U zhvillua takimi dyditor për ecurinë e punës për “Enciklopedinë shqiptare”

Në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë u zhvillua mbledhja dyditore e anëtarëve të Redaksisë Qendrore për projektin madhor “Enciklopedia shqiptare”.

Takimi u drejtua nga kryeredaktori i veprës, akad. Skënder Gjinushi, kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe zëvendëskryeredaktori, akad. Mehmet Kraja, nga Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës.

Në nisje të mbledhjes, akad. Gjinushi uroi akad. Fejzullah Krasniqin për marrjen e detyrës së kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, duke shprehur angazhimin për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes dy akademive.

Gjatë dy ditëve të punimeve, anëtarët e Redaksisë Qendrore shqyrtuan një sërë projektvendimesh dhe dokumentesh pune që lidhen me ecurinë e projektit. Në fokus të diskutimeve ishin caktimi i autorëve të artikujve monografikë dhe artikujve të mëdhenj monografikë, miratimi i fjalësve përfundimtarë të disa fushave, si dhe propozimet për plotësime e ndryshime në vendimet e mëparshme lidhur me strukturën dhe përmbajtjen e veprës.

Një vend të rëndësishëm në diskutime zuri paraqitja e fjalësit të “Enciklopedisë shqiptare” si nje e tër elekronikisht, si dhe përcaktimi i mënyrës së realizimit të redaktimit shkencor dhe korrektimit të artikujve enciklopedik. Në këtë kuadër, u trajtua edhe ngritja e një grupi pune për redaktimin dhe njësimin e titujve të artikujve të miratuar.

Po ashtu, u diskutua udhëzuesi për strukturën e artikujve enciklopedikë dhe vendimi për përcaktimin e rregullave mbi përdorimin e inteligjencës artificiale në proceset e shkrimit dhe të redaktimit shkencor të artikujve enciklopedikë, me synim garantimin e standardeve akademike, të integritetit shkencor dhe të cilësisë së përmbajtjes së veprës.

Në mbledhje u theksua se ka nisur puna për hartimin e artikujve dhe se kjo mundëson fillimin e redaktimit të tyre nga redaksitë e fushave, duke bërë të mundur mbylljen e veprës online brenda vitit 2027.