U mbajt Konferenca e Tretë Ndërkombëtare e Shëndetit Publik dhe Mjedisit
Konferenca e Tretë Ndërkombëtare e Shëndetit Publik dhe Mjedisit, e organizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, në bashkëpunim me Universitetin George Mason (SHBA) dhe Collegium Ramazzini (Itali), u mbajt në datat 30 qershor dhe 1 korrik 2025.
Kjo konferencë është e para në vendin tonë që fokusohet drejtpërdrejt në ndërthurjen e ndikimeve mjedisore dhe sfidave të shëndetit publik, duke shërbyer si një platformë bashkëpunimi ndërdisiplinor dhe ndërkombëtar.
Morën pjesë mbi 70 referues nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Italia dhe SHBA dhe përfaqësues të institucioneve shtetërore hartuese dhe zbatuese të politikave në sektorë të ndryshëm që lidhen me administrimin e ujërave.
Akad. Genc Sulçebe, drejtues i QKBGJ-së dhe akad. Ilia Mikerezi, kryetar i Komisionit të biologjisë, drejtuan seancën e hapjes së veprimtarisë.
Veprimtarinë e përshëndeti zëvendëskryetari i ASHSH-së, akad. Vasil Tole, në emër të Kryesisë. Ai foli për punën që kanë bërë qendrat dhe komisionet e përhershme të ASHSH-së për të mbështetur e zhvilluar një sërë projektesh që trajtojnë ndotjen mjedisore dhe ndikimin e saj në shëndet.

Akad. Tole theksoi se ASHSH-ja po luan një rol aktiv në koordinimin e projekteve kombëtare të kërkimit shkencor, në bashkëpunim me institucionet përkatëse dhe agjencitë e kërkimit shkencor e të inovacionit, për të garantuar që shkenca të vendoset realisht në shërbim të shoqërisë.

Prof. dr. Mira Rakacolli, zëvendësministrja e Shëndetësisë, theksoi se nëpërmjet kësaj veprimtarie krijohen mundësi për të ndarë përvoja, për të ndërtuar ura midis fushave që shpesh funksionojnë paralel, si dhe për të gjetur mënyra të reja për ndërgjegjësimin dhe inkurajimin e qytetarëve, por edhe të vetë vendimmarrësve që mjedisi mos të trajtohet si temë dytësore, por si pjesë e pandashme e shëndetit dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

Konferencën e përshëndeti edhe znj. Klodiana Marikaj, specialiste në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit. Ajo foli për strategjitë dhe politikat e menaxhimit të cilësisë së ajrit dhe masat e marra në përputhje me legjislacionin kombëtar për mbrojtjen e cilësisë së ajrit në mjedis, në përputhje me parimet e zhvillimit të qëndrueshëm dhe zbatimin e Axhendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor.
Gjatë zhvillimit të seancave plenare, pjesëmarrësit patën mundësinë të njihen me rezultatet kërkimore të standardeve ndërkombëtare dhe të ndajnë përvoja mbi sfidat që paraqet monitorimi dhe menaxhimi i rreziqeve mjedisore për shëndetin publik, lidhur me cilësinë e ajrit, shqyrtimin e teknologjive dhe qasjeve për pastrimin dhe trajtimin e ujërave të ndotura dhe përmirësimin e infrastrukturës sanitare, cilësinë dhe sigurinë ushqimore etj.

Ndër paraqitjet më të spikatura ishin: “Vlerësimi i rrezikut shëndetësor nga djegia e hapur e mbetjeve në Shqipëri” nga prof. asoc. Edlira Baraj; “Studimi mbi ndikimin e ndotjes së ajrit në shfaqjen e artritit reumatoid nga akad. Genc Sulçebe dhe dr. Arbi Pecani; “Ndikimi i pandemisë COVID-19 në nivelin e imunitetit në Shqipëri dhe mësimet për të ardhmen nga akad. Genc Sulçebe; “Ndikimi i pesticideve në fertilitet dhe shëndetin riprodhues nga prof.dr. Melissa Perry.
Konferenca arriti disa objektiva të rëndësishëm: Krijimin e një rrjeti ndërkombëtar bashkëpunimi mes shkencëtarëve të mjedisit e shëndetit publik; Identifikimin e sfidave dhe përparësive kërkimore në rajon në fushën e ndotjes mjedisore dhe shëndetit; Formulimin e rekomandimeve për përfshirjen e të dhënave shkencore në hartimin e politikave publike, si dhe bashkëpunimin institucional për aplikimin e qasjes “One Health” në Ballkanin Perëndimor.