PËRUROHET BOTIMI DARDANIA – KËRKIME DHE STUDIME ARKEOLOGJIKE

Punimi DARDANIA – kërkime dhe studime arkeologjike, përgatitur nga akad. Muzafer Korkuti, prof. Luan Përzhita dhe prof. Kemajl Luci, botim i Akademisë së Shkencave, u përurua më datë 14 nëntor 2015, në sallën ovale të Panairit të 18 të Librit Tirana 2015, në prani të autorëve të këtij botimi si dhe të një numri kolegësh, studiuesish e bashkëpunëtorësh të tyre. Ky botim është kontribut i bashkëpunimit të Institutit të Arkeologjisë të Tiranës me Muzeun e Kosovës, dhe në një vështrim më të gjerë si dhe vazhdim i punës kërkimore e studimore të grupit të autorëve, që përgatitën botimin “Harta arkeologjike e Kosovës”, vëll. I, Prishtinë 2006. Lënda e këtij vëllimit është renditur në bazë të kriterit kronologjik e ndarë në tri periudha: Prehistori, Antikitet dhe Mesjetë. Shkrimet për periudhën prehistorike çelen me një punim gjithëpërfshirës mbi tezat e pikëpamjet e ndryshme për përkatësinë ilire të dardanëve. Lënda arkeologjike e periudhës antike zë vendin kryesor. Ajo pasurohet me vënien në qarkullim shkencor të shkrimeve që i kushtohen objekteve të shkëputura nga konteksti arkeologjik, kryesisht gjetjeve të rastit: katër monumente sepulkrale të pa botuara nga koleksioni i muzeut të Kosovës. Lënda që i takon periudhës së mesjetës është pasqyruar me parashtrimin e të dhënave të reja nga varreza në Banjën e Malishevës dhe nga të dhënat e fituara nga vendbanimi në Graboc të Poshtëm. Zgjerimi i topografisë së shtrirjes së vendbanimeve të periudhës mesjetare dëshmon për një dendësim vendbanimesh në rajonin që përfshin pellgun e Drinit të Bardhë, Lumbardh i Pejës, i Klinës, Erenikun e Gjakovës dhe Mirushin e Malishevës. Gjithashtu gjetjet e rastit nga këto territore e pasurojnë ndjeshëm hartën e shpërndarjes së vendbanimeve e gjetjeve të tjera që i takojnë shekujve X-XI e.sonë. Vëllimi “DARDANIA – kërkime e studime arkeologjike” shënon një arritje të re në botimet arkeologjike. Në këtë promovim, shprehën opinionet e tyre vlerësuese studiues të pranishëm.