Takimi i redaksisë qendrore, Tiranë, të projektit madhor “Historia e shqiptarëve”
Sot në datën 10 prill 2025 në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë u mblodh redaksia qendrore, Tiranë, e projektit madhor “Historia e shqiptarëve”, e përbërë nga akad. Pëllumb Xhufi, prof. dr. Paskal Milo, prof. dr. Ferit Duka, prof. dr. Neritan Ceka.
Takimi u zhvillua me praninë e zëvendëskryetarit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë akad. Vasil Tole.
Ky takim ka si qëllim diskutimin në redaksitë qendrore të punimeve që janë përgatitur për vëllimin e dytë të “Historisë së shqiptarëve”, që përfshin periudhën nga shekulli XI e deri në përfundim të epopesë së Skënderbeut që është pushtimi i Shkodrës në vitin 1478. Si parathënie e këtij takimi është saktësimi i të gjithë periudhës së antikitetit të vonë dhe të mesjetës së hershme, kur formohet kombësia arbërore dhe vërtetimi tezës së trashëgimisë iliro- arbërore, duke ndërthurur studimet e burimeve arkivore me të dhënat arkeologjike.
Në diskutim u vlerësua përmbajtja e katër kapitujve të parë, të cilët kanë të bëjnë me periudhën e shekullit XI e XIV para Skënderbeut. Kjo është periudha e mesjetës feudale shqiptare, ku ndodhin procese të rëndësishme, ku nis feudalizmi perëndimor i shqiptarëve të Arbërisë, lindja e principatave të para autonome feudale shqiptare, Topiaj, Muzakaj, Shpataj e Balshajt, që formojnë pastaj edhe preludin për fillimin e epokës së Skënderbeut.
U diskutuan çështjet kryesore për përmirësime të mëtejshme të tekstit të “Historisë së shqiptarëve” dhe u vlerësuan kapitujt e punimit të akad. Pëllumb Xhufit si për mënyrën e re të parashtrimit të historisë, jo vetëm si histori politike, por edhe si histori e qytetërimit arbëror të kësaj periudhe.
Puna me hartimin e historisë do të qëndrojë në këtë metodologji dhe do të vijojë me diskutimin kapitull pas kapitulli në mënyrë që jo vetëm të korrigjohen aspektet që kanë të bëjnë me çështjet teknike, po kryesisht të përforcohen momentet që duhet të profilizojnë një histori me të vërtetë të shkruar ndryshe për shqiptarët.