Qendra e Studimit të Arteve zhvilloi sot një veprimtari për 95-vjetorin e lindjes së inxhinierit dhe historianit të kinemasë Abaz Hoxha
Sot në datën 14 prill 2025, në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë me rastin e 95-vjetorit të lindjes së inxhinierit dhe historianit të kinemasë Abaz Hoxha u zhvillua veprimtaria “Një jetë me kinemanë”. Kjo veprimtari u organizua nga Qendra e Studimit të Arteve, pjesë e ASHSH-së.

Veprimtarinë e përshëndeti drejtoresha e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, znj. Marinela Ndria. Ajo e vlerësoi z. Hoxha si një nga themeluesit e kinematografisë shqiptare dhe përshkroi disa nga arritjet kryesore në karrierën e tij të gjatë. Ai e nisi fillimisht si teknik i mesëm ndërtimi, më pas inxhinier elektronik dhe pas disa specializimeve për zërin në kinematografi në Pragë, ai punoi si inxhinier në Kinostudion “Shqipëria e re”. Pas shkatërrimit të saj në vitet ‘90, ai iu përkushtua punës si studiues dhe historian i kinematografisë. Abaz Hoxha është autor i 30 librave për kinematografinë shqiptare dhe botërore dhe figurave përfaqësuese të tyre. Ai punon ende si pedagog i Akademisë së Arteve dhe i Akademisë “Marubi” të Filmit dhe Multimedias, ku jep lëndën e Historisë së kinematografisë botërore dhe shqiptare. Është anëtar i redaksisë së arteve dhe arkitekturës në Akademinë e Shkencave për hartimin e “Fjalorit enciklopedik shqiptar”.

Më pas dr. Anxhela Çikopano moderoi veprimtarinë duke zhvilluar një bisedë me kineastin z. Hoxha, lidhur me jetën dhe trashëgimisë e lënë pas prej tij dhe historinë e kinemasë shqiptare.
Hoxha foli për të pranishmit lidhur me studimet për kinematografi në Pragë, të cilat i ndiqte paralelisht me studimet në degën e inxhinierisë. Më tej ai shprehu keqardhjen për rrënimin e Kinostudios “Shqipëria e re”, të cilën e vlerësoi si një infrastrukturë të jashtëzakonshme në prodhimin e filmave për një vend në zhvillim si Shqipëria. Ai tha se vlerat e kësaj kinostudioje i ka shprehur në librat e tij, pa anashkaluar edhe problemet që kishte atje, ku prodhimin e filmave shpesh e pengonin intrigantët, spiunët, të paaftët, diletantët politikë, militantët servilë, që ishin pasoja të diktaturës. Megjithatë, ai theksoi se krijimtaria kinematografike shqiptare ka triumfuar. Periudha e Kinostudios “Shqipëria e re” ka qenë periudha më e ndritur, nga e cila kanë dalë regjisorë, aktorë dhe artistë të mëdhenj.

Dr. Cikopano e pyeti z.Hoxha për të shprehur opinionin e tij për problemet aktuale të kinemasë dhe filmit artistik shqiptar, si dhe për disa koncepte që lidhen me historinë dhe ndikimin e saj në artin kinematografik shqiptar, si dhe për kontributin që ka dhënë për rivitalizimin e arkivave artistikë dhe për ndërtimin e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, një nga arkivat më të mirëmbajtura dhe më të aksesueshëm sot në Shqipëri.
Në fund të takimit, dr. Cikopano e falënderoi për punën skrupuloze si historian i kinematografisë, shkrimet e shumta në shtyp që nga viti 1972, që flasin për një punë kërkimore shumë të gjerë, dhe veçanërisht për punën e tij me rreth 400 dosje në Arkivin Qendror Shtetëror të filmit.