Selaudin BEKTESHI
Fusha: Mjekësi
Selaudin BEKTESHI (1917–2003). Mjek pediatër, profesor, akademik. Lindi në Shkodër, ku kreu dhe Kolegjën saveriane (shih). Ndoqi studimet e larta dhe u specializua për pediatri në Torino (1937–1944). Mori pjesë në Luftën ANÇ duke shërbyer si mjek në Divizionin V S të UNÇSh. Qe përgjegjës i sektorit të Mbrojtjes së shëndetit të nënës dhe fëmijës në Ministrinë e Shëndetësisë (1945–1948), përgjegjës i pavijonit të Pediatrisë në Spitalin Civil të Tiranës (1948–1960), drejtor i Spitalit të Pediatrisë në Tiranë (1960–1969). Ndërkohë qe përgjegjës i klinikës universitare të Pediatrisë (1956) dhe përgjegjës i katedrës së Pediatrisë në Fakultetin e Mjekësisë të UT (1959–1988). S.B. është themeluesi i hematologjisë pediatrike në Shqipëri. Botoi monografitë “Puerikultura” (1948), “Probleme të demografisë në Shqipëri” (1960), “Fruthi në Shqipëri” (1974) si dhe tekstin “Pediatria” (1974, dy vëllime). Ka marrë “Çmimin e Republikës” të shkallës së parë.