Simpoziumi shkencor ndërkombëtar “Kulturat in vitro nga kërkimi shkencor drejt tregut; nevoja e krijimit të Rrjetit Virtual Kombëtar të Bioteknologjisë Bimore”, u organizua nga SShNT i Akademisë së Shkencave në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave; Qendrën e Transferimit të Teknologjive Bujqësore, Vlorë; Universitetin Bujqësor të Tiranës dhe Universitetin e Tiranës (Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Departamenti i Bioteknologjisë); Akademinë e Shkencave dhe të Arteve, Kosovë dhe Universitetin “Ukshin Hoti”, Prizren, Kosovë. Simpoziumi Shkencor pati si qëllim përfshirjen e teknologjive dhe metodave bashkëkohore në prodhimin e produkteve dhe shërbimeve me cilësi. Ai u mbajt në mjediset e Akademisë së Shkencave, më 3 dhjetor 2015 me një pjesëmarrje aktive të specialistëve dhe kërkues të fushës si dhe të ftuar të tjerë Përfaqësues të institucioneve të larta të shkencës, arsimit e politikëbërjes: zëvendëskryetari i Akademisë së Shkencave së Shqipërisë, akad. Gudar Beqiraj. Gjithashtu, përshëndetën prof. dr. Ramë Vataj, rektor i Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti”, prof. dr. Mynyr Koni, dekan i Fakultetit të Shkencave të Natyrës të Universitetit të Tiranës, prof. dr. Ardian Maçi, dekan i Fakultetit të Bujqësisë dhe Mjedisit të Universitetit Bujqësor të Tiranës dhe z. Flamur Hysi nga Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, vlerësuan rëndësinë e zhvillimit të simpoziumit. Referatin plenar e mbajti akad. as. prof. Efigjeni Kongjika. Në të tre sesionet e simpoziumit, problematikat që u diskutuan u fokusuan në tre drejtime kryesore: • gjendja sanitare e drurëve frutorë në Shqipëri dhe prodhimi i fidanëve frutorë të painfektuar me anë të kulturës së meristemës dhe vënien në dispozicion të fermerëve të materialit të shtuar të certifikuar; • aplikimi i kulturave indore si metodë alternative e ruajtjes afat-mesëm apo afat-gjatë e gjermoplazmës bimore si burim variabiliteti dhe shpejtim i fazave për përmirësimin gjenetik dhe kultivimin e bimëve bujqësore; • stimulimi i kërkimit shkencor bioteknologjik në fushën e kulturave in vitro në Shqipëri nëpërmjet krijimit të Rrjetit Virtual Kombëtar të Bioteknologjisë Bimore, subvencionimit të institucioneve akademike e shkencore për të siguruar sinergjinë midis kërkimit shkencor dhe programeve të zhvillimit kombëtar dhe europian. Është për tu theksuar pjesëmarrja e gjerë e studentëve universitarë dhe pasuniversitarë të profilit të Bioteknologjisë nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës të Universitetit të Tiranës, si dhe nga Universiteti Bujqësor i Tiranës . Nga referatet e mbajtura dhe diskutimet e pjesëmarrësve dolën dhe orientimet kryesore, të cilat u përmblodhën në Deklarata e Konferencës e përgatitur nga një grup specialistësh të fushës, e cila u aprovua nga pjesëmarrësit. Lexoni: Deklaratën e Simpoziumit