U mbajt ceremonia solemne për t’i dhënë lamtumirën e fundit akademik emeritus Bardhyl Golemit
Akademik emeritus Bardhyl Golemi (1932-2025) u nda nga jeta më 19 maj 2025.
Në nderim të figurës së tij, Kryesia e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë mbajti sot, më 20 maj 2025, një Akademi Solemne.
Ditën e homazheve e hapi akad. Neki Frashëri, Kryetar i Seksionit të Shkencave Natyrore dhe Teknike. Ai e vlerësoi akad. emeritus Bardhyl Golemin si një nga figurat më të spikatura në botën akademike shqiptare, me një kontribut të jashtëzakonshëm si në shkencë dhe në edukim, që ka luajtur një rol të dukshëm edhe në funksionimin e Akademisë së Shkencave. Pasi u shprehu ngushëllimet në emër të kryesisë së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë familjarëve, akademikëve, e gjithë atyre që ndajnë këtë humbje të madhe, akad. Frashëri i ftoi disa nga kolegët që të ndajnë fjalë mirënjohjeje dhe kujtime për akademik Bardhyl Golemin.

Akad. Dhimitër Haxhimihali e vlerësoi si një personalitet të njohur në fushën e arsimit të lartë dhe të shkencës në Shqipëri. Ai foli për karrierën e Bardhyl Golemit, që e nisi me medaljen e artë që mori pas diplomimit në gjimnazin “Ali Demi” dhe e vijoi me arritje të tjera, si përfundimi i shkollës së lartë në Universitetin Politeknik, ku u emërua pedagog menjëherë pas përfundimit të tij, si dhe për kontributin e akad. emeritus Golemit me hapjen e Universitetit të Tiranës, ku ai themeloi dhe drejtoi për 15 vjet rresht katedrën e elektroteknikës. Më tej ai vlerësoi karrierën e zhvilluar prej afër 7 dekadash me veprimtari, botime shkencore e monografi të shumta dhe përmendi: veprën vëllimore “Bazat e elektroteknikës”, të cilën e ripunoi dhe e ngriti në nivelin e një traktati, si dhe botimin e ASHSH-së “Njeriu elektromagentik”, por edhe botimet e shumta me kontribut në arsimin e lartë.
Akad. Raimonda Bualjoti e vlerësoi si një ndër personalitet e arsimit dhe të shkencës tonë kombëtare akad. emeritus Golemin. Ajo tha se personaliteti i jashtëzakonshëm njerëzor dhe shkencor i profesorit vijnë në kujtesën dhe ndjesitë e të gjithë kolegëve dhe studentëve të tij me një mënyrë të thellë mirënjohjeje dhe nderimi për atë trashëgimi të çmuar shkencore që ai ka lënë. Ajo vlerësoi më tej si një shembull të shkëlqyer të një shkencëtari, kolegu dhe studiuesi të pasionuar të shkencave inxhinierike, që me horizontin e tij të gjerë, me njohuritë e tij të thella, me ndërgjegjen e tij të pastër, e me përkushtimin shembullor do të jetë edhe për të ardhmen modeli i shkencëtarit që ngriti lart shkollën e lartë shqiptare.

Akad. Vasil Tole, zëvendëskryetar i Akademisë së Shkencave, lexoi telegramin e ngushëllimit të dërguar nga Kryesia e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Në këtë telegram, mes të tjerash, shkruhet se akad. Bardhyl Golemi ka dhënë kontribut të çmuar në punën kërkimore-shkencore në trajtimin të problemeve të bioelektromagnetizmit dhe të studimeve për korridoret elektromagnetike të linjave të telefonisë në Shqipëri. Përmes këtij telegrami, Kryesia e ASHAK-ut vlerëson faktin që akad. Bardhyl Golemi ka marrë pjesë në më se një dekadë në mbajtje të ligjëratave të studimeve themelore dhe pasuniversitare në Universitetin e Prishtinës gjatë viteve të shtatëdhjeta të shekullit të kaluar. Kontributi i tij ka qenë domethënës në ngritjen e kuadrove të Fakultetit Teknik të Universitetit të Prishtinës, prej të cilit më vonë janë ndarë 4 fakultete. Ndarja nga jeta e akademik Bardhyl Golemit paraqet humbje të madhe për familjen, Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, Universitetin Politeknik të Tiranës, si dhe për mbarë shkencën kombëtare.

Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike, prof. asoc. Astrit Bardhi foli për kontributet e çmuara të akad. emeritus Golemit në veprimtarinë e mësimdhënies, përfshirë dhe kontributin në trevat shqiptare. Ai e vlerësoi librin “Bazat teorike të elektroteknikës” si trashëgimi të çmuar në arsimin shqiptar.
Akad. Jorgaq Kaçani përmendi cilësitë e rralla të akademikut si njeri dhe shkencëtar. Ai theksoi faktin që Bardhyl Golemi hodhi bazat e inxhinierisë elektrike dhe elektronike dhe e cilësoi si Tesla-n shqiptar.
Akad. Neki Frashëri foli për figurën dhe personalitetin krijues të akad. emeritus Golemit. Ai tha se për të njohur personalitetin e tij, do të mjaftonte edhe një libër i vogël “Njeriu dhe elektronika”, si njëra nga shenjat që tregon për madhështinë e personalitetit të Bardhyl Golemit.
Fjalë mirënjohjeje ndau dhe prof. dr. Paskal Milo. Ai foli për miqësinë familjare që ka nisur mes prindërve që kanë punuar së bashku në arsim dhe e vlerësoi më tej personalitetin e akad. emeritus Bardhyl Golemit gjatë periudhës që ka drejtuar arsimin e lartë. Ai theksoi se në miqësinë me akad. emeritus Golemin vihej re komunikimi si atdhetar, ku shpreheshin gjithmonë shqetësime profesionale. Prof.dr. Milo tha se me ndarjen e tij nga jeta ka humbur gjithashtu edhe shkenca shqiptare.
Në fund të Akademisë Solemne znj. Mirela Golemi, vajza e akad. emeritus Bardhyl Golemit, shprehu mirënjohjen e thellë për përkushtimin e Kryesisë së Akademisë së Shkencave në mbajtjen e ceremonisë dhe për vlerësimet e anëtarëve të ASHSH-së dhe kolegëve.

Më pas u mbajtën homazhet, ku anëtarë të Kryesisë dhe Asamblesë së ASHSH-së, familjarët, kolegët e miqtë nderuan akad. emeritus Golemin.
Kryetari i Akademi së Shkencave akad. Gjinushi mbajti fjalën e përmotshme të përcjelljes nga Kryesia e ASHSH-së.
Në fjalën e tij ai e vlerësoi akad. emeritus Bardhyl Golemin si një mik të veçantë e shumë të shtrenjtë, koleg të vyer dhe një prej figurave emblematike të akademizmit shqiptar; si një përfaqësues të denjë të shkencave inxhinierike, si një personalitet të spikatur të kësaj fushe e si një pedagog e shkencëtar të devotshëm e erudit; për veprimtarinë e tij shkencore e botuese, si dhe për kontributin e veçantë të në zhvillimin e arsimit në Shqipëri.
Në fund, ai theksoi se figura e Bardhyl Golemit do të mbetet në historikun e Akademisë së Shkencave e të Universitetit të Tiranës, në kujtesën e tërë komunitetit arsimor e shkencor, të të gjithë miqve e dashamirësve të tij.
Në nderim e respekt të jetës së anëtarit të ASHSH-së akad. emeritus Bardhyl Golemit, si falënderim e mirënjohje për veprën e tij, Kryetari i Akademisë së Shkencave u shprehu familjarëve ngushëllime të përzemërta dhe i ftoi të pranishmit të mbanin një minutë heshtje.