Qendra e Studimit të Arteve zhvilloi veprimtarinë me temën “Dëshmi për brezat që do të vijnë, krijimi i arkivit të emigracionit shqiptar në Greqi”
Qendra e Studimit të Arteve (QSA), pjesë e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, zhvilloi sot më 30 prill 2025 një bisedë të hapur me koordinatoren e Arkivit të Emigracionit Shqiptar në Greqi, Ilirida Musaraj.
Veprimtaria me temën “Dëshmi për brezat që do të vijnë, krijimi i arkivit të emigracionit shqiptar në Greqi” u çel nga dr. Anxhela Çikopano. Ajo vlerësoi rolin dhe ndikimin e projektit pilot “Arkivi i Emigracionit Shqiptar në Greqi” të ndërmarrë nga Arkivi i Historisë Sociale Bashkëkohore (ASKI) në Athinë, me mbështetjen e nismës për shkencat humane publike të Fondacionit Stavros Niarchos (SNFPHI) në Universitetin Columbia. Ky projekt shërbeu si një eksperiment në ndërtimin e arkivave bashkëkohore të emigracionit në Greqi.
Dr. Çikopano theksoi se synimi i kësaj veprimtarie është që të pasqyrojë burimet ekzistuese të emigracionit shqiptar drejt Greqisë, shpesh të anashkaluar.
Biseda me Ilirida Musaraj u drejtua nga studiuesja e QSA-së dr. Jonida Gashi.
Musaraj fillimisht foli për punën që është bërë e po bëhet gjatë procesit të ndërtimit të arkivit të Emigracionit Shqiptar në Greqi. Ajo paraqiti pjesë nga historia e këtij emigracioni përmes një koleksioni të pasur dëshmish; dokumente, fotografi dhe materiale personale. Ndërkohë bashkëbisedimi u zhvillua lidhur me temat që përfshin ky arkiv mbi emigrimin shqiptar drejt Greqisë dhe përvojës së saj rreth emigracionit shqiptar në Greqi, si përjetimet e ndarjeve me familjet, vështirësitë ekonomike dhe ëndrrat për një jetë më të mirë.
Përmes kësaj veprimtarie dolën në pah të dhëna të rëndësishme, që lidhen me emigracionin, duke pasur në fokus krijimin e identitetit të brezit të dytë të emigrantëve shqiptarë që u lindën dhe u rritën në Greqi.