Përurim i tre monografive shkencore në fushën e gjeoshkencave
Takim shkencor “Përurimi i tri monografive shkencore” (24 nëntor 2014)
Në kuadër të Programit “Edukimi në shkencë” të ASHSH si dhe të zgjerimit të bashkëpunimit me institucionet universitare dhe shkencore të Republikës së Kosovës, më 24 nëntor 2014, në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini”, nga Seksioni i shkencave natyrore dhe teknike të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë në bashkëpunim me Fakultetin e Gjeoshkencave të UMIB, u organizua takimi shkencor për përurimin e tri monografive shkencore në fushën e gjeoshkencave:
“Atlasi i burimeve të energjisë gjeotermale në Shqipëri dhe platformë e shfrytëzimit të nxehtësisë së Tokës”, përgatitur nga prof. dr. Alfred Frashëri dhe akad. prof. dr. Salvator Bushati, paraqitur nga S. Bushati; “On Mineralogy and Metallurgy of Albanides” dhe “Mineralet xeherore të Shqipërisë. Mikroskopia e xeherorëve dhe analizat me mikrosondë elektronike”, përgatitur e paraqitur nga prof. dr. Aleksandër Çina.
Në këtë takim shkencor, morën pjesë pedagogë e studentë nga Universiteti i sapokrijuar i Mitrovicës si dhe nga një komunitet i zgjeruar nga Shërbimi Gjeologjik dhe Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale të Kosovës.
Studimet u pritën me shumë interes nga i gjithë komuniteti shkencor dhe studentët, të cilëve iu ofrua një asistencë edhe në të ardhmen për interesat e mësimdhënies, kërkimit dhe aplikimeve në praktikë që lidhen me studimet Në kuadrin e vizitës në këtë universitet, kërkuesit nga Akademia e Shkencave u pritën nga rektori, prof. as. dr. Alush Musaj dhe stafi i tij; gjithashtu në Fakultetin e Gjeoshkencave u organizua takimi me dekanin, prof. dr. Naser Peci. Pjesëmarrësit në takime shprehën gatishmërinë për një bashkëpunim të suksesshëm dypalësh nëpërmjet veprimtarive të ndërsjella: pjesëmarrje në konferenca, seminare, workshop-e; me projekte (institucionale, dypalëshe, rajonale e europiane); shkëmbime literature (revista shkencore periodike, monografi e botime); përurime e takime shkencore; si dhe mësimdhënie e mbështetje specifike në fusha të caktuara në kuadër të kërkimit shkencor e të arsimit të lartë.