U mbajt ligjërata me temën “Zog i qiejve - Lasgush Poradeci ndërmjet pikturës dhe poezisë”
Studiuesja e artit Suzana Varvarica Kuka mbajti sot në datën 27 maj 2025 në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë një ligjëratë me temën “Zog i qiejve – Lasgush Poradeci ndërmjet pikturës dhe poezisë”.
Veprimtaria u organizua nga Komisioni i Arteve, pjesë e Akademisë së Shkencave, dhe u moderua nga Anisa Ymeri.
Fillimisht studiuesja Varvarica foli për personalitetin e Lasgush Poradecit (1899-1987) dhe solli në vëmendjen e të pranishmëve vlerësimin që i ka bërë shkrimtari i madh Ismail Kadare në korrik 2019 nëpërmjet një interviste: “Gjer më sot Lasgush Poradeci ka mbetur për mua njeriu më i jashtëzakonshëm, më i ndërlikuar e më i pakuptueshëm që kam njohur…Duke e parë, dhe sidomos duke e dëgjuar, gjithmonë mendoja se si ishte e mundur që njeriu ballkanas, njeriu shqiptar, të arrinte një ndërlikim të tillë, përkryerje, mëvetësi dhe mister…”.

Ajo theksoi se Lasgush Poradeci në vitet ‘30 të shekullit XX ishte poeti më i njohur shqiptar. Vargjet e tij poetike lexoheshin ethshëm nga rinia studentore e kohës.
Më tej, Varvarica paraqiti një vështrim të shpejtë mbi kohën e jetës së Lasgush Poradecit dhe në kohët e krijimtarisë së tij në artet pamore, të cilat kanë qenë shumë të rëndësishme për poetin artist. Këto kohë përfshijnë krijimtaritë e kryera gjatë qëndrimit të tij në Greqi, Rumani, Austri, Shqipëri në vitet `40 e në vijim.

Studiuesja e njohur spikati në ligjëratën e saj fijet që i lidhin zhanret e artit të Lasgushit me njëri-tjetrin. Ajo vuri në dukje se të gjitha subjektet e personazheve femërore që pikturoi e vizatoi, e gjejnë psikun e tyre në vargjet e derdhura në poezitë e cikleve “Ylli i zemrës” dhe “Zemra e ime”, duke mos i anashkaluar të gjitha ciklet e tjera të botuara në veprat madhore të poezive filozofike dhe baladave.

Gjatë ligjërimit u lexuan poezi të Poradecit nga e bija Marie Gusho dhe moderatorja Anisa Ymeri.
Maria Gusho foli për disa nga motivet jetësore të poezisë, të zbuluara nga arkiva e poetit, si dhe për pasurinë e këtyre arkivave. Gjatë rrëfimeve ajo e vuri theksin te pesha që i jepte fjalës poetike Lasgush Poradeci dhe te koncepti i tij për latimin dhe përsosurinë e vargut poetik.

Ligjërata u mbyll me diskutimet për persekutimin e heshtur dhe indiferentizmin shtetëror ndaj personalitetit të tij si doktor i shkencave filozofike dhe si një poet brilant i ndjenjave njerëzore të derdhura në vargje, ku psikologjia njerëzore është kryefjala e tyre.