Nis punimet treditore Kongresi i Parë Ndërkombëtar i Shkencave të Shëndetit në Tiranë
Kongresi i parë Ndërkombëtar i Shkencave të Shëndetit nisi ditën e parë të punimeve sot, më 2 maj 2025, në Tirana Intenational Hotel.
Gjatë tre ditëve të zhvillimit të këtij kongresi mbi 600 ekspertë të njohur kombëtarë dhe ndërkombëtarë dhe profesionistë të fushës së shëndetit do të paraqesin punimet shkencore për zhvillimet më të fundit në fushën e shkencave mjekësore, si dhe mundësitë për avancimin e kërkimit shkencor dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.
Kongresi u organizua nga Universiteti i Mjekësisë me mbështetjen e institucioneve akademike dhe profesionale nga Shqipëria dhe vende të tjera.
Në hapje të ceremonisë mbajtën fjalë përshëndetëse prof. Xheladin Draçini, rektori i Universitetit të Mjekësisë, Tiranë; prof. Carmelo Rizzo, ekspert në fushën e nutricionit dhe në fushën e sëmundjeve alergjike; akad. Skënder Gjinushi, kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë; znj. Albana Koçiu, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe znj. Ogerta Manastirliu, ministrja e Arsimit dhe Sportit.
Më poshtë:
Fjala përshëndetëse e plotë nga Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë:
                                                                                                          ***
I nderuar z. Rektor,
Të nderuara zonja ministre e Shëndetësisë, znj. Koçiu dhe e Arsimit znj. Manastirliu,
Të nderuar kolegë dhe miq,
Të nderuar organizatorë dhe pjesëmarrës,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve akademike, kërkimore dhe shëndetësore nga vendi dhe jashtë,
Kam kënaqësinë dhe nderin e veçantë që, në emër të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, të përshëndes hapjen e këtij Kongresi të Parë Ndërkombëtar të Mjekësisë, një ngjarje madhore për komunitetin shkencor dhe mjekësor shqiptar.
Lidhja midis Akademisë së Shkencave dhe Fakultetit të Mjekësisë është një lidhje historike dhe e thellë. Që nga themelimi i Akademisë, disa prej figurave më të ndritura të mjekësisë shqiptare kanë qenë anëtarë të saj, duke kontribuuar në ndërtimin e themeleve të një shkence mjekësore kombëtare. Ky bashkëpunim ka shërbyer ndër vite si urë ndërlidhëse ndërmjet kërkimit shkencor dhe praktikës mjekësore.
Është për t’u përshëndetur iniciativa e organizimit të këtij kongresi të parë ndërkombëtar të shkencave të shëndetit me pjesëmarrjen e specialistëve nga tërë institucionet e vendit, Shqipëri e Kosovë e të partnerëve të tyre të huaj, pasi veprimtari të tilla shërbejnë realisht si tribuna të debatit shkencor e të shkëmbimit të përvojave midis homologeve mbi prirjet e të rejat e shkencës.
Me ritmet që ka zhvillimi shkencor, e veçanërisht ai teknologjik, është jetike për çdo specialist të lartë, aq më shumë për çdo mjek, që të ndjekë ritmet e këtij zhvillimi për të mundësuar që, nga terapitë, protokollet e teknikat e reja të përfitojnë edhe pacientët këtu në Shqipëri.
Iu takon komunitetit të specialistëve e institucioneve të interesuara si universiteti juaj e Akademisë së Shkencave, që të nxisin edhe administratën shtetërore e politikëbërësit për t’i dhënë rëndësinë e duhur futjes së të rejave shkencore e njohjes me to, jo vetëm në ciklet kryesore të arsimit universitar e postuniversitar, por edhe në radhët e ushtruesve të specialitetit përkatës, për t’u kuptuar e zbatuar gjithnjë e më mirë fakti se sistemi shëndetësor nuk përmirësohet vetëm me masa administrative, investime infrastrukturore e logjistike etj., pa u shoqëruar me zhvillimin e zgjerimin e kërkimit e të studimeve shkencore. Në rast se në disiplinat e tjera kjo është e nevojshme, në mjekësinë e sotme është e domosdoshme.
Është kjo arsyeja që ne si Akademi e Shkencave e shohim të domosdoshëm bashkëpunimin me shkollat e larta e Universitetin e Mjekësisë, si dhe me tërë komunitetin arsimor e shkencor në vend, për të reformuar sistemin tonë të kërkimit shkencor, me synim afrimin me nivelin e standardet europiane.
Në mënyrë deklarative është e gjithëpranuar se investimet në shkencë e arsim janë më fitimprurëset në afatgjatë. Mirëpo këtë, deri dje e thoshin të gjithë, e kuptonin disa madje dhe e zbatonin pak. Zhvillimet më të fundit të inteligjencës artificiale, kontributi i shkencave të shëndetit në përballimin e pandemisë COVID-19, pavarësisht nga teoritë konspirative e antishkencë që vazhdojnë të propagandohen edhe sot, edhe në mediet tona, kanë bërë që tashmë të gjithë të kuptojnë konkretisht se investimi në shkencë e arsim ka efekte të menjëhershme; të kuptojnë se sot nuk mund të përballohet asnjë konkurrencë në çdo fushë pa teknologjitë e reja.
Bashkimi Europian deklaron hapur se sfida kryesore e këtij bashkimi në rang botëror është konkurrenca me kontinentet e rajonet e tjera në fushën e shkencës, në shkallën e shtrirjes së inteligjencës artificiale.
Pra, ne ndodhemi në një moment kur shkenca është vënë në plan të parë në Europë, e ndërkohë, investimi për të te ne është më i ulëti në raport me sektorët e tjerë.
Përvoja jonë e deritanishme na tregon se inteligjenca shqiptare me gjithë problemet e traumat e mirënjohura i ka mbijetuar tranzicionit, se Shqipëria i ka kapacitetet intelektuale për ndjekjen e ritmeve të zhvillimit të shkencave në tërësi, këtë e dëshmon edhe niveli profesional i trupës mjekësore në tërësi e niveli i formimit të mjekëve të rinj në Universitetin e Mjekësisë, por ky potencial duhet mbështetur, duke i krijuar kushtet për përfshirjen sa më të gjerë në kërkimin shkencor.
Kjo është dhe masa më efektive për ndalimin e ikjes së trurit, apo për minimizimin e efekteve të tij, duke afruar kolegët tanë që punojnë jashtë të kontribuojnë në distancë, siç dëshmon dhe pjesëmarrja e disa prej tyre në këtë kongres.
Këtij qëllimi i shërben edhe reforma e ndërmarrë katër vitet e fundit nga Akademia e Shkencave, duke synuar ngritjen e qendrave të reja të kërkimit e fuqizimin e atyre ekzistuese.
Në këtë kuadër, një nga zhvillimet më të rëndësishme në fushën e shëndetit ka qenë krijimi i Komisionit të mjekësisë pranë Akademisë dhe më pas ngritja e Qendrës Kërkimore të Bioteknologjisë dhe Gjenetikës, e cila është vendosur pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” e me një vendim të posaçëm të Këshillit të Ministrave, në maj 2024, mori statusin e një Qendre të Përhershme Kërkimore.
Hapat e parë të kësaj Qendre kanë qenë të lidhur ngushtësisht me studimin e përgjigjes imunitare të popullatës shqiptare ndaj COVID-19.
Sot, kjo Qendër është e angazhuar në një sërë projektesh kërkimore me rëndësi kombëtare dhe ndërkombëtare, ndër të cilat dallohen ato që trajtojnë studimin gjenetik të popullatës shqiptare dhe identifikimin e markuesve gjenetikë të lidhur me sëmundje të ndryshme.
Këto projekte nuk mbeten vetëm në sferën e kërkimit shkencor teorik. Një shembull i qartë është projekti për sëmundjet autoimune të sistemit nervor, në kuadrin e të cilit janë aplikuar shtatë ekzaminime të reja laboratorike.
Qendra Kërkimore e Bioteknologjisë dhe Gjenetikës përfaqëson sot një model të suksesshëm të bashkëpunimit ndërinstitucional e të integrimit të kërkimit me praktikën klinike dhe formimin profesional.
Ky integrim është institucionalizuar përmes marrëveshjeve të posaçme trepalëshe, ndërmjet Akademisë së Shkencave, Universitetit të Mjekësisë dhe Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, duke vendosur themelet për një bashkëpunim të qëndrueshëm dhe me perspektivë.
Në të ardhmen synimi ynë është që ky bashkëpunim të zgjerohet më tej, sidomos në formimin dhe përgatitjen shkencore të brezit të ri të studiuesve dhe profesionistëve të fushës së bioteknologjisë dhe mjekësisë moderne, duke e bërë Shqipërinë një pikë referimi për kërkimin në rajon.
Të nderuar pjesëmarrës, duke ju uruar punime të mbara, shpresoj që ky Kongres të jetë një platformë e denjë për të paraqitur arritjet e shkencës mjekësore shqiptare dhe të vendosë gurët e parë të themelit për një zhvillim të qëndrueshëm dhe të avancuar të kërkimit shkencor në fushën e shëndetit.
Ju faleminderit për vëmendjen, suksese në punimet e Kongresit, dhe ju ftojmë që Kongresin e radhës ta mbajmë në Akademinë e Shkencave!