Seksionet Shkencore
Referuar ligjit dhe mbështetur në Statutin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë në Akademi veprojnë Seksioni i Shkencave Shoqërore Albanologjike dhe Seksioni i Shkencave Natyrore e Teknike. Seksioni i Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike ndjek veprimtarinë për kërkim e zhvillim në të gjitha shkencat shoqërore dhe ato albanologjike në vend. Në strukturën e këtij seksioni funksionon edhe revista shkencore “Studia Albanica”. Seksioni i Shkencave Natyrore e Teknike ndjek veprimtarinë për kërkim e zhvillim në të gjitha shkencat natyrore e teknike në vend. Në strukturën e këtij seksioni funksionon edhe revista shkencore JNTS.
Seksionet përbëhen nga anëtarët e rregullt, anëtarët e përhershëm dhe anëtarët e asociuar të Akademisë, sipas profilit përkatës. Për ndjekjen e problemeve specifike të zhvillimit të shkencës, në përbërje të seksionit ngrihen grupe/komisione të posaçme ekspertësh, ku mund të marrin pjesë edhe punonjës shkencorë-mësimorë nga jashtë Akademisë, brenda dhe jashtë vendit.
Seksionet drejtohen nga kryetarët e tyre që janë edhe anëtarë të Këshillit Ekzekutiv të Akademisë. Në veprimtarinë e përditshme kryetari i seksionit ndihmohet nga sekretari shkencor i seksionit, që është punonjës i aparatit të Akademisë me titullin shkencor “profesor”, si edhe nga një asistent i seksionit. Seksionet e Akademisë janë njësi shkencore e organizative. Kryesitë e seksioneve (kryetari e sekretari) ndjekin veprimtarinë shkencore të seksionit, hartojnë, ndihmojnë dhe orientojnë programe për përcaktimin e përparësive në fushat zhvillimore.
Planet e punës së seksionit hartohen mbi bazën e propozimeve të anëtarëve të tij, si dhe të grupeve të ekspertëve të ngritura pranë seksionit dhe miratohen nga Kryesia e Akademisë. Mbledhjet e seksionit thirren dhe drejtohen nga kryetari i seksionit. Ai raporton përpara seksionit dhe e përfaqëson atë në Kryesi, në Këshillin Ekzekutiv, në Asamblenë e Akademisë dhe sipas nevojës, edhe në institucione të tjera kërkimore-shkencore të vendit ose të huaja. Mbledhja e seksionit është e vlefshme kur në të merr pjesë më shumë se gjysma e anëtarëve të brendshëm e të jashtëm të seksionit. Në të mund të marrin pjesë edhe të ftuar, sipas çështjeve që do të shqyrtohen. Vendimet në mbledhjet e seksionit merren me votim të hapur dhe me shumicën e thjeshtë të anëtarëve të pranishëm të seksionit, me përjashtim të rasteve kur në ligj parashikohet ndryshe.
Detyrat e Seksioneve Shkencore
Në përputhje me Statutin e Akademisë së Shkencave, neni 25, Seksionet:
- Orientojnë, organizojnë, bashkërendojnë dhe ndjekin veprimtarinë shkencore në fushat e shkencave që mbulojnë;
- Ndjekin gjendjen dhe zhvillimin e shkencave në tërësi dhe nxitin e mbështetin nismat shkencore, punët kolektive e ndërdisiplinore që zhvillohen në vend në mënyrë që veprimtaria kërkimore-shkencore dhe e zbatuar të jetë më e efektshme; paraqitin propozimet e nevojshme përpara Kryesisë, Këshillit Ekzekutiv e Asamblesë për orientimin, organizimin dhe bashkërendimin e kësaj veprimtarie;
- Propozojnë në Kryesinë e Akademisë së Shkencave “Kalendarin vjetor të konferencave dhe veprimtarive shkencore” që do të zhvillojnë gjatë vitit kalendarik;
- Studiojnë dhe paraqitin perspektiva për zhvillimin e shkencave në fushat përkatëse; bëjnë propozime për ngritje bërthamash, grupesh e qendrash shkencore të veçanta për studime ndërdisiplinore, për ngritje komisionesh studimi për probleme të caktuara të rëndësishme, duke aktivizuar edhe specialistë të jashtëm;
- Caktojnë kriteret themelore për botimet akademike të profilit të tyre dhe botojnë revista shkencore të specializuara, redaksitë e të cilave funksionojnë pranë këtyre seksioneve;
- Diskutojnë e japin mendim për botimin e veprave akademike të fushave përkatëse dhe i paraqesin ato në Këshillin e Botimeve të Akademisë;
- Propozojnë hapjen e fushave pë vendet vakant dhe shqyrtojnë e japin mendim për kandidatët që aplikojnë për akademikë të rregullt e të asociuar ose të përhershëm, të cilat i paraqitin në Asamble;
- Propozojnë në Kryesi kandidatura për titullin “Antarë Nderi”;
- Japin rekomandime për përfshirje në programe, projekte institucionale, kombëtare, rajonale e ndërkombëtare për fusha të ndryshme të kërkimit e të zhvillimit;
- Paraqesin në Kryesi, në Këshillin Ekzekutiv dhe në Asamblenë e Akademisë analiza për gjendjen e kërkimeve në fusha të ndryshme, projekte për drejtimet themelore të studimeve në fushat përkatëse;
- Ndjekin dhe zbatojnë realizimin e detyrave të seksionit, që rrjedhin nga protokollet e bashkëpunimit dypalësh të Akademisë;
- Mbi bazën e konsultimeve me institucionet kërkimore e shkencore i propozojnë Kryesisë për organizimin e seminareve, sesioneve shkencore, konferencave kombëtare e ndërkombëtare dhe pas miratimit, bashkëpunojnë në përgatitjen dhe zhvillimin e tyre;
- Për studimin e çështjeve me rëndësi të veçantë seksioni ngre grupe të posaçme pune/komisione me specialistë të fushave përkatëse, brenda dhe jashtë Akademisë, të cilët në bashkëpunim me Njësinë e Projekteve të Kërkimit, Zhvillimit Teknologjik e Inovacioneve paraqesin në seksion, Kryesi, Këshillin Ekzekutiv dhe në Asamblenë e Akademisë projekte ose përparësi të kërkimit shkencor;
- Në bashkëpunim me Njësinë e Projekteve organizojnë dhe drejtojnë punën për përgatitjen e programeve të veprimtarisë së Akademisë;
- Japin kontributin e tyre në hartimin e programeve qeveritare për kërkim dhe zhvillim, si në Programet Kombëtare të Kërkimit e Zhvillimit, strategjitë e ndryshme, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës e institucione të tjera të vendit;
- Raportojnë me shkrim në Kryesi mbi veprimtarinë vjetore të seksionit, brenda përfundimit të vitit.