U zhvillua workshop-i “Inovacion në mësimdhënien e matematikës”
Veprimtaria u mbajt më 24 maj 2025 nga Seksioni i Shkencave Natyrore dhe Teknike dhe Instituti Kombëtar i Matematikës, pjesë e Akademisë së Shkencave, në bashkëpunim me Departamentin e Matematikës, FSHN, Universiteti i Tiranës.
Në këtë workshop morën pjesë fizikisht dhe online matematikanë nga universitete dhe institucione shkencore shqiptare, profesorë, mësues, studentë.
Veprimtarinë e hapi prof. dr. Fatmir Hoxha, anëtar i bordit të Instituti Kombëtar të Matematikës (IKM), i cili kërkoi të mbahej 1 minutë heshtje për humbjen e jetës të prof. dr. Kostaq Hila, dekan i FIMIF, Universiteti Politeknik i Tiranës dhe anëtar i IKM-së.

Akad. Neki Frashëri, Kryetar i Seksionit të Shkencave Natyrore dhe Teknike përshëndeti në emër të Kryesisë së Akademisë.
Prof. dr. Eglantina Kalluçi, dekane e FSHN-sē, UT përshëndeti në emër të dy departamenteve të matematikës si bashkëorganizatorë.
Kjo veprimtari shërbeu për të eksploruar metoda mësimdhënieje që përdorin, ku ekspertë të fushës dhe pjesëmarrësit patën mundësinë të ndajnë përvoja dhe të mësojnë praktika të reja që mund të implementohen në klasat e tyre. Një nga objektivat kryesore është që mësuesit të pajisen me mjetet më të fundit të teknologjisë për të përmirësuar mësimdhënien dhe më tej krijimi i një rrjeti bashkëpunimi mes mësuesve dhe studiuesve për të ndarë praktikat më të mira për të motivuar nxënësit nëpërmjet teknologjisë.

Workshopi u organizua nga prof. asoc. Eriola Sila, anëtare e KMI-së, dhe dr. Florion Çela, koordinator i IKM-së.
Gjatë tri sesioneve të zhvilluara, prof. dr. Valentina Sinaj, prof. asoc. Frederik Dara, prof. asoc. Robert Kosova, prof. asoc. Besiana Hamzallari, prof. asoc. Eriola Sila, prof. asoc. Lekë Pepkolaj (online), dr. Brunilda Lufi, dr. Ledia Subashi, si dhe mësuesit msc. Oriana Mema, Mirjana Canellari , Leonard Hajdari, trajtuan çështje të rëndësishme si: metodat inovative të mësimdhënies në matematikë; softet edukativë; roli i internetit në edukim; përdorimi i programeve kompjuterike dhe integrimi i inteligjencës artificiale në mësimdhënien e matematikës; mësimi përmes simulimeve dhe vizualizimeve interaktive, roli i platformave online dhe mësimit në distancë; përdorimi i analizës së të dhënave për të personalizuar mësimdhënien e matematikës, si dhe praktikat më të mira për të motivuar nxënësit nëpërmjet teknologjisë.

Në fund u diskutua rreth temave të prezantuara dhe u bënë sugjerime për trajtimin e qasjeve të reja pedagogjike ndaj inteligjencave të shumëfishta dhe për përmirësimin e mëtejshëm të metodologjive dhe mësimdhënies në matematikë.