U mbajt ceremonia e akordimit të mirënjohjes “Nderi i Akademisë” për prof. Maurizio Lambardi-n
Akademia e Shkencave e Shqipërisë organizoi një ceremoni nderimi për prof. Maurizio Lambardi-n, me rastin e akordimit të mirënjohjes “Nderi i Akademisë”, si shenjë vlerësimi për kontributin e tij të çmuar në fushën e bashkëpunimit shkencor ndërkombëtar.
Ceremonia u moderua nga akad. Efigjeni Kongjika, e cila shprehu vlerësime për përkushtimin e prof. Lambardi-t në kërkimin shkencor dhe rolin e tij si mbështetës i projekteve, botimeve dhe udhëzimeve strategjike që kanë ndihmuar në ngritjen e nivelit shkencor të Akademisë.
Kryetari i Akademisë së Shkencave akad. Skënder Gjinushi vlerësoi kontributin e prof. Lambardit në zhvillimin e bioteknologjisë bimore, kulturave in vitro, kriokonservimit dhe ruajtjes së burimeve gjenetike. Më tej, ai theksoi mbështetjen e vazhdueshme të prof. Lambardit ndaj kërkimit shkencor në Shqipëri, përmes projekteve të përbashkëta ndërkombëtare, transferimit të metodologjive bashkëkohore, formimit të brezit të ri të studiuesve dhe botimeve të përbashkëta shkencore. Nëpërmjet këtij vlerësimi, një rëndësi e veçantë i jepet edhe rolit të tij në forcimin e marrëdhënieve akademike e shkencore ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë, duke kontribuar në ndërkombëtarizimin e shkencës shqiptare.
Prof. Maurizio Lambardi shprehu mirënjohjen e tij për vlerësimin nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, duke e çmuar si një nder të madh dhe një emocion të veçantë. Ai theksoi se ky vlerësim mishëron frytet e një bashkëpunimi të gjatë ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë, të ndërtuar përmes projekteve kërkimore, shkëmbimit të njohurive, takimeve shkencore dhe marrëdhënieve njerëzore.
Në përmbyllje, dr. Roberto Di Primio, kërkues shkencor, nënvizoi rëndësinë strategjike të marrëdhënieve me Shqipërinë, jo vetëm për afërsinë gjeografike, por edhe për shkëmbimet njerëzore, kulturore dhe shkencore, duke theksuar domosdoshmërinë e mbrojtjes së bimëve autoktone dhe ruajtjes së burimeve bimore.
Ceremonia përbën një hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit shkencor ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë, si dhe në vlerësimin e personaliteteve që kanë dhënë kontribut të çmuar në zhvillimin dhe ndërkombëtarizimin e shkencës shqiptare.
