U mbajt mbledhja e bordit të drejtorëve dhe drejtuesve të instituteve e qendrave kërkimore shkencore për disa ndryshime për zbatimin e ndarjes së buxhetit për vitin 2025
Më 17 mars 2025 u mbajt mbledhja e bordit të drejtorëve, e përbërë nga drejtuesit e instituteve dhe qendrave kërkimore shkencore, kryetarët e komisioneve të përhershme pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Mbledhjen e drejtoi Kryetari i Akademisë së Shkencave akad. Skënder Gjinushi.
Në pikën e parë e të dytë të rendit të ditës u bë diskutimi e miratimi në parim i udhëzimit për kryerjen e shpenzimeve, si dhe u miratuan disa ndryshime në nënzërat e buxhetit për vitin 2025 për disa institute dhe qendra kërkimore në bazë të kërkesave të njësive të paraqitura nga kancelari.
Në mbledhje u theksua se për zbatimin e buxhetit përgjegjësinë e kompetencën e kanë drejtuesit e njësive për buxhetin e tyre. U ngarkua kancelari për riformulimin e udhëzimit të ri në bazë të vërejtjeve të bëra në mënyrë që marrëdhëniet e njësive me administratën të jenë sa më qarta e në përputhje me rregullat.
Në pikën e tretë të rendit të ditës u bë njohja me raportin përfundimtar të auditit të perfomancës me temë: “Projektet kërkimore shkencore të realizuara nga ASHSH në nxitjen e përparimit shkencor, teknologjik, dhe inovacionit për të mirën e vendit” të KLSH-së dhe draft përgjigjet mbi këtë raport prej njësive dhe bordit të drejtoreve, ku në esencë konkludohet se gjetjet nuk qëndrojnë e nuk reflektojnë realitetin e se për pasojë rekomandimet janë ose pa vend ose të tejkaluara. Nga mbledhja doli se në fakt nuk është kryer as formalisht një audit performance të njësive e projekteve të realizuara nga ato.
Në fund u diskutua për botimet e revistave dhe pas diskutimeve u la një takim tjetër me grupin e ngushtë të botuesve për të parë e organizuar vijueshmërinë e pasqyrimit të tyre online me qëllim rritjen e shikueshmërisë e te indeksimit të tyre.