U zhvillua një takim me përfaqësues të Ministrisë së Bashkëpunimit Rajonal të Izraelit dhe përfaqësues të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë
Më 24 janar 2025 në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë u pritën në takim zyrtarë të lartë të Ministrisë së Bashkëpunimit Rajonal të Izraelit dhe përfaqësues të Ambasadës së Izraelit në vendin tonë.
Sekretarja shkencore, akad. Anila Hoda, së bashku me prof. dr. Ariola Bacu, anëtare e Qendrës për Bioteknologji dhe Gjenetikë dhe Qendrës NanoAlb, pjesë e ASHSH-së, dhe prof. asoc. dr. Elda Zotaj, drejtuese e sektorit të marrëdhënieve me jashtë dhe publikun, pritën delegacionin nga Ministria e Bashkëpunimit Rajonal të Izraelit, që përbëhej nga z. Gilad Shadmon, drejtor i përgjithshëm; znj. Sonya Ishenko, drejtoreshë kabineti e drejtorit të përgjithshëm; znj. Shlomit Orbach, drejtoreshë e nismave rajonale, partneriteteve qeveritare dhe marrëdhënieve me jashtë dhe z. Klajd Heta, përfaqësues i ambasadës së Izraelit në Shqipëri.
Takimi pati në fokus zgjerimin e bashkëpunimit të ndërsjellë me synim zhvillimin e kërkimit shkencor në fusha prioritare si inovacioni e kultura, organizime të projekteve e veprimtarive të tjera të përbashkëta etj, në përputhje me prioritetet e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Drejtori i përgjithshëm në Ministrinë e Bashkëpunimit Rajonal, z. Gilad Shadmon, shprehu kënaqësinë për gatishmërinë e treguar nga Akademia e Shkencave për organizimin e këtij takimi. Ai u shpreh se institucioni që ai përfaqëson bën të mundur lidhjen e universiteteve të Izraelit me rrjetin e institucioneve rajonale ndërkombëtare dhe mbështet financiarisht bashkëpunime ndërmjet palëve. Përfaqësuesit e delegacionit të Ministrisë së Bashkëpunimit Rajonal të Izraelit prezantuan me këtë rast kategoritë e përvitshme të thirrjeve të hapura për financim veprimtarish të lidhura me arsimin, shoqërinë, botën akademike, kërkimin shkencor, kulturën dhe sportin. Ata vunë në dukje se thirrjet përfshijnë veprimtari, si: projektet, konferencat, shkëmbimet e studentëve dhe stafit akademik, partneritetet institucionale, etj.
Sekretarja shkencore e Akademisë së Shkencave, akad. Anila Hoda, i njohu të pranishmit me vizionin, strukturën dhe funksionimin e Akademisë së Shkencave dhe zhvillimet më të fundit në fushën e kërkimit shkencor dhe projekteve. Ajo e vuri theksin te disa veprimtari mbështetëse që ka bërë Akademia e Shkencave e Shqipërisë në dobi të ruajtjes dhe pasurimit të kujtesës historike për fatin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe çështjen e ndriçimit të historisë së bashkëjetesës dymijëvjeçare të shqiptarëve e hebrenjve, si bashkëhartuese e ligjit për shpalljen e “Ditës së Kujtesës” (2003) dhe organizatore e disa konferencave shkencore kombëtare e ndërkombëtare kushtuar Holokaustit.
Prof. Ariola Bacu, foli për linjat kryesore të bashkëpunimit aktual në fushën e bioteknologjisë me institucionet e kërkimit shkencor në Izrael. Ajo vuri në dukje arritjen e nënshkrimit të një marrëveshjeje bashkëpunimi midis Universitetit “Ben-Gurion”, Negev, Izrael dhe ASHSH-së në muajin tetor të vitit 2024, falë bashkëpunimit disavjeçar mes Akademisë së Shkencave të Shqipërisë nën drejtimin e prof. Ariola Bacu (Departamenti i Bioteknologjisë, Universiteti i Tiranës) dhe Universitetit “Ben-Gurion”, Negev, nën drejtimin e prof. Robert Marks (Departamenti i Inxhinierisë Bioteknologjike).
Prof. Bacu përmendi se gjatë këtij viti bashkëpunimi do të vijojë me organizimin në Tiranë të Kongresit Europian të Bioteknologjisë – EBTNA-2025, në të cilin do të marrin pjesë profesorë e kërkues shkencorë nga institucionet e Izraelit, si edhe me realizimin e dy projekteve ndërkombëtare të koordinuara nga ASHSH-ja, si edhe të një projekti të drejtuar nga BGU-ja (Prof.Ariel Kushmaro) dhe të financuar nga Ministria e Bashkëpunimit Rajonal të Izraelit.
Në fund të këtij takimi, përfaqësuesit e Ministrisë së Bashkëpunimit Rajonal të Izraelit dhe të Ambasadës së Izraelit shprehën vullnetin e palës së tyre për të mundësuar bashkëpunime në fusha me interes të përbashkët dhe bënë propozime për lidhjen e marrëveshjeve të bashkëpunimit midis institucioneve e kërkuesve shkencorë të të dyja vendeve.