U zhvillua tryeza e rrumbullakët me temën “Kriobanka bimore "Akademia": e para në Shqipëri, rezultate dhe perspektiva”
Qendra e Kërkimit Shkencor “Bioteknologji & Gjenetikë” e Akademisë së Shkencave në datën 16 prill 2025 zhvilloi tryezën e rrumbullakët me temën “Kriobanka bimore “Akademia”: e para në Shqipëri, rezultate dhe perspektiva”.
Kjo veprimtari u koordinua nga akad. Efigjeni Kongjika dhe prof. dr. Valbona Sota.
Në këtë tryezë u paraqitën rezultatet paraprake të ngritjes së Kriobankës në Qendrën e Kërkimit Shkencor “Bioteknologji & Gjenetikë” me qëllim ruajtjen e gjermoplazmës së pemëve autoktone me metoda të avancuara bioteknologjike in vitro.
Gjithashtu, u evidentuan edhe hapat e së ardhmes për kriokonservimin e gjermoplazmës së pemëve autoktone me metoda të reja të kriokonservimit, duke përfshirë varietete autoktone të tjera me vlera të rëndësishme dhe me mundësi të erozionit gjenetik dhe me procedura testimi fitosanitar dhe gjenetik.
Fjala përshëndetëse u mbajt nga akad. Ilia Mikerezi, kryetar i Komisionit biologji, bujqësi, veterinari.
Bashkëpunëtorët italianë, prof. Maurizio Lambardi dhe dr. Carla Benelli, IBE/Istituto per la BioEconomia – CNR, Firenze, Itali, pasqyruan punën e tyre shumëvjeçare në këtë drejtim.
Nga ekipi shqiptar u mbajtën prezantime dhe diskutime nga akad. Efigjeni Konkgjika, ASHSH; prof. dr. Valbona Sota, FSHN, UT; prof. asoc. Drida Carka, IRGJB, UBT; dr. Elektra Papakosta, QTTB, Vlorë; prof. dr. Magdalena Cara, UBT; prof. dr. Ariola Bacu, FSHN, UT; prof. dr. Jordan Merkuri, UBT, si dhe pjesëmarrës të tjerë të pranishëm.