BBeci

Bahri BECI

Fusha: Gjuhësi

Bahri BECI (1936-2023). Gjuhëtar, doktor, profesor, akademik. Lindi në Shkodër. Studimet fillore dhe të mesme i kreu në qytetin e Shkodrës. Studimet e larta i kreu në Universitetin e Tiranës (1954-1958) në fushën e gjuhës dhe të letërsisë shqipe, kurse studimet pasuniversitare në Tiranë dhe Paris. Nga viti 1958 deri në vitin 1997, ka punuar në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë si punonjës shkencor. Gjatë viteve 1966-1969 punon në Shkodër si mësues dhe pedagog në Universitetin e Shkodrës. Nga viti 1975 deri në vitin 1977 ka kryer studimet pasuniversitare në Paris. Më 1997, ka qenë pedagog i shqipes në Institutin Kombëtar të Gjuhëve dhe Qytetërimeve Lindore të Parisit (INALCO). Më 1977 ka mbrojtur në Universitetin e Surbojnë të Parisit doktoratën dhe ka marrë gradën shkencore “Doktor i Universitetit të Parisit” me vlerësimin “shkëlqyeshëm”. Më 1979 ka marrë gradën shkencore “Kandidat i shkencave” dhe titullin “Bashkëpunëtor i vjetër shkencor”, kurse më 1984 dhe 1994 respektivisht gradat shkencore “Doktor i shkencave” dhe titullin “Drejtues kërkimesh” ose “Profesor”. Më 2008 ka fituar titullin “Akademik”. Më 2016 është zgjedhur anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Është bashkautor në “Atlasin dialektologjik të gjuhës shqipe” dhe në “Atlasi gjuhësor evropian”. Veprimtaria e tij shkencore është shtjelluar më shumë se një gjysmë shekulli në fushën e dialektologjisë, të fonetikës, të gramatikës, të gjuhës letrare, të historisë së gjuhës, të marrëdhënieve të shqipes me gjuhët ballkanike si edhe të gjuhësisë së zbatuar. Në fushën e dialektologjisë ka bërë studime monografike për të folmet e gegërishtes, po edhe studime përgjithësuese për strukturën dialektore të gegërishtes në veçanti dhe të shqipes në përgjithësi.

Duke u mbeshtetur edhe në të dhënat e ADGJSH ka propozuar një ndarje të re të strukturës dialektore të shqipes në krahina dialektore, zona dhe rajone dialektore. Autor studimesh monografike për të folmet e gegërishtes, me të dhëna që vërtetojnë vjetërsinë e dy dialekteve të shqipes, duke propozuar një ndarje të re të strukturës dialektore të saj në krahina dialektore, zona dhe rajone dialektore. Ka studiuar me metoda moderne të fonetikës eksperimentale sistemin fonetik të shqipes. Autor studimesh për një rol përcaktues të shqipes në formimin e bashkësisë gjuhësore ballkanike. Është autor i më shumë se 150 artikujve studimorë të botuar në revista e përmbledhje studimesh, brenda e jashtë vendit. Me veprimtari universitare në disa vende të rajonit dhe Europës. Pjesëmarrës në ekspedita gjuhësore, veçmas për “Atlasin dialektologjik të shqipes” dhe “Atlasin evropian”. Ka qenë ekspert ndërkombëtar pranë UNICEF-it për gjuhën amtare në shkollë. Ka qenë shef i Sektorit të Gramatikës dhe Historisë së Gjuhës Shqipe (1991-1993), sekretar shkencor (1974-1975) dhe drejtor i këtij Instituti (1993-1997); anëtar i Këshillit drejtues të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (1993-1997); nënkryetar i Komitetit Kombëtar të Shoqatës Ndërkombëtare të Studimeve të Evropës Juglindore (AIESSE, 1993-1997) dhe koordinator i Shqipërisë në projektin evropian për inxhinierinë e gjuhës (TELRI, 1993-1997), anëtar i Këshillit të Politikës Shkencore dhe të Zhvillimit Teknologjik pranë Këshillit të Ministrave (1995-1997), anëtar i asamblesë së përgjithshme të Qendrës së Studimeve Ballkanike të Parisit dhe anëtar i redaksisë së revistës shkencore “Hylli i Dritës”. Ka qenë drejtor i “Seminarit XVII Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare” (Tiranë, 1995), si edhe i Seminarit të XVIII (Tiranë, 1996). Ka marrë nga Kuvendi Popullor medaljen “Naim Frashëri” (1973), urdhrin “Naim Frashëri” (1986), dhe titullin “Për merita të veçanta civile” (2016). Biografia e tij shkencore është përfshirë më 1998 në “Who’s Who in the World”, USA, më 2008 në “Fjalorin enciklopedik shqiptar” dhe më 2010 në “Historical Dictionary of Albania”. Veprat kryesore: Atlasi dialektologjik i gjuhës shqipe, vëll. I, II (2007 – 2008); Atlasi gjuhësor evropian, vëll. I (1975-2007); Të folmet veriperëndimore të gjuhës shqipe dhe sistemi fonetik i së folmes së Shkodrës (Tiranë, 1995); Gramatika e gjuhës shqipe, për mësuesit e gjuhës shqipe, Tiranë (1997), Prishtinë (1998); Gramatika e gjuhës shqipe për të gjithë, (Shkodër, 2000; Prishtinë, 2001; Shkup, 2004; Tiranë, 2004); Probleme të politikës gjuhësore dhe të planifikimit gjuhësor në Shqipëri (Pejë, 2000); Dialektet e shqipes dhe historia e formimit të tyre (Tiranë, 2002); Probleme të lidhjeve të shqipes me gjuhët e tjera ballkanike (Pejë, 2002); Fonetika e gjuhës shqipe (Tiranë, 2004, Prishtinë 2004); Gegërishtja qendrore dhe grupimi i të folmeve të saj (Tiranë, 2007); Historia e standardizimit të shqipes (Tiranë, 2010) Struktura dialektore e shqipes (Tiranë, 2016); Historia e formimit të strukturës dialektore të shqipes, (Tiranë, 2019); L’union linguistique balkanique a la lumi erë desh données de la langue albanaise (Tiranë, 2020); Bashkësia gjuhësore ballkanike në dritën e tëdhënave të gjuhës shqipe – Roli i shqipes ose i parashqipes në formimin e bashkësisë gjuhësore ballkanike (Tiranë, 2022); Një libër që nuk do të doja ta shkruaja (Tiranë, 2013); “Homo ideologicus” në shkencën shqiptare (Tiranë, 2015); Përjetime (1936-2021) – (Tiranë, 2021); Të mësojmë shpejt gjuhën shqipe (metodë për mësimin e shqipes nga të huajt, me bashkautor), e botuar dhe ribotuar në gjuhët anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht etj.; Seri të plota të librave të gjuhës shqipe për shkollat nëntëvjeçare (klasat I-IX) në Shqipëri (1970-2004 me bashkautorë) dhe 2004-2022 në Shqipëri, Kosovë (2004-2020) dhe në Mal të Zi (2004-2020), autor.