U zhvillua konferenca shkencore ndërkombëtare me temën “Thirre vendin tënd! Hapësira: kujtesë gjuhësore, historike dhe antropologjike”

Instituti i Antropologjisë, pjesë e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, zhvilloi një konferencë shkencore në kuadër të projektit “Radhori i toponomastikës së Shqipërisë” (financuar nga Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit -AKKSHI) të drejtuar nga dr. Ledi Shamku.

Veprimtaria u zhvillua me pjesëmarrjen e Kryetarit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë akad. Skënder Gjinushi dhe anëtarëve të tjerë të kryesisë; drejtorit të Institutit të Antropologjisë prof. asoc. dr. Olsi Lelaj; drejtorit të Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë akad. Valter Memisha; dr. Marsela Robo, drejtoreshë e Programeve Kombëtare në AKKSHI, si dhe përfaqësuesve të tjerë nga institucionet bashkëpunuese për këtë projekt.

Drejtuesja e projektit, dr. Ledi Shamku, në fjalën e saj përshëndetëse tha se për këtë konferencë u koordinua me Akademinë e Shkencave që të lihej në një ditë të shënuar, si 17 Janari, dita kur Heroi Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu la botën e të gjallëve: pushoi së qeni roja jonë tokësore, për të qenë roja jonë qiellore në përjetësi. Kjo datë përkon edhe me jubileun e  lindjes së Gjergj Kastriotit (1405).

Konferenca u çel me një incipit muzikor nga opera “Skënderbeu, zot i Arbrit” e kompozitorit akad. Vasil Tole.

Kryetari i Akademisë së Shkencave akad. Skënder Gjinushi në fjalën përshëndetëse shprehu falënderimet e tij për mbështetjen e këtij projekti nga AKKSHI dhe për drejtuesit e bashkëpunëtorët.

Ai vlerësoi trendin rritës të fondeve nga qeveria për projektet shkencore dhe theksoi se të dyja institucionet, ASHSH-ja dhe AKKSHI, kanë synime e qëllime të njëjta. Akademia e Shkencave duhet të jetë nxitësja, organizuesja kryesore për të ideuar dhe për të ndërmarrë projekte të caktuara dhe AKKSHI, si organi investues i projekteve, ka si qëllim të bëjë seleksionimin dhe mbarëvajtjen e këtyre projekteve, -tha akad. Gjinushi.

Drejtori i Institutit të Antropologjisë, prof. asoc. dr. Olsi Lelaj, në fjalën e tij përshëndetëse vuri në dukje punën e bërë gjatë dy vjetëve të realizmit të këtij projekti, për të cilin një rol të madh kanë luajtur kërkimet në terren. Ai e vlerësoi projektin si një shtyllë kurrizore brenda IA-së, që u mbështet dhe vijon të mbështetet nga ASHSH-ja. Projektet kërkimore të këtij kalibri nuk braktisen në që ato mbyllen, por ato krijojnë një infrastrukturë të brendshme dhe një organicitet të rëndësishëm për të vijuar punën në vitet e ardhshme. Dr. Shamku ka hedhur tharmin e një projekti që do të vijojë edhe këtë vit, duke zgjeruar stafet tona dhe duke krijuar ura bashkëpunimi me kërkuesit shkencorë dhe me institucionet shkencore, -tha drejtori i Institutit të Antropologjisë.

Më tej, prof. asoc. dr. Lelaj argumentoi se ky projekt çel një shteg të ri brenda studimeve antropologjike në Shqipëri, atë të antropologjisë gjuhësore dhe si përfaqësues i Institutit të Antropologjisë i propozoi Kryesisë së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë miratimin e çeljes së Sektorit të Antropologjisë Gjuhësore në strukturën e Institutit të Antropologjisë.

Akad. Valter Memisha vlerësoi punën e bërë nga organizatorët dhe mbështetësit e veprimtarisë. Ai vuri në dukje se ky projekt i miratuar në departamentet e IGJL-së dhe të ASHSH-së është një shtysë për projekte të tjera të tipologjive me vlerë kombëtare.

Pas fjalëve përshëndetëse, dr. Ledi Shamku bëri prezantimin e projektit:

Fillimisht ajo bëri një përshkrim të materialit arkivor që ka shërbyer në realizmin e këtij projekti.

Dr. Shamku tha se në arkivat e Akademisë së Shkencave është trashëguar një skedar me rreth 250 mijë skeda toponomastike (emërtesa vendesh në mbarë Shqipërinë), të vjela e të hartuara më së shumti në vitet ‘50-‘80 nga punonjës shkencorë dhe ekspedita të posaçme (Zojzi, Haxhihasani, Domi, Totoni etj.), si edhe nga një aksion i madh kombëtar i dikurshëm, i cili përfshiu edhe mësuesit. Ky trashëgim sot është tejet i çmuar për disa arsye, të cilat përmbledhtazi po i renditim më poshtë:

Shqipja nuk e ka ende një Fjalor Kombëtar të Toponomastikës (e as një radhua apo skedar të posaçëm të kësaj disipline);

Punë të tilla vjeljeje janë afërmendsh fryt i një tjetër situate politike, ekonomike, kulturore e sociale, pasi sot, në kushtet e ekonomisë së tregut, do të kishin një kosto tejet të lartë;

Bumi kaotik i lëvizjeve demografike që shpërtheu pas viteve ’90 mund t’i bëjë të pareferueshme sot e më tej mjaft zona apo areale të Shqipërisë që po shkojnë drejt shpopullimit ose zëvendësimit të popullatave (më periferiket drejt zonave më pak periferike). Vetë mbipopullimi i arealeve kryesore urbane së bashku me eksodin e shtuar janë argumente që mbështesin drojën dhe dyshimet tona.

Mangësia e historicizimit të lëvizjeve demografike, rojave tona, si rrjedhojë e dokumentimeve të pakta shkrimore, kanë lënë zbrazëti të ndjeshme sa i takon lëvizjes dhe shtegtimit të fiseve. Mirëpo, shpesh toponimet janë shndërruar në mbiemra trungjesh familjare (patronime) apo emrat e fiseve janë shndërruar në toponime. Ndjekja e plotë e këtyre zinxhirëve toponomastikë mund të vlejë jo veç për gjuhëtarët, por edhe për historianët e antropologët e kulturës shqiptare.

Për këtë arsye i mëshohej faktit që një trashëgimi e tillë skedash duhej digjitalizuar sa më parë për ta shndërruar atë në një material të përdorshëm (e të aksesueshëm). Për të mos cenuar aspak cilësinë e punës, është menduar që bri radhitjes të vendoset edhe skeda (imazhi i skedës) e dorëshkruar, në mënyrë që t’i paraprihet ndonjë lapsusi në radhitje. E po ashtu, është dakordësuar me ASIG-un për të hedhur në një hartë digjitale sinjalizuese çdo toponim që do të zbardhet nga skedat e që do të jetë pjesë e skedarit tonë elektronik. Në këtë mënyrë do të lokalizohet qartë vendndodhja e çdo toponimi a mikrotoponimi. Së fundi – dhe jo më pak e rëndësishme – është menduar që të verifikohet në terren edhe shqiptimi autokton i secilit toponim, duke qenë se dyshohet që për vetë kohën kur u hartua dhe trysninë e re të kodit standard, mund të ketë pasur edhe normalizime (lexo: deformime) të autenticitetit të toponimeve, prirje të verifikuara edhe nga hartueset e këtij projekti.

Më tej, dr. Shamku foli për kontributet specifike që sjell projekti në shkencat fondamentale dhe/ose të aplikuara:

Më së pari, ajo theksoi se në fushën e gjuhësisë realizimi i këtij projekti mundëson shfrytëzimin e skedarit të toponomastikës, i cili, në gjendjen që ndodhet, është thuajse i papërdorshëm. Në kushtet e një gjuhe e kulture të dokumentuar tejet vonë me shkrim, toponimet (edhe sipas Çabejt) janë sot burimi kryesor dokumentues i gjuhësisë historike. Ndërsa vëzhgimi i gjurmës së tyre zanore burimore, me një kampion sociolinguistik ndërbreznor të ndërtuar in loco, shërben edhe si matje e përparimit të shqipes letrare (skedat aktuale janë regjistruar të letrarizuara).

Realizimi i këtij projekti do t’u vlejë shumë edhe historianëve, demografëve apo antropologëve, për të rindërtuar përmes tyre edhe shtegtimet e fiseve, migrimet e brendshme apo trans-humancat.

Elementi etnografik i shtuar nga ne në projekt, pra vjelja në terren e gjithë humusit historiko-popullor, gojëdhanor, mitologjik a proverbial, që lidhet me vetë toponimin a me komunitetin e banorëve të atyshëm, është material ftillues jo vetëm për vetë toponimin, por edhe për historikun pjesor të asaj zone, me synim turistifikimin real, vleror e të qëndrueshëm të tij. Kjo vlen qoftë për miniguidat turistike e qoftë për administratën lokale në rigjallërimin a organizimin e kremtimeve komunitare si vlerë paraqitëse kulturore e zonës. Sikundër u vlen edhe studimeve etnografike e historike, e po ashtu edhe zbulesave arkeologjike, gjithë duke ndjekur shtegun e propozuar nga Nikollë Gazulli, i cili sugjeron që në kësi punësh të ndiqet pikëprerja mes emërtimit, mitit e historisë.

E fundit, por po aq e rëndësishme mbetet realizimi i këtij projekti në fushën e shkencave të botanikës a të ekosistemit. Shpesh del se toponimet janë fitonime (emra drurësh a shkurresh), të tilla si: Blinisht, Kashnjet, Shkozet, Prrenjas etj. Sigurisht sot zonat që mbajnë këto emërtesa si toponime nuk popullohen më nga i njëjti vegjetacion. Por ne mund të ndërtojmë qoftë edhe një përsiatje vizuale hipotetike të vegjetacioneve të trojeve tona në kohën kur u shfaqën këto toponime. Gjuhësia historike apo dialektologjia mund ta ofrojë këtë të dhënë, duke bërë madje një nënndarje të posaçme të fitonimeve në këtë skedar digjital që do të krijohet:

OB1: Planifikimi i Radhoit të Toponomastikës së Shqipërisë;

OB2: Digjitalizimi i fondit të skedave arkivore;

OB3: Gjurmimi etnografik i toponimeve dhe pajisja me gjurmën zanore të shqiptimit vendës;

OB4: Vjelja në terren e gjithë humusit historiko-popullor, gojëdhanor, mitologjik a proverbial, që lidhet me vetë toponimin a me komunitetin e banorëve të atyshëm.

OB5: Divulgimi te përfituesit direktë e indirektë

Nga digjitalizimi i skedave të fondit arkivor dhe bërja e përdorshme e tyre online përfitojnë:

Studiuesit e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë me fokus fushat: antropologji, etnolinguistikë, sociolinguistikë, gjuhësi e sotme dhe historike, semantikë, histori, arkeologji etj.

Universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës (UAMD), si bashkëpjesëmarrës në projekt.

Profesorati dhe studentët e institucioneve të arsimit të lartë, të qendrave kërkimore, akademive, në Republikën e Shqipërisë, në Republikën e Kosovës, në Republikën e Maqedonisë së Veriut, në Republikën e Malit të Zi, kudo ku zhvillohet mësimdhënie a kërkim shkencor në nivele tezash master, doktorature a projekte të përbashkëta me fokus shqipen e toponiminë e saj.

Profesorati, studentët, kërkuesit shkencorë në universitetet a qendrat kërkimore, akademive, kudo në botë, aty ku zhvillohet mësimdhënie a kërkim shkencor në nivele tezash master, doktorature a projekte të përbashkëta me fokus shqipen e toponiminë e saj.

Profesorati, studentët, kërkuesit shkencorë në universitetet a qendrat kërkimore, akademive, kudo në botë të interesuar për nisjen e projekteve të përbashkëta me fokus studime në rrafsh krahasimtar me shqipen.

Por ky projekt parashikon që prej tij të kenë përfitim edhe të tërthortë, dhe si të tillë renditen:

Bashkitë dhe komunat (pra pushteti lokal);

Ministria e Arsimit dhe e Sportit;

Ministria e Ekonomisë, e Kulturës dhe e Inovacionit;

Ministria e Turizmit dhe e Mjedisit;

Agjencitë turistike dhe kurset formuese të operatorëve turistikë;

Qendrat topografike për përimtimin e të dhënave;

OJF-të e përfshira në projekte a tematika mjedisore;

Institucionet homologe në krejt viset me popullatë shqiptare (Kosovë, Maqedoni e Veriut, Mal i Zi), duke përfshirë edhe ngulime historike tonat në diaspora.