Prof. dr. Dhori Qirjazi mbajti dy ligjërata: “Të dhëna të reja për Fjalorin [italisht-]greqisht-shqip të Marko Boçarit" dhe "Për një botim të ri të 'Alipashiadës' së Haxhi Sheretit"
Sot, më 9 prill 2025, në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë u mbajtën dy ligjërata nga prof. Dhori Qirjazi: “Të dhëna të reja për Fjalorin [italisht-]greqisht-shqip të Marko Boçarit” dhe “Për një botim të ri të ‘Alipashiadës’ së Haxhi Sheretit”.
Veprimtaria u organizua nga Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, pjesë e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Komisioni i përhershëm i Gjuhësisë dhe i Letërsisë i Akademisë së Shkencave. Ishin të pranishëm akad. Valter Memisha, drejtor i Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë; prof. dr. Anila Omari, kryetare e Komisionit të përhershëm të gjuhësisë dhe të letërsisë, akademikë e studiues të IGJL-së, pedagogë të degës së gjuhës shqipe pranë Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, anëtarë të Komisionit e pjesëmarrës të tjerë.

Prof. Qirjazi gjatë ligjëratës paraqiti historikun e hartimit dhe botimeve të veprës. Ai theksoi se përmes dokumenteve dhe studimeve të gjetura në arkiva e biblioteka, argumentimeve të studiuesve grekë dhe shqiptarë, shkrimeve të patriotëve rilindës e më gjerë, vendoset në një kuadër tjetër, më solid e më afër së vërtetës, kontributi i Marko Boçarit dhe i suliotëve të tjerë familjarë të tij në hartimin e një fjalori. Ai solli të dhënat e një studimi të D. Georgudis, 1995, i cili sjell prova se konsulli francez në Janinë, F. Pouqueville, ishte mbështetur në një fjalor italisht-greqisht (Venecie, 1775, botimet A. Bortoli) nga i cili ka marrë fjalët që u kërkonte t’i përkthenin nga greqishtja në shqip grupit të suliotëve (Μ. Boçari me të atin, të ungjin dhe vjehrrin e vet), prandaj autori e quan fjalorin jo thjesht greqisht shqip, por [italisht]-greqisht-shqip. Në vijim të idesë së studiuesit Georgudis për një botim më utilitar në bazë të Fjalorit të Bortolit (1775), ku të merret prej aty pjesa italisht-greqisht që korrespondon me pjesën përkatëse të Fjalorit të Boçarit dhe paskëtaj të shtohen fjalët barazvlerëse të shqipes, prof. Qirjazi njofton se është në proces dhe në përfundim të kësaj pune, e cila e ndriçon edhe më shumë veprën e çmuar filologjike dhe gjuhësore të prof. Titos Johalas, botues me kritere shkencore i Fjalorit të M. Boçarit (1980) dhe studiues skrupuloz sidomos i kolonës shqip të tij.

Në ligjëratën e dytë, prof. Dhori Qirjazi foli për veprën “Jeta e Ali pashës nga Haxhi Shehreti”, njohur ndryshe edhe si “Alipashiada” dhe për nevojën e një botimi të ri të saj. Ai theksoi se vepra është një zhanër i eposit, që përveç vlerave dokumentare dhe historike, ku jepen të dhëna interesante për mënyrën sesi Ali Pasha e shihte veten si pasardhës dhe pasues të Pirros së Epirit, e më gjerë, përbën njëherësh edhe një burim të paçmuar të dhënash gjuhësore. Vepra është shprehje e një bilinguizmi kulturor klasik, ku në kuadër të një formacioni shtetëror polietnik (perandorie) gjuha burimore-amtare e një populli (këtu e popullit shqiptar) përdoret “brenda shtëpisë”, ndërsa në hapësirën publike përdoret gjuha zyrtare e shtetit, e perandorisë. Ajo përbën gjithashtu një dëshmi të klasit të parë të së folmes greqisht të Epirit dhe sidomos të greqishtes që flitnin asokohe dhe vazhdojnë të flasin sot banorët e zonave të Gjirokastrës, Delvinës dhe Sarandës, ata që i njohim sot si minoritarë.

Në fund të ligjëratës prof. Qiriazi u shpreh se, tashmë që kemi një pamje më të plotë të të folmeve të Epirit dhe të kontakteve të greqishtes me shqipen, mund të ndërmerret ribotimi i plotë i veprës, duke ndrequr pasaktësitë apo lajthitjet e botimit të parë dhe duke shqyrtuar sërish dorëshkrimet e disponueshme, ndër të cilët njëri, ai i AQSH-së, deri sot i panjohur, merr vlerë të veçantë, dhe duke e shoqëruar botimin me një aparat kritik me natyrë kryesisht gjuhësore dhe filologjike, që do ta ndihmojë lexuesin për të rrokur kuptimin e pjesëve/shprehjeve/fjalëve përndryshe të pakuptueshme. Më tej mund të kalohet në një përkthim të ri të saj në gjuhën shqipe, a më saktë në një motërzim të ri, të plotësuar e të rishikuar, të përkthimit të I.Koçollarit.