U zhvillua Konferenca II Kombëtare për Ujërat: Siguria e burimeve ujore përballë ndryshimeve klimatike
Më 20 nëntor 2026 u zhvillua Konferenca II Kombëtare për Ujërat me temë “Ndryshimet klimatike dhe siguria e ujërave nëntokësore në Shqipëri – nga monitorimi dhe mirëqeverisja te përshtatja, ruajtja dhe burimet alternative”. Veprimtaria u organizua nga Seksioni i Shkencave Natyrore dhe Teknike, përmes Njësisë Kërkimore të Gjeoshkencave dhe Gjeoinxhinierive, pjesë e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Në fjalën e hapjes, drejtuesi i Njësisë së Gjeoshkencave dhe Gjeoinxhinierisë, akad. Rrapo Ormëni, theksoi rëndësinë strategjike të mbrojtjes së burimeve ujore, veçanërisht të ujërave nëntokësore, për Shqipërinë dhe rajonin. Ai nënvizoi presionin në rritje që ushtrojnë ndryshimet klimatike, thatësirat, përmbytjet, ndotja dhe shfrytëzimi i pakontrolluar mbi rezervat ujore, duke evidentuar nevojën për kërkim shkencor, monitorim të vazhdueshëm dhe menaxhim të qëndrueshëm.
Akad. Ormëni vlerësoi kontributin e Grupit Shkencor të Hidrogjeologjisë dhe Gjeologjisë Detare, të drejtuar nga dr. Arben Pambuku, në organizimin e konferencës së parë në vitin 2024, si dhe projektin kërkimor të mbështetur nga AKKSHI për vlerësimin sasior dhe cilësor të burimeve ujore në zonat ndërkufitare të Shqipërisë me Malin e Zi, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut. Ai evidentoi gjithashtu rritjen e pjesëmarrjes së studiuesve të rinj, nga 40% në edicionin e parë në 70% në këtë edicion, ndërsa studiuesit me përvojë përbënin 30%. Në përfundim, theksoi se sfidat që lidhen me thatësirat, përmbytjet, ndotjen, monitorimin dhe menaxhimin e ujërave kanë ndikim të drejtpërdrejtë në sigurinë ushqimore, shëndetin publik dhe zhvillimin ekonomik.
Në emër të Kryesisë së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, konferenca u përshëndet nga kryetari i Seksionit të Shkencave Natyrore dhe Teknike, akad. Neki Frashëri, i cili theksoi rëndësinë jetike të burimeve ujore dhe cenueshmërinë e tyre përballë ndryshimeve klimatike. Gjithashtu, ai u ndal te ndryshimet në sektorin ekonomik, shpërndarjen e popullsisë dhe ndërhyrjet në rrjetin ujor sipërfaqësor, duke nënvizuar se këto të fundit mund të ndikojnë drejtpërdrejt edhe në rezervat ujore nëntokësore. Në këtë kontekst, ai theksoi nevojën për një vlerësim të integruar të ndërveprimit ndërmjet ujërave sipërfaqësore dhe nëntokësore.
Në përshëndetjen e saj, zëvendësministrja e Mjedisit, znj. Elda Xhumari, përgëzoi Akademinë e Shkencave të Shqipërisë për organizimin e konferencës, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe të kërkimit shkencor në përballimin e sfidave që ndryshimet klimatike paraqesin për burimet ujore. Ajo nënvizoi nevojën për monitorim të vazhdueshëm, të dhëna të besueshme dhe masa konkrete për mbrojtjen dhe menaxhimin e qëndrueshëm të tyre.
Nga këndvështrimi i administrimit të burimeve ujore, drejtoresha e Agjencisë së Menaxhimit të Burimeve Ujore (AMBU), znj. Anila Shehu, paraqiti angazhimin e institucionit për përafrimin e legjislacionit me standardet e BE-së dhe përmirësimin e planifikimit të menaxhimit të baseneve ujore. Ajo evidentoi përditësimin e pesë planeve ekzistuese dhe hartimin e dy planeve të reja të menaxhimit të baseneve ujore, Strategjinë e re Kombëtare të Menaxhimit të Burimeve Ujore dhe rëndësinë e koordinimit institucional, monitorimit dhe bashkëpunimit me komunitetin shkencor në mbështetje të vendimmarrjes.
Në aspektin e rregullimit të sektorit të ujit, kryetarja e Entit Rregullator të Ujit (ERRU), znj. Gerta Lubonja, evidentoi përmirësimet dhe sfidat e sektorit të furnizimit me ujë dhe kanalizimeve, duke u ndalur te indeksi i ri i performancës dhe mekanizmi tarifor për fashat e mbikonsumit, që synon nxitjen e kursimit të ujit.
Veprimtaria u përshëndet gjithashtu nga zëvendësrektori i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, prof. dr. Sabri Avdullahi, dhe drejtori i Departamentit të Ujërave në Ministrinë e Mjedisit të Maqedonisë së Veriut, z. Ylber Mirta. Në fjalët e tyre, ata theksuan karakterin jetik dhe ndërkufitar të burimeve ujore, si dhe nevojën për bashkëpunim rajonal, monitorim të vazhdueshëm dhe shkëmbim të të dhënave. Ata evidentuan gjithashtu ndikimin e ndryshimeve klimatike, thatësirave, përmbytjeve dhe ndotjes, duke nënvizuar rolin e universiteteve dhe institucioneve kërkimore në zhvillimin e zgjidhjeve të përbashkëta për mbrojtjen dhe menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve ujore.
Punimet e konferencës u zhvilluan në katër sesione kryesore, të shoqëruara edhe me një sesion posterash. Sesioni I trajtoi hidrogjeologjinë dhe hidrologjinë, me fokus te qëndrueshmëria e burimeve dhe puseve të ujit, ndikimi i thatësirave dhe fatkeqësive klimatike, si dhe pasojat e devijimit të ujërave lumore për HEC-et. Sesioni II u përqendrua te menaxhimi dhe cilësia e ujërave, duke përfshirë monitorimin e cilësisë, qeverisjen e ujërave, ndotjen nga metalet e rënda, ujërat gjeotermale dhe bashkëpunimin shkencë–biznes.
Sesioni III iu kushtua menaxhimit të burimeve ujore, administrimit dhe edukimit, duke trajtuar ujitjen e qëndrueshme, edukimin mjedisor, thatësirën meteorologjike, procedurat e lejeve për puset e ujit dhe ndotjen e ujërave sipërfaqësore. Ndërsa Sesioni IV trajtoi sistemet detare dhe bregdetare, gjeodinamikën dhe modelimin, me fokus te ndotja detare, monitorimi dhe menaxhimi i qëndrueshëm i ujërave nëntokësore, vlerësimi hidromorfologjik i baseneve lumore, zona ekskluzive ekonomike detare dhe ndryshimet e nivelit të detit.
