Workshopi “Alpet, një pasuri madhështore monumentale e natyrës”, me mbështetjen dhe bashkëorganizimin e SShNT të AShSh dhe Ambasadës së Austrisë, bashkësitë e studiuesve të Alpeve Austriake dhe ato Shqiptare shpalosën eksperiencat e tyre dhe perspektivat për të ardhmen. Qëllimi i kësaj veprimtarie ishte vlerësimi i pasurive të mrekullueshme natyrore të Alpeve Austriake dhe Shqiptare dhe si objektiv nxitjen e Turizmit Malor në Shqipëri, kryesisht për Alpet Shqiptare, gjë që do të realizohet nëpërmjet një bashkëpunimi ndërmjet Bashkësisë së Studimeve të Alpeve Shqiptare dhe asaj të Alpeve Austriake.

Në takim morën pjesë drejtues e studiues nga universitetet dhe institucionet shkencore; politikëbërës nga Parlamenti i Shqipërisë, vendimmarrës, kryetari i Komunës së Malësisë së Madhe, Z. T. Morina; Ambasadori i Austrisë SH.T. Dr. J. Sattler, Ambasadori i Sllovakisë Sh.T. Z. M. Ciganik, përfaqësues të Ambasadës së Algjerisë në Tiranë, operatorë turistikë dhe amatorë të Alpeve Shqiptare dhe atyre Austriake. Fjalën e hapjes së këtij takimi e mbajti Kryetari i Seksionit të Shkencave Natyrore dhe Teknike, Akad. S. Bushati, i cili në referimin e tij theksoi se nuk është e rastit që ky takim zhvillohet në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, jo vetëm për nga rëndësia e këtij bashkëpunimi, por edhe në respekt të institucionit, që ka realizuar historikisht disa veprimtari në bashkëpunim me Austrinë, vendit ku u formuan mjaft intelektualë shqiptarë, një pjesë e të cilëve dhanë kontribute të çmuara në formimin dhe veprimtarinë e Akademisë dhe në zhvillimin e vendit. Ai theksoi rëndësinë që paraqesin studimet e Alpeve në përgjithësi e ato shqiptare në veçanti. Ai vlerësoi pasuritë e mrekullueshme të zonave malore të Alpeve Shqiptare; pasuritë natyrore të veçanta dhe mbi të gjitha traditat e shkëlqyera të trashëgimisë popullore të banorëve që mbartin këto zona, ku turizmi që sapo ka filluar të zhvillohet, duhet të jetë një nga objektivat kryesore të zhvillimit të qëndrueshëm, me vlera lokale por edhe rajonale. Gjithashtu, Akad. Bushati theksoi nevojën e bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe Austrisë për arritjen e objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm turistik, të domosdoshëm për treguesit optimalë si infrastrukturën, ndërgjegjësimin e popullatës për përfitimet që sjell turizmi, etj. Ambasadori i Austrisë në Shqipëri Sh.T. Dr. J. Sattler në fjalën e tij tha: “Ruajtja dhe mbrojtja në njërën anë, si dhe përfitimet prej këtij potenciali në anën tjetër kërkojnë ekspertizë dhe kompetencë. Në qoftë se projektet në vazhdimësi zhvillohen me zgjuarsi, atëherë synimet e caktuara nuk kanë pse të jenë kontradiktore. Malet shqiptare mund të jenë dhe tashmë janë një motor për turizmin e qëndrueshëm”. Në vazhdim, ai vlerësoi veprimtarinë e Shoqatës Austriake Alpine me mbi 150 vjet eksperiencë dhe më tepër se 500 mijë anëtarë dhe rëndësinë e punës vullnetare si shtylla kurrizore e zhvillimit të qëndrueshëm në Alpet Austriake. I pranishëm në këtë takim Sh. T. Z. M. Ciganik, Ambasadori i Republikës Sllovake në Tiranë, vlerësoi nismën e bashkëpunimit ndërmjet Austrisë dhe Shqipërisë për zhvillimin e veprimtarive në zonën e Alpeve. Nxitja e turizmit malor është e lidhur ngushtë me përmirësimin e jetës së komunitetit të zonave malore. Në referimin e mbajtur nga Prof. Dr K. Onuzi u theksuan disa nga hapat që duhen ndërmarrë në mënyrë që turizmi malor të jetë sa më cilësor. Ndër to më të rëndësishëm konsiderohen përgatitja e hartave turistike cilësore dhe vënia e tyre në dispozicion të institucioneve turistike brenda dhe jashtë vendit; publikime sa më të shumta, të sakta dhe cilësore mbi potencialet natyrore në rajonet malore të Shqipërisë. Në këto publikime duhet dhënë realiteti siç është në këto zona malore në mënyrë që studiuesi apo turisti shqiptar dhe i huaj ta ketë të qartë situatën aktuale. Një punë e madhe duhet t’i kushtohet ruajtjes së mjedisit, si dhe ngritjes së infrastrukturës së përshtatshme, nëpërmjet ndërtimit të hoteleve të stilit alpin dhe përshtatjes së shtëpive tradicionale për akomodimin e turistëve të huaj dhe vendas. Një hap i rëndësishëm është dhe promovimi i produkteve ushqimore dhe i traditave kulturore të zonës. Në referimin e tij, z. B. Stummer, përfaqësues i Bashkësisë së Studiuesve të Alpeve Austriake paraqiti një historik të shkurtër mbi zhvillimin e turizmit malor në Alpet Austriake duke vënë theksin në ruajtjen e traditave të zonave dhe zhvillimin ekologjik të turizmit malor. Ai theksoi domosdoshmërinë e organizimit dhe funksionimit të shoqatave të ndryshme të turizmit malor që kanë si synim “për të përmirësuar njohuritë mbi Alpet, për të promovuar dashurinë për ta dhe për të nxitur zhvillimin e tyre të turizmit”. Në takim referoi edhe z. C. Schreiter, kryetari i Bashkësisë së Studiuesve të Alpeve Austriake. Ai theksoi rëndësinë e rregullimit me ligj të çështjeve që lidhen me turizmin malor si dhe domosdoshmërinë e vullnetarizmit në mirëmbajtjen dhe shenjëzimin e shtigjeve malore. Ky proces i bazuar në vullnetarizmin e anëtarëve të OAV (Österreichischer Alpenverein) bën të mundur rritjen e sigurisë dhe uljen e kostove të kërkimit dhe shpëtimit të të rrezikuarve.

Me qëllim realizimin e projekteve të përbashkëta, që synojnë studimin, evidentimin, pasqyrimin dhe promovimin e potencialeve natyrore të Alpeve Shqiptare në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe vënien e këtyre potencialeve në dobi të komunitetit dhe zhvillimit të turizmit malor, u lidh dhe një Marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet bashkësive shqiptare dhe austriake, e përfaqësuar nga kryetarët e Shoqatave, z. C. Schreiter për palën austriake dhe Prof. Dr K. Onuzi për palën shqiptare.