Me rastin e Ditës së Alfabetit, në Universitetin e Vlorës “Ismail Qemali” u promovua Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe

Veprimtaria u zhvillua më 20 nëntor 2026 me pjesëmarrjen e Kryetarit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë akad. Skënder Gjinushi, së bashku me anëtarë të ekipit hartues të “Fjalorit të madh të gjuhës shqipe”. Fillimisht Kryetari dhe përfaqësuesit e ASHSH-së u pritën nga rektorja e Universitetit të Vlorës “Ismail Qemali” prof. dr. Aurela Saliaj.

Veprimtaria promovuese u zhvillua më pas në Bibliotekën “Nermin Vlora Falaski”, në prani të pedagogëve të universitetit, studiuesve të gjuhës, studentëve, drejtoreshës së Zyrës Vendore të Arsimit Parauniversitar Vlorë, znj. Gentiola Shehu, si dhe të të ftuarve të tjerë.

Rektorja e Universitetit të Vlorës, prof. dr. Aurela Saliaj, në fjalën përshëndetëse e vlerësoi si shumë të rëndësishëm “Fjalorin e madh të gjuhës shqipe”, veçanërisht në kohën e zhvillimeve të vrullshme teknologjike. Sipas saj, iniciativa dhe puna e grupit hartues përbëjnë një arritje të rëndësishme për gjuhësinë shqiptare. Ajo shprehu gjithashtu kënaqësinë që promovimi po zhvillohej në Universitetin e Vlorës pikërisht në muajin nëntor, duke sugjeruar edhe përgatitjen e një videoje udhëzuese për përdorimin e fjalorit nga administrata dhe studentët.

Prof. dr. Roland Zisi, dekan i Fakultetit të Shkencave Humane, u shpreh se “Fjalori i madh i gjuhës shqipe” përfaqëson një nga veprat më të rëndësishme të gjuhësisë shqiptare, në hartimin e së cilës janë angazhuar forca të shumta shkencore, ndër to edhe bashkëpunëtorë të Universitetit të Vlorës, si Nexhip Mërkuri dhe Asime Feraj. Ai theksoi se madhështia e kësaj vepre qëndron jo vetëm në vëllimin e pasurisë leksikore që përmban, por edhe në shqyrtimin dhe përfshirjen e traditës së mëparshme fjalorore të shqipes.

Kryetari i Akademisë së Shkencave, akad. Skënder Gjinushi, falënderoi rektoren dhe dekanin për ftesën dhe organizimin e veprimtarisë, si edhe për vlerësimin e kësaj vepre të përbashkët. Ai theksoi se, megjithëse “Fjalori i madh i gjuhës shqipe” mban emrin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, në të vërtetë ai është fryt i kontributit të qarqeve akademike, instituteve dhe universiteteve nga mbarë hapësira shqiptare. Sipas tij, Akademia e Shkencave e mori përsipër hartimin dhe botimin e kësaj vepre si një përgjegjësi të përbashkët kombëtare.

Akad. Gjinushi vlerësoi se fjalori përbën edhe një mesazh të rëndësishëm për politikëbërësit, duke dëshmuar se forcat akademike shqiptare janë ende në gjendje të prodhojnë vepra madhore shkencore. Ai nënvizoi gjithashtu se ky fjalor u shërben shqiptarëve kudo që jetojnë, përfshirë edhe diasporën. Duke u ndalur te debati publik që ka shoqëruar botimin e tij, ai theksoi se çdo vepër e tillë mbetet e hapur ndaj vërejtjeve dhe sugjerimeve, duke i ftuar të interesuarit të kontribuojnë në përmirësimin e mëtejshëm të tij.

Akad. Valter Memisha, bashkëdrejtues i projektit të hartimit të FMGJSH-së, paraqiti me të dhëna konkrete përmasat dhe vlerat e fjalorit, duke theksuar se ai përbën veprën më të madhe leksikografike të shqipes, si për nga vëllimi, ashtu edhe për nga kriteret shkencore të ndjekura në hartimin e tij. Ai nënvizoi se botimi i tij ishte një domosdoshmëri e diktuar nga pasurimi dhe dinamizmi që ka njohur gjuha shqipe gjatë dekadave të fundit. Ai shtoi se kjo vepër kontribuon në rritjen e prestigjit të shqipes përkrah gjuhëve të tjera të zhvilluara të kohës sonë.

Prof. dr. Shezai Rrokaj, zëvendëskryeredaktor i projektit, u ndal te funksioni informues dhe normativ i “Fjalorit të madh të gjuhës shqipe”, duke e cilësuar procesin e hartimit të tij si një shkollë të mirëfilltë leksikografike. Sipas tij, puna me këtë vepër ka shërbyer për transmetimin e traditës shqiptare të leksikografisë te brezat e rinj të gjuhëtarëve dhe për krijimin e përvojave të reja profesionale. Ai theksoi se fjalori mund të krahasohet me botimet më të mira leksikografike të gjuhëve të zhvilluara europiane, si gjermanishtja, italishtja dhe frëngjishtja.

Prof. dr. Anila Kananaj, koordinatore e projektit, paraqiti mënyrën e përdorimit të platformës online të fjalorit, duke shpjeguar aksesimin e tij në internet, mundësitë e kërkimit dhe funksionalitetet e ndryshme që ofron. Ajo u ndal veçanërisht te ndihmesa që kjo platformë mund t’u japë nxënësve, studentëve dhe të gjithë përdoruesve të interesuar për pasurinë leksikore të gjuhës shqipe.

Në përfundim të veprimtarisë, të pranishmit zhvilluan një bashkëbisedim me autorët dhe drejtuesit e projektit, duke drejtuar pyetje dhe duke diskutuar mbi vlerat shkencore e praktike të “Fjalorit të madh të gjuhës shqipe”, që gjenden në këtë platformë, si mund të ndihmohen nxënësit/nxënëset, studentët/studentet dhe të gjithë të interesuarit e tjerë nga pasuria e këtij fjalori dhe faqes së tij në internet.

Pas promovimit të fjalorit, Kryetari i Akademisë së Shkencave, akad. Skënder Gjinushi, mori pjesë edhe në ceremoninë e diplomimit të studentëve të Universitetit të Vlorës “Ismail Qemali”. Në fjalën e tij përshëndetëse drejtuar të pranishmëve dhe studentëve të sapodiplomuar, ai vuri theksin te roli i rinisë në ndërtimin e së ardhmes, përafrimi i arsimit tonë me standardet europiane, si dhe te domosdoshmëria e mbështetjes e financimit të kërkimit shkencor për të mbajtur talentet e reja në Shqipëri.

Fjalorin e Madh të Gjuhës Shqipr e konsultoni online në këtë link: https://fjalori.online/