Përurohet monografia e Prof. Dr. Niko Panos, “Pasuritë ujore të Shqipërisë”
Monografia e Prof. Dr. Niko Panos, “Pasuritë ujore të Shqipërisë”, botim i Akademisë së Shkencave, u përurua më datën 14 nëntor 2015 në sallën “Ovale” të Pallatit të Kongreseve, në kuadër të Panairit të 18-të të Librit Tirana 2015, në prani të shumë studiuesve, akademikëve e profesorëve, kolegë të autorit.
Studimi monografik përfshin tërësinë e resourseve ujore të rrjetit hidrografik të Shqipërisë: Lumenjtë, liqenet, ujërat nëntokësore dhe burimet e tyre, si dhe hapësirat bregdetare shqiptare të deteve Adriatik dhe Jon. Mbi këtë bazë është tipizimi dhe rajonizimi i pasurive ujore të këtij rrjeti. Spektri i gjerë i studimit dhe vlerësimi tërësor i potencialit ujor të Shqipërisë e bën këtë monografi një punim madhor shkencor për një nga pasuritë natyrore më jetësore të vendit siç është uji.
Botimi përfaqëson një studim madhor të munguar, i përditësuar e prezantuar në një formë të tillë të plotë e gjithëpërfshirës për gjithë pasuritë ujore të Shqipërisë. Në botim analizohen të gjitha të dhënat faktike shumëvjeçare mbi rrjetin hidrografik të Shqipërisë, që dispononte Instituti i Hidrometeorologjisë në vite, i përpunoi ato me metoda bashkëkohore dhe analizoi, interpretoi e përgjithësoi me vërtetësi shkencore rezultatet bazuar në metodologjitë bashkëkohore.