U zhvilluan takimet e anëtarëve të redaksisë vendore e redaktorëve përgjegjës për projektin madhor “Enciklopedia shqiptare”
Më 17 mars 2025 u zhvilluan dy takime me anëtarët e redaksisë vendore e redaktorët përgjegjës për projektin madhor “Enciklopedia shqiptare” të Qendrës së Studimeve Enciklopedike dhe Albanologjike, pjesë e ASHSH-së.

Mbledhja e parë u drejtua nga kryeredaktori i “Enciklopedisë shqiptare” akad. Skënder Gjinushi, kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, dhe drejtori i Botimeve Enciklopedike dhe Albanologjike dr. Arian Leka.
Morën pjesë redaktorët përgjegjës të redaksisë vendore të fushave: arsimimi, trashëgimia kulturore; artet skenike pamore dhe multimediale; ngulimet historike dhe diaspora; religjionet; komunikimi. Këto fusha u përfaqësuan përkatësisht nga akad. Shaban Sinani, drejtuesi i redaksisë vendore dhe përgjegjës i seksionit për Enciklopedinë shqiptare; prof. dr. Josif Papagjoni; Naim Zoto; prof. dr. Afërdita Onuzi, dr. Geron Kamberi, prof. asoc. dr. Albert Nikolla.
Kryeredaktori i “Enciklopedisë shqiptare”, akad. Gjinushi, falënderoi redaktorët përgjegjës dhe vlerësoi punën e bërë nga anëtarët e redaksisë vendore për koordinimin me redaksitë, duke theksuar se me fjalësin e njësuar të të gjitha fushave, kemi një panoramë më të plotë mbi lëndën enciklopedike. Ai tha se fjalësi është njësuar dhe pas përfundimit të punës, raportet e përfaqësimit midis trashëgimisë në Shqipëri, Kosovë e në pjesë të tjera të hapësirës historike-kulturore shqiptare janë respektuar. Në vëmendje për këto redaksi duhet mbajttur edhe çështja e karakterit formal e teknik, që disa nga njësitë themelore të shkruhen në rend të drejtë dhe të shmangen përfundimisht mbivendosjet. Tashmë puna në vijim mbetet tek mënyra e kategorizimit dhe e paraqitjes së artikujve në “Enciklopedinë shqiptare”. Akad. Gjinushi theksoi se qëllimi i këtij takimi është parapërgatitja për mbledhjes mes redaksive vendore Shqipëri-Kosovë, që do të mbahet më 25-26 mars 2025, në Vërmicë (Prizren).

Redaktorët e fushave diskutuan për prekjen e disa zërave, të cilat janë hequr me konsensus me redaksitë përgjegjëse të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut dhe për koordinimin e tyre. U diskutua gjithashtu edhe veçimi i zërave sipas rëndësisë, si dhe ruajta e kritereve të njëjta e të barazlarguara në listat e përfshirjes së personaliteteve në ESH.
Pas përfundimit të takimit me redaksitë e fushave të sipërmendura u zhvillua takimi me anëtarët e redaksisë vendore e redaktorët përgjegjës të fushave: energjitë dhe energjetika; industritë dhe teknologjitë, ku ishin të pranishëm redaktorët përgjegjës, përkatësisht prof. dr. Aleksandër Xhuvani, akad. Rajmonda Buhaljoti dhe prof.dr. Andrea Maliqari.
Akad. Buhaljoti raportoi se është koordinuar me redaksitë e Kosovës e Maqedonisë për veçimin e zërave, harmonizimin e fjalësit të bashkuar. Ajo tha se puna me zërat ka përfunduar dhe është plotësuar lista e personaliteteve sipas kritereve të dakordësuara, duke këshilluar Udhëzuesin praktik.

Gjithashtu dr. Aleksandër Xhuvani dhe prof. dr. Andrea Maliqari raportuan për përfundimin e punës me artikujt, respektimin e caqeve të njësive enciklopedike, riadresimet e fundit lidhur me emërtimet që nuk i takojnë redaksisë, por shkojnë te fusha dominante, spikatjen më të madhe të disa personaliteteve me kontribute të rëndësishëm mësimdhënien universitare, të cilët kanë rol në fushat e energjetikës e teknologjisë, duke i vlerësuar ata brenda kriterit, por edhe në mbështetje të cilësive të veçanta profesionale e shkencore, si themelues katedrash, hartues tekstesh etj.
Në përfundim të takimeve, kryeredaktori akad. Gjinushi dha disa rekomandime të nevojshme për punën e mëtejshme me konceptimin e fjalësit të përbashkët, të njësuar e të stabilizuar, si dhe plotësimin me argumente mbështetëse për disa nga artikujt e propozuar, për të cilët njohja është ende e kufizuar.