i biri i akad. Kristo Frashërit, prof. Gjergj Frashëri ndau me studiuesit, bashkëpunëtorët e të pranishmit, kujtime të jetës, veprimtarisë, studimeve, punës së palodhur prej një studiuesi skrupuloz si dhe pengun e tij, që, edhe i jati i tij të shihte të botuar së pari Historinë e Shqipërisë, e më pas, edhe botime të tjera të tij, ndërkohë që i biri ishte cilësuar e vlerësuar tashmë si historian e shkencëtar edhe nga qarqet akademike shqiptare. Një njeriu të tillë të punës, thotë prof. Gjergji, nuk i mjafton jeta për të realizuar të gjithë atë që ka ëndërruar e dashur, e për këtë, edhe në ditët e fundit të jetës së tij, në moshën 96-vjeçare, ai pyeste vazhdimisht, si një fëmijë naiv, nëse e kishte plotësuar disi detyrën për të ndriçuar historinë e vendit dhe të shqiptarëve anembanë. Më takoi mua për t’i thënë, thotë ai, se ai u rrit si një historian kombëtar dhe u fik si një njeri shembullor me detyrën e kryer ndaj atdheut. Arkivi i Kristo Frashërit ka ende thesare, të cilat presin dritën e botimit.


Akademike Floresha Dado, në përfundim të kësaj veprimtarie, premtoi angazhimin e vazhdueshëm të Akademisë së Shkencave, që materialet studimore, të cilat presin akoma dritën e botimit në arkivin e tij personal, nuk do të lihen në harresë. Gjithashtu, ajo njoftoi edhe përfshirjen e personalitetit e akademikut Kristo Krashërit, në “Librin e Artë të Meritës”, të Akademisë së Shkencave, i cili, do të plotësohet në vazhdim edhe me studiues e emra po kaq të nderuar të albanologjisë.