U promovua në Tiranë libri “Kur heshtja flet” i autorit Ahmet Shala

Vepra u promovua më 24 mars 2026, në Hotel Plaza, veprimtari e organizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë.
Përmbajtja e veprës “Kur heshtja flet” e Ahmet Shalës është një rrëfim personal dhe reflektim mbi luftën e Kosovës, sfidat e saj dhe realitetin aktual me të cilin përballen ish-udhëheqësit e UÇK-së në procesin gjyqësor në Hagë.
Veprimtaria u përshëndet nga kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akad. Skënder Gjinushi. Ai falënderoi pjesëmarrësit dhe vlerësoi iniciativën e autorit për të sjellë një dëshmi të sinqertë mbi përjetimet gjatë proceseve gjyqësore më të debatueshme në planin politik dhe juridik. Akad. Gjinushi vuri në dukje se libri nuk përbën thjesht një përmbledhje kujtimesh, por një reagim ndaj padrejtësive aktuale në vazhdën e padrejtësive historike ndaj Kosoves, si dhe një analizë të argumentuar mbi arsyet politike që çuan në ngritjen e këtij procesi.
Më tej, kryetari i ASHSH-së theksoi se çështja e përcaktimit të agresorit dhe viktimës është gjykuar tashmë historikisht, e ky “gjyq” u fitua qe në vitin 1999 kur Kosova fitoi mbështetjen e NATO-s dhe të botës demokratike. Ai u shpreh se procesi gjyqësor në fjalë u ngrit në një kontekst politik, nga nje institucion politik si Këshilli Europës dhe se me rënien e akuzës për trafik organesh gjykata speciale ka humbur legjitimitetin.
Në përfundim të fjalës së tij, akad. Gjinushi vlerësoi mesazhet e librit, si një një thirje e obligim edhe për institucionet shkencore dhe akademike për të mbrojtur të vërtetën historike nga çdo deformim,perbaltje e trajtim te saje sipas interesave te politikes se dites.

Kryetarja e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Justina Shiroka-Pula foli për rëndësinë që ka vepra si shprehje e reagimit ndaj padrejtësive dhe nevojës që institucionet akademike të mos heshtin përballë zhvillimeve të tilla.
Më tej, duke kujtuar përvjetorin e bombardimeve të NATO-s mbi ish-Jugosllavinë, z. Taulant Balla përgëzoi autorin dhe organizatorët për promovimin e mbajtur në një datë kuptimplotë. Ai theksoi se reflektimi mbi të kaluarën dhe përgjegjësia për të tashmen janë thelbësore, duke ngritur shqetësimin për perceptimet dhe zhvillimet aktuale që lidhen me UÇK-në dhe proceset gjyqësore në Hagë.
Historiani prof. dr. Paskal Milo u ndal te vlera e veprës, duke theksuar se rëndësia e librit qëndron në mjeshtërinë e autorit për të trajtuar temat dhe për të përcjellë mesazhe me peshë historike dhe shoqërore. Ai vlerësoi librin “Kur heshtja flet” si një kontribut të rëndësishëm në debatin publik dhe akademik.
Për librin “Kur heshtja flet” të autorit Ahmet Shala mbajtën ligjërata edhe përfaqësues të jetës akademike, politike dhe publike, të cilët e vlerësuan ndër të tjera, si një dëshmi të guximshme dhe një kontribut të rëndësishëm në mbrojtje të së vërtetës historike. Diskutimet theksuan rëndësinë e reagimit institucional dhe shoqëror ndaj sfidave që lidhen me interpretimin e historisë, si dhe nevojën për të ruajtur dhe mbrojtur vlerat e luftës për liri dhe dinjitet
Ngjarja u përmbyll me fjalën përshëndetëse të autorit dhe mesazhe nga të pranishmit për unitet, angazhim dhe përgjegjësi, duke theksuar se e ardhmja ndërtohet mbi të vërtetën dhe veprimin e përbashkët.