Zhvillohet konferenca ndërkombëtare “Horizonti AI - një epokë e re kreativiteti dhe inovacioni”

 
Më 8 nëntor 2024, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Seksioni i Shkencave Natyrore dhe Teknike dhe Njësia e inteligjencës artificiale pranë kësaj akademie zhvilluan konferencën ndërkombëtare me temën “Horizonti AI – një epokë e re kreativiteti dhe inovacioni”.
Veprimtaria u çel në Tirana Marriott Hotel me praninë fizike dhe online të rreth 80 akademikëve, studiuesve dhe shkencëtarëve të njohur që janë përkushtuar në avancimin e fushës së inteligjencës artificiale nga Shqipëria, Finlanda, Mbretëria e Bashkuar, Italia, Franca, Greqia, Kosova, Maqedonia e Veriut, Turqia, etj.
Seanca plenare u hap nga prof. dr. Kozeta Sevrani, e cila iu uroi të pranishmëve mirëseardhjen në emër të Akademisë së Shkencave.
Ajo foli për qëllimin e konferencës, që është të inkurajojë dialogun dhe të ndërtojmë rrjete që do të nxisin progres dhe inovacion në fushën e AI, duke eksploruar dhe shfrytëzuar të gjitha potencialet e AI, por dhe të gjitha ato sfida lokale e globale që mbart me vete kjo risi teknologjike. AI mund të jetë një mjet për kreativitetin, inovacionin dhe zgjidhjen e problemeve komplekse, cilado qofshin fushat e aplikimit të saj.
Në fund të fjalës së saj, ajo falënderoi në mënyrë të veçantë Kryetarin e ASHSH, akad. Skënder Gjinushin, për ideimin, mbështetjen dhe interesimin e vazhdueshëm në krijimin e Njësisë së IA, por edhe për mbarëvajtjen e kësaj konference, si dhe bashkëpunëtorët e konferencës. Gjithashtu prof. dr. Sevrani përshëndeti grupin organizator: akad. Neki Frashërin e akad. Arian Durrësin, prof. dr. Betim Çiçon, prof. dr. Elinda Kajon, etj.
Kryetari i ASHSH, akad. Skënder Gjinushi përshëndeti pjesëmarrësit dhe foli për rëndësinë e kësaj konference. Ai theksoi se “Qëllimi i Akademisë së Shkencave e misioni i saj është nxitja e mbështetja e kërkimit shkencor, jo në bashkëpunim, por së bashku me Institucionet e Arsimit të Lartë e të gjitha institucionet e kërkimit shkencor.
“Njësitë e ngritura pranë Akademisë së Shkencave e komisionet e përhershme, siç janë edhe Njësia e Inteligjencës artificiale dhe komisioni i matematikë-informatikës janë në shumicë dërrmuese, në përbërje, me profesorë, doktorë shkencash, punonjës shkencorë të shollave të larta. Të gjitha projektet e ndërmarra nga ASH e njësitë e saj ideohen e kryhen së bashku.”- tha akad. Gjinushi.
Akad. Gjinushi foli edhe për objektivin kryesor të ligjit për shkencën. Ai tha se “Ligji i ri synon të vendosë një dialog qeveri-shkencë, për të rritur interesin për shkencën, gjë që nuk është shprehur siç duhet, megjithatë shpresojmë të shërbejë si një hap para.”.
Konferencën e përshëndetën znj. Elsa Dhuli, drejtore e përgjithshme e Institutit të Statistikave të Shqipërisë (INSTAT); Enio Kaso, drejtor për Inteligjencën Artificiale pranë agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) dhe rektori i UBT-së, Kosovë, prof. dr. Edmond Hajrizi. Ata shprehën falënderimet për bashkëpunimin e vazhdueshëm me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë dhe vunë theksin në domosdoshmërinë e bashkëpunimit për të avancuar zhvillimin e teknologjive të inteligjencës artificiale.
Seanca e parë e konferencës u drejtua nga akad. Arjan Durrësi, akad. Neki Frashëri.
Në ditën e parë të kësaj konference u paraqitën 40 punime shkencore, ku u trajtuan çështje të tilla, si vështrimi matematikor mbi inteligjencën artificiale, përmirësimi i një sistemi të menaxhimit të mësimit (LMS) me personalizimin e drejtuar nga AI-ja; kërkimi shumëvjeçar i dizajnit të veprimit mbi zhvillimin e platformës me kod të ulët, duke përdorur gjuhë specifike për domenin; hulumtimet më të fundit mbi AI-në në Ballkanin Perëndimor; zhvillimet aktuale të sistemit bazuar në AI në Ubt Smart City, etj.
Veprimtaria vijon edhe sot, më 9 nëntor 2024, gjatë gjithë ditës.