U zhvillua konferenca e 1-rë kombëtare mbi kancerin e gjirit në Shqipëri. “Kanceri i gjirit, vëmendje jo vetëm në tetor: të dhëna epidemiologjike, klinike dhe eksperienca e Shqipërisë”
Më datë 26 nëntor 2024, Komisioni i mjekësisë i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë organizoi konferencën e parë kombëtare mbi kancerin e gjirit në Shqipëri me titullin “Kanceri i gjirit, vëmendje jo vetëm në tetor: të dhëna epidemiologjike, klinike dhe eksperienca e Shqipërisë”. Konferenca u hap nga akad. Genc Sulçebe, kryetari i Komisionit të mjekësisë, i cili, pasi theksoi rëndësinë dhe domosdoshmërinë për të organizuar një konferencë kombëtare me një paraqitje multidisiplinare të kësaj patologjie, që përfaqëson tumorin më të shpeshtë në seksin femër si në vendin tonë, ashtu edhe në botë, ia kaloi fjalën kryetarit të Akademisë së Shkencave, akad. Gjinushit, për të përshëndetur punimet e saj.
Në fjalën e tij, akad. Gjinushi theksoi rëndësinë e punës kërkimore të komisioneve të ngritura pranë Akademisë së Shkencave si rezultat i riorganizimit të saj, veçanërisht bashkëpunimin e frytshëm të Komisionit të Mjekësisë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Institutin e Shëndetit Publik, Qendrën Spitalore Universitare etj. Ai vlerësoi rëndësinë që ka kjo konferencë për trajtimin sa më shkencor të çështjeve që lidhen me shëndetin.
Konferenca u përshëndet gjithashtu nga zëvendësministrja znj. Mira Rakacolli, e cila theksoi sfidën dhe mekanizmat që ka sistemi shëndetësor në trajtimin e sëmundjeve tumorale, duke shtuar edhe rëndësinë që kanë këto çështje në përfshirjen e politikave shëndetësore të qeverisë shqiptare.
Prof. Alban Ylli nga Instituti i Shëndetit Publik, në kumtesën e tij paraqiti një panoramë të plotë të epidemiologjisë së kancerit të gjirit në vendin tonë. Të dhënat e regjistrit tonë kombëtar janë krahasuar gjithashtu me vlerësimet ndërkombëtare të GLOBOCAN. Incidenca dhe prevalenca e kancerit të gjirit kanë ardhur në rritje gjatë dekadave të fundit, kryesisht për arsye të rritjes së moshës mesatare, urbanizimit dhe ndryshimeve në stilin e jetesës (përfshirë uljen e fertilitetit). Kjo rritje është ndikuar gjithashtu nga rritja e ndërgjegjësimit dhe diagnozës më të hershme të këtij kanceri. Në Shqipëri, kanceri i gjirit përbën më shumë se 11% të të gjitha rasteve të reja me kancer çdo vit, dhe rreth 30% e grave që jetojnë në popullatë me një neoplazi malinje, kanë kancer gjiri. Në vitin 2023 u diagnostikuan 744 femra me kancer gjiri ose 61.4 për 100,000 femra (u diagnostikuan gjithashtu edhe 15 raste kanceri gjiri te meshkujt). Prej vitit 2015 vërehet një rritje rreth 14% e incidencës. Risku për t’u diagnostikuar me kancer gjiri rritet me moshën deri në 70 vjeç. Risku maksimal është në moshën 50 deri në 70 vjeç. Risku është shumë i ulët, por jo zero, në moshën 20-30 vjeç. Mbijetesa nga kanceri i gjirit në Shqipëri ishte 73% në 2022 dhe 72% në vitin 2023, dhe ka luhatur pranë vlerës 70% prej vitit 2015.
Prof. Helidon Nina, në kumtesën e tij, theksoi se është thelbësore të realizohet një diagnozë e saktë nga stafi i duhur multidisiplinar mjekësor. Për diagnozën përdoren palpimi, ekografia, mamografia, biopsia kore, CT, MRI, etj. Rëndësia e stafit multidisiplinar nuk është vetëm vënia në statistika e rasteve që janë nën trajtim specifik, por analizimi i çdo pacienti në çdo element që përbën patologjinë e tij, që nga prezantimi i parë në spital e sigurimi dhe respektimi i të gjitha udhëzimeve aktuale në çdo trajtim specifik. Gjithashtu, trajtimi kirurgjik i gjirit ka evoluar ndjeshëm, veçanërisht në 30 vitet e fundit; kjo është edhe pasojë e përmirësimit të teknologjisë mjekësore. Trajtimi i kancerit të gjirit, theksoi prof. Nina, po evoluon vazhdimisht. Stafi i MDT-së është vendimtar jo vetëm për trajtimin e duhur të pacientëve, por edhe për përditësimin e udhëzimeve dhe imponimin e strukturës së duhur vendimmarrëse në shëndetësi.
Dr. Anila Pema, onkologe pranë Shërbimit të Onkologjisë në QSUNT, theksoi se nevojitet një program për trajtimin e kancerit të gjirit në vendet me burime të ulëta, që të adresojë nevojat e parandalimit, diagnostikimit, trajtimit dhe kujdesit paliativ të pacientëve me kancer. Kjo kthehet në një detyrë të vështirë dhe shpesh rezulton në humbjen e vullnetit politik të nevojshëm për të siguruar qëndrueshmëri. Barrierat kryesore për zhvillimin bashkëkohor të programit të kujdesit ndaj kancerit janë: 1. Financimi qeveritar, hartimi i politikave; 2. Mungesa e kapaciteteve njerëzore; 3. Infrastruktura shëndetësore; 4. Diagnoza sa më e shpejtë; 5. Disponueshmëria e të gjitha kapaciteteve trajtuese si rrezatimi, kimioterapia, kirurgjia, kujdesi paliativ.
Dr. Fationa Kraja, specialiste e radioterapisë pranë QSUT, ngriti problemin se avancimet në fushën e radioterapisë kërkojnë mundësimin e një trajtimi sa më të sigurt për organet përreth tumorit dhe, në të njëjtën kohë, një kohë më të shkurtër trajtimi me doza më të larta në nivel të tumorit. Këto kërkojnë investime të reja dhe përbëjnë sfidën kryesore për radioterapinë në vendin tonë. Sfidat afatshkurtra mbeten implementimi i teknikave të avancuara që sot në Europë janë pjesë e praktikës klinike në radioterapi dhe që përfshijnë trajtime me doza të larta në nivel të tumorit, me dozë fraksioni mbi 5 Gy, si trajtimi stereotaktik, i cili përdoret si për tumoret primare ashtu edhe për lezionët metastatikë.
Dr. Vladimir Titka theksoi se mjekësia nukleare po zë një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në diagnozën e kancerit të gjirit. Studime të mëtejshme nevojiten për të përcaktuar përfundimisht rolin e saj diagnostik.
Dr. Alketa Çoku nënvizoi në fjalën e saj se, prioriteti i punës së psikologut është themelor në menaxhimin e stresit dhe traumës, dhe të psikopatologjive të ndryshme, nëpërmjet një pune individuale klinike me pacientin ose në kontekstin e grupit të terapisë monosimptomë. Shpeshherë është e nevojshme një bashkëpunim dhe referim me mjekët specialistë psikiatër.
Dr. Ilir Kurtishi nga Qendra Klinike Universitare Onkologjike në Prishtinë raportoi se në vitin 2019 Kosova regjistroi 338 raste të kancerit të gjirit, me incidencën më të lartë të vërejtur në grupmoshën 60-64 vjeç. Pandemia ndikoi ndjeshëm në raportimin e kancerit, duke rezultuar në një rënie prej 16% të rasteve të reja në vitin 2020. Megjithatë, pas pandemisë, pati një rritje dramatike të diagnostikimeve të reja, duke arritur në 400 raste të reja të kancerit të gjirit dhe 2,126 raste të reja në total në vitin 2023. Kjo rritje tregon një përshkallëzim të shpejtë të normës së incidencës së standardizuar sipas moshës së kancerit të gjirit dhe thekson nevojën urgjente për masa të përmirësuara për zbulimin e kancerit.
Si konkluzion, të gjithë referuesit dhe diskutantët theksuan se nevojitet një vëmendje e veçantë nga sistemi ynë shëndetësor për rritjen e kapaciteteve njerëzore dhe infrastrukturale për një diagnozë sa më të shpejtë dhe të saktë të kancerit të gjirit, si dhe për një trajtim bashkëkohor të tij. Implementimi i diagnozës gjenetike të nënllojve të kancereve të gjirit paraqitet si një nevojë e domosdoshme për një mjekim sa më të saktë. Po kështu, rritja e kapaciteteve kimioterapeutike nëpërmjet rritjes së konsiderueshme të numrit të poltronave në repartin ditor të kimioterapisë, si dhe disponueshmëria e plotë e arsenalit bashkëkohor të medikamenteve të reja, është një domosdoshmëri tjetër e kohës. Kjo kërkon gjithashtu edhe rritjen e numrit të personelit të mesëm dhe të lartë në këtë sektor të rëndësishëm.