U zhvillua konferenca shkencore ndërkombëtare “Teknologjia, Inteligjenca Artificiale (IA) dhe Transformimi i Kërkimit Shkencor”

Në datën 3 dhjetor 2024 u mbajt konferenca shkencore ndërkombëtare “Teknologjia, Inteligjenca Artificiale (IA) dhe Transformimi i Kërkimit Shkencor”, organizuar nga Akademia e të Rinjve në bashkëpunim me Njësinë e kërkim studimit për inteligjencën artificiale në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë. Në këtë konferencë morën pjesë 53 studiues të shquar, të cilët përfaqësonin 21 institucione kombëtare dhe ndërkombëtare nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Kosova, Mali i Zi, Turqia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe India.

Seancën plenare e përshëndeti Kryetari i Akademisë së Shkencave akad. Skënder Gjinushi, i cili theksoi rëndësinë e diskutimit shkencor në lidhje me ndikimin transformues të inteligjencës artificiale në kërkimin shkencor dhe mbështeti nismën e Akademisë së të Rinjve për të trajtuar çështje të teknologjisë dhe inteligjencës artificiale, që ndikojnë fuqishëm në veprimtarinë shkencore të kërkuesve të rinj. 

E pranishme ishte edhe zëvendësministrja e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, prof. dr. Ana Kapaj, e cila mbajti një fjalë përshëndetëse. Ajo e vuri theksin në rëndësinë e komunikimit më të ngushtë mes MAS-it dhe institucioneve kërkimore, për të maksimalizuar potencialet mbështetëse për kërkimin shkencor përmes programeve dhe projekteve të ndryshme.

Më tej, bashkëpresidentët e Akademisë Globale së të Rinjve (GYA), dr. Chandra Shekhar Sharma dhe dr. Yensi Flores Bueso (online) u shprehën për mbështetjen e shkencëtarëve të rinj që të përfshihen në diskutimin dhe të shpërndajnë dijen e tyre në lidhje me përdorimin e IA-së në dobi të njerëzimit.

Akad. Prof. Neki Frashëri, Kryetar i Seksionit të Shkencave Natyrore dhe Teknike (ASHSH), drejtues i kësaj konference bëri një prezantim informativ dhe të thelluar për shkencën që qëndron pas IA-së, e cila bën të mundur të realizohen mjaft veprime mjaft komplekse dhe të shpejta. Ai tha se IA duhet të përfshihet gjithnjë e më shumë në projektet kërkimore, duke e njohur thellësisht funksionin dhe dobinë e saj.

Akad. asoc. Kozeta Sevrani drejtuese e konferencës prezantoi rastet e përdorimit të IA-së në kërkimin shkencor, por edhe në zbatimin praktik në dobi të përmirësimit të jetës së njeriut të kohëve të sotme. Gjithashtu, ajo përmendi disa konferenca dhe projekte të tjera paraprirëse të zhvilluara në ASHSH, dhe jo vetëm për IA-në në Shqipëri, dhe tha se kjo konferencë përplotëson një kuadër më të gjerë, duke synuar adresime më specifike në lidhje me përdorimin e IA-së në kërkimin shkencor.

Më tej, z. Franc Zylyftari, ekspert në Sektorin e Reagimit ndaj Incidenteve të Sigurisë nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, shpjegoi rëndësinë e përdorimit të IA-së në çështjet e sigurisë.

Konferenca i zhvilloi punimet në tre sesione.

Në sesionin “IA në shkencat e natyrës” Gledjan Caka solli në vëmendje ndikimin e mutacioneve të gjenit HOXB13 në kancerin e prostatës. Marinela Meckaroska prezantoi modelimin kinetik të distilimit të vajrave esenciale nga lëkurat e mandarinave. Aulon Shabani diskutoi aplikimet e inteligjencës artificiale për përmirësimin e efikasitetit energjetik në ndërtesa. Klaudio Peqini ofroi një vështrim mbi ndikimin transformues të machine learning në fizikën moderne. Jonilda Llupa trajtoi çështjet e sigurisë ushqimore dhe menaxhimit të mbetjeve. Shefqet Meda prezantoi përdorimin e algoritmeve të machine learning për pacientët diabetikë. Favia Abazi solli një sistem për detektimin e sëmundjeve të lëkurës. Ledia Vasjari diskutoi rëndësinë e algoritmeve kompjuterike në biologjinë molekulare. Oresta Saliaj ndau përvojën e përdorimit të aplikacioneve të navigimit për grumbullimin e të dhënave të gjeo-referencuara, lidhur me menaxhimin e biodiversitetit urban.

Në sesionin e dytë “Inteligjenca artificiale në edukim” Mürsel Doğrul mbajti një kumtesë për përpjekjet e akademisë turke të të rinjve (TÜBA) për të çuar përpara kërkimin shkencor dhe inovacionin e përgjegjshëm përmes projekteve strategjike. Jani Koçillari theksoi rëndësinë e përdorimit të IA-së në kërkimet historiko-arkeologjike. Belfjore Zifla (Qose) shtjelloi në kumtesën e saj sfidat që lidhen me integrimin e inteligjencës artificiale në studimet letrare. Ksenafo Sam Akulli me prezantimin e tij e vuri theksin tek riformësimi i peizazhit global rreth edukimit dhe punësimit në epokën e inteligjencës artificiale. Shaniko Allajbeu nënvizoi rëndësinë e inovacionit në mësimdhënie si dhe rolin kyç të teknologjisë në përgatitjen e brezave të rinj për sfidat e tregut të punës. Leonora Hysolli foli për nevojën e analizës së ndryshimeve në praktikat e mësimdhënies dhe stimulimit të inovacionit në kërkim shkencor, për shkak të rritjes dhe zhvillimit të teknologjive të reja dhe ndikimit të inteligjencës artificiale. Flavio Poroçani mbajti një kumtesë për transformimin e arsimit në fushën e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit.

Në sesionin e tretë “AI në Shkencat Humane” folësja e parë, Zsofia Turoczy, prezantoi një iniciativë të re të ndërmarrë në sistemin parauniversitar në Austri për mësimdhënien e historisë shqiptare, duke përdorur inteligjencën artificiale. Redion Luli foli mbi nevojën e rregullimit ligjor në përdorimin e AI gjeneruese në industrinë kreative. Ardit Dervishi prezantoi punimin mbi teknologjinë MIMO në fushën e netëork-ut dhe telekomunikacionit. Resul Telhaj paraqiti punimin mbi zhvillimin e kërkimit shkencor për gjuhën shqipe nën ndikimin e teknologjisë. Mayank Dutt Kaushik prezantoi një analizë gjithëpërfshirëse të ndikimit të AI në prodhimtarinë mediatike. Aida Zoto paraqiti studimin mbi përdorimin e teknologjisë dhe inteligjencës artificiale në mësimin e gjuhës greke. Prezantimi i fundit u mbajt nga Pranvera Beqiraj, e cila analizoi ndryshimet në praktikat e mësimdhënies dhe stimulimit të inovacionit në kërkim për shkak të teknologjive të reja dhe IA.

Çdo prezantim kontribuoi me qasje të veçanta dhe të dobishme në fushën përkatëse. Diskutimet ishin të pasura dhe ndihmuan për të hapur rrugë të reja bashkëpunimi shkencor. Diversiteti i temave dhe i përvojave që sollën pjesëmarrësit, ndihmoi në adresimin e sfidave të përbashkëta dhe në eksplorimin e mundësive që ofron kjo epokë transformuese.