U mbajt simpoziumi shkencor me temën “Shkëmbim i përvojës në kërkimin shkencor në fushën e gjenetikës humane”

Kjo veprimtari u zhvillua në datën 19 maj 2025 nga Komisioni i biologjisë, bujqësisë dhe veterinarisë dhe Qendra e Bioteknologjisë dhe Gjenetikës (QKBGJ), pjesë e ASHSH-së, në bashkëpunim me Universitetin e Tiranës, Universitetin e Mjekësisë, Institutin e Policisë Shkencore, Universitetin “Zoja e Këshillit të Mirë”, Klinika “Gliozheni” Tiranë, si dhe me bashkëpunëtorë të tjerë që punojnë në projektin shqiptar “Rrënjët”.
Simpoziumi u çel nga kryetari i Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike (ASHSH), akad. Neki Frashëri. Në fjalën e tij përshëndetëse ai e vuri theksin te rëndësia e zhvillimit të kësaj veprimtarie, në një kohë që kërkuesit shkencorë apo institucionet kërkimore po ndeshen me drejtime dhe zbulime të reja në gjenetikën humane, të cilat synojnë një ndërlidhje sa më të ngushtë të rezultateve të përftuara me praktikën e përditshme në shërbim të shëndetit njerëzor e në fusha të rëndësishme të jetës.

Akad. Frashëri vlerësoi punën e Qendrës Kërkimore të Bioteknologjisë dhe Gjenetikës, e cila është bërë tashmë pjesë e studimeve që lidhen me strukturën gjenetike të popullatës shqiptare dhe po synon, ndër të tjera, që informacioni i përftuar të përdoret edhe në studime që lidhen me shëndetin.
Më pas, simpoziumin e përshëndeti zv. rektori i Universitetit Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”, prof. Edmond Hajdëri. Ai foli për historikun e Shërbimit të Gjenetikës Mjekësore prej themelimit deri më sot, i cili është zgjeruar, duke përfshirë sektorin e biologjisë molekulare.
Gjithashtu, fjalë përshëndetëse mbajti edhe z. Niko Brahimaj, drejtor i Institutit të Policisë Shkencore. Ai vlerësoi marrëveshjen e bashkëpunimit me ASHSH-në dhe theksoi se ky bashkëpunim duhet të thellohet duke nxitur institucionet shkencore që studimi në fushën e gjenetikës të kalojë në duart e brezit të ri.

Më tej, kryetari i Komisionit të biologjisë, bujqësisë dhe veterinarisë (ASHSH), akad. Ilia Mikerezi, u ndal mbi larminë e aktiviteteve shkencore që Komisioni dhe QKBGJ-ja kanë  realizuar në bashkëpunim me institucionet, në kuadër të marrëveshjeve të nënshkruara me ASHSH-në. Ai theksoi se informacionet që përftohen nga kërkimet gjenetike janë me mundësi të shumta përdorimi, si në analizat e strukturës gjenetike të popullatave dhe në identifikimin e markerëve të ndryshëm molekularë që ndihmojnë në studimin e një sërë sëmundjesh të trashëgueshme, e më gjerë. Akad. Mikerezi tha se shkëmbimi i përvojave do të ndihmojë në nxitjen e punës në institucione dhe frymëzimin e brezit të ri për të punuar në këtë fushë.
Sesioni i parë i këtij simpoziumi u moderua nga akad. Ilia Mikerezi dhe dr. Adela Perolla.

Akad. Mikerezi prezantoi projektin e ASHSH-së me temën: “Gjenetika e popullatës shqiptare përmes markerëve të ADN-së”, i cili është konceptuar si një bashkëpunim i zgjeruar me punën në terren, në 12 qarqe administrative dhe në laborator. Prezantimi u përqendrua në vlerësimin e sasisë së variacionit gjenetik, shkaqeve, si dhe lidhjes së tyre me forcat evolucionare, të cilat janë përcaktuese në strukturën gjenetike të popullatave. Përmes përdorimit të qasjeve dhe teknikave të ndryshme, synohet të kuptojmë origjinën dhe rolin e proceseve të ndryshme evolucionare që kanë formësuar strukturën gjenetike aktuale të popullatës shqiptare.

Ela Zaimi nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës, prezantoi projektin me temën “Variacioni gjenetik për 16 markerë STR në popullatën  shqiptare”, të drejtuar nga prof. asoc. Merita Xhetani dhe realizuar në bashkëpunim me Alban Haxhian. Ajo paraqiti parametrat statistikorë, të cilët konfirmojnë se seti i lokuseve të studiuara përbëjnë një kombinim të vlefshëm për identifikimin individual, testet e atësisë dhe studimin gjenetik të popullatës.
Dr. Gjergj Bojaxhi, që punon në projektin shqiptar “Rrënjët”, prezantoi studimin me temën “Protoilirët përballë ilirëve”. Gjatë prezantimit ai trajtoi çështjen e prejardhjes dhe rrugës së formimit të trungut etnik ilirme tipare të përbashkëta kulturore, të dallueshme prej bashkësive të tjera fqinje joilire, si dhe proceset etnogjenetike të popullsive të vjetra historike të Ballkanit Perëndimor. Procesi i formimit të etnosit ilir nisi në fund të epokës së bronzit, i cili në epokën e hekurit, në bazë të zhvillimit të brendshëm ekonomiko-shoqëror, do të vazhdonte të zhvillonte më tej gjuhën nga një dialekt i indoeuropianishtes dhe kulturën e vet duke i dhënë asaj një fytyrë gjithnjë më të përcaktuar etnike.

Maria Janaq prezantoi projektin e përbashkët me prof. Anila Mitren me temën “Studim nëpërmjet teknikës molekulare PCR Real Time multipleks i infeksioneve virale të rrugëve të sipërme respiratore në popullatën shqiptare mars 2024-shkurt 2025, ku u përqendrua në rastet e infeksioneve viralerespiratore gjatë periudhës 1-vjeçare në studim, dhe veçanërisht në rastet e infektuara dhe imunizimin nga Covid-19.
Sesioni i dytë u moderua nga prof. asoc. Merita Xhetani.
Në këtë sesion referuan: prof. Edor Kabashi (online) (Paris Brain Institute, French National Centre for Scientific), i cili prezantoi studimin me temën “Kërkimi shkencor në fushën e zbatimeve gjenetike në neurokirurgji; prof. Avdulla Alija (online), Universiteti i Prishtinës, i cili referoi studimin me temën “Biomonitorimi human në Kosovë”; prof. asoc. Raffaella Cascella (online), Universiteti “Zoja e Këshillit të Mirë”, Tiranë, prezantoi studimin me temën “Gjenetika e sëmundjeve rektinike”.
Më tej, Albina Hasa referoi studimin e realizuar me prof. asoc. Merita Xhetani me temën “Gjenetika e kancerit të gjirit në Shqipëri: një analizë përshkruese që eksploron statusin e receptorëve dhe historinë familjare”.
Dr. Adela Perolla paraqiti studimin me temën “Shfaqjet e epigjenomës: gjurmimi i historisë së heshtur të plakjes”.
Në fund, dr. Klara Cukani, nga “Klinika Gliozheni”, paraqiti studimin me temën “ISCI apo IVF konvencional në çifte me nomozoospermi” dhe Orges Cara prezantoi kërkimin shkencor për metodat bioinformatike në studimin e ADN-së.