U prezantua monografia "Kinemaja para gjyqit: nga kinokronikat e gjyqeve të popullit, te filmat e vigjilencës revolucionare të masave"
Veprimtaria u organizua sot, në datën 28 maj 2025, nga Qendra e Studimit të Arteve, pjesë e Akademisë së Shkencave.
Drejtori i QSA-së, akad. asoc. Stefan Çapaliku, përshëndeti të pranishmit dhe falënderoi autoren për qasjen origjinale mbi kinokronikat e kinematografinë shqiptare.

Autorja dr. Jonida Gashi nëpërmjet një dialogu me moderatoren e kësaj veprimtarie, dr. Anxhela Çikopanon, rrëfeu për punën e saj kërkimore disavjeçare për marrëdhëniet mes kinemasë, drejtësisë dhe avangardës në Shqipërisë socialiste. Interesi rreth kësaj teme iu zgjua kur ndeshi pamjet filmike të proceseve gjyqësore kundër armiqve të popullit, të cilat ishin zhvilluar në sallat e kinemave shqiptare, nën regjimin komunist. Ajo tha se kinoditarët dhe dokumentarët e bazuar në punimet e gjyqeve të popullit ishin shumë të paktë në numër dhe shumë shpejt zbuloi se ndikimi i tyre në kinemanë e realizmit socialist shqiptar kishte qenë më i madh nga sa mund të merrej me mend. Më tej, dr. Gashi vuri në dukje se ky libër është rezultat i kërkimeve të një pune disavjeçare që u përfundua në Qendrën e Studimit të Arteve, pjesë e Akademisë së Shkencave, në vitin 2024, dhe shprehu falënderimet e mirënjohjen për gjithë mbështetjen institucionale në krijimin e kësaj monografie.

Veprimtaria u mbyll me pyetje për autoren dhe diskutime për çështjet e trajtuara në monografinë “Kinemaja para gjyqit: nga kinokronikat e gjyqeve të popullit, te filmat e vigjilencës revolucionare të masave”.