Panairi mbarëkombëtar i librit akademik e shkencor mbylli edicionin e tij të katërt në Prishtinë
U mbyll edicioni IV i Panairit mbarëkombëtar të librit akademik e shkencor, 23-25 prill 2025, zhvilluar në Prishtinë. Ngjarja më e rëndësishme për promovimin e botimeve shkencore, bashkorganizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës dhe Qendra e Kombëtare e Librit dhe Leximit, mblodhi bashkë në Prishtinë, në ambientet e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, botues të librit shkencor, kërkues, studiues, autorë dhe lexues nga hapësira mbarëshqiptare.
Më 23 prill 2025, në ditën e parë të panairit, në një seancë të dedikuar, me praninë e Kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, akad. Mehmet Kraja, kryetarit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akad. Skënder Gjinushi, zëvendëskryetarit të AShSh-së, akad. Vasil S. Tole, anëtarëve të Kryesisë, akademikë e studiues të ASHAK-ut, autorë, botues e pjesëmarrës të interesuar për botimet shkencore, Akademia e Shkencave e Shqipërisë promovoi botimet e saj më të fundit.
Seancën e hapi kryetari i Seksionit të Shkencave Shoqërore e Albanologjike, akad. asoc. Gëzim Hoxha. Duke falënderuar dy akademitë për organizimin e panairit, kthyer tashmë në traditë, akad. asoc. Hoxha theksoi para të pranishmëve se titujt e zgjedhur për promovim në këtë edicion të panairit janë vetëm një pjesë e vogël e volumit të madh të punës me librin dhe botimet shkencore të ASHSH-së përgjatë vitit dhe se në këto promovime ASHSH-ja është kujdesur për të ruajtur edhe një balancë mes fushave të shkencës.
Libri i parë që u promovua ishte “Akte të Kuvendit Ndërkombëtar të Studimeve Albanologjike” (vëll. 3), për të cilin referoi kryetari i SSHSHA, akad. asoc. Hoxha, duke u ndalur hollësisht në lëndën shkencore të përfshirë në këtë vëllim. “Në këtë vëllim përfshihen 20 kontribute me vlerë nga historia, historia e artit, trashëgimia, historia e letërsisë dhe letërsia, të cilat pasojnë dy vëllimet e mëparshme, Vëllimin I të dedikuar për arkeologjinë e historinë me 26 kontribute dhe Vëllimin II për gjuhësinë dhe antropologjinë me 42 kontribute të emrave më përfaqësues të fushave”, tha ai, duke shtuar se vëllimet janë dokumentim i një pune voluminoze dhe të rëndësishme të bërë në kuadër të Kuvendit Ndërkombëtar të Studimeve Albanologjike.
“Orkestra Simfonike e RTSH-së në 18 CD” dhe “Albanian Identity in History and Traditional Performance” ishin promovimet pasuese, të kryera në prani të autorit të tyre, maestro Eno Koços. Zëvendëskryetari i AShSh-së, akad. Vasil S. Tole, duke folur për 18 CD-të, theksoi se puna e maestros, dirigjent e muzikolog, anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë përmban veprat e kompozitorëve më të rëndësishëm të muzikës shqiptare të shek. XX, nga fillimet e deri në ditët e sotme, vepra të drejtuara nga dirigjenti Eno Koço me orkestrën simfonike të RTSH-së përgjatë 50 viteve të fundit. Ai e çmoi kolanën si një kontribut unik të maestro Koços, që çdo herë përmes krijimtarisë së tij shpreh dashurinë për muzikën tonë kombëtare, mbarëkombëtare, si dhe u ndal në CD-në e dedikuar me muzikën e krijuesve më të mirë të Kosovës, që nuk mund të mos ishin pjesë e kësaj kolane me CD. Dr. Denis Bizhga, gjatë referimit të tij u ndal në jetën dhe veprimtarinë krijuese të maestro Eno Koços, duke shprehur falënderim dhe mirënjohje për punën kolosale që profesori ka bërë dhe vazhdon të bëjë.
Referimin e prof. dr. Artan Haxhi (në mungesë të tij) për librin e autorit Tefë Topalli “Krestomaci e albanologjisë” (vëll.1), e lexoi akad. asoc. Gëzim Hoxha. Ai theksoi se struktura e veprës i vendos gjuhëtarët sipas kronologjisë së veprimit të tyre shkencor, nisur prej Kristoforidhit, dhe përmban kontributin e shumë studiuesve dhe kërkimtarëve për lëvrimin e shqipes, shtrirë në 1668 faqe, nga hapësira shqipfolëse, nisur prej Çamërisë, arbëreshëve, Italisë, Kosovës, shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, si dhe brezave që kanë jetuar e jetojnë brenda Shqipërisë. Në fjalën e tij ai nënvizoi se autori arrin të pohojë se drejtimet studimore të këtyre gjuhëtarëve kanë punuar dhe punojnë në vijë të njëjtë për historinë e gjuhës sonë, për marrëdhëniet e saj me gjuhët e tjera ballkanike apo për problemet që lindin me epokën e globalizmit dhe se kjo Krestomaci mund të krijojë një traditë periodike botimi, së paku me dhjetëvjeçarë.
Abaz Hado referoi për librin e tij më të fundit, “Veshjet tradicionale në artin pamor shqiptar”, botim i ASHSH-së, vepër që pasuron me informacionin e nevojshëm njohjen, ndikimin, bashkëpunimin dhe pasurimin e artit pamor me bukurinë, larminë dhe pasurinë e veshjes tradicionale. Hado, duke folur për punën e gjatë kërkimore të bërë për realizmin e veprës, theksoi se ajo përmbledh në mënyrë selektive, krijimtarinë kryesore të artit shqiptar, prej mbi 100 vjetësh dhe sjell kontribut real, mbi ndikimin, lidhjen, shfrytëzimin e etnografisë, folklorit mitologjik në pikturën, skulpturën, grafikën, vizatimin shqiptar.
Akad. Rrapo Ormëni, bashkautor i veprës “The earthquake of 26 November 2019 and what can we learn” prezantoi përmbledhtas punën e bërë në bashkëpunim me autorin turk Serkan Öztürk për realizimin e kësaj vepre. Vepra sjell analizë të thelluar dhe gjithëpërfshirëse të një ngjarjeje tërmetore, ku trajtohen në mënyrë shkencore aspekte të rëndësishme, si përhapja e valëve sizmike, ndërgjegjësimi për rreziqet, për procedurat e evakuimit, si dhe për masat që duhen marrë nga strukturat përkatëse për pasojat. Vepra ka rëndësi jo vetëm për produktin shkencor dhe mesazhet që përcjell, por për të gjithë komunitetin, veçanërisht për vendimmarrësit kryesorë të ekzekutivit për të përgatitur strategji më të mira për të ardhmen.
Prof. asoc. dr. Marenglen Kasmi prezantoi botim e tij “Marrëdhëniet shqiptaro-gjermane në shekullin XX (1900-1945)”, i cili trajton hollësisht dhe me dokumente shumë të pasura arkivore marrëdhëniet shqiptaro-gjermane prej fundit të shekullit XIX e deri në fillimin e Luftës së Dytë Botërore. Vepra pasqyron marrëdhëniet 50-vjeçare mes dy vendeve, të ndara në 3 periudha të historisë, shoqëruar me burime arkivore të panjohura dhe literaturë vendëse e të huaj, kryesisht gjermane, duke hedhur dritë e duke dhënë ndihmesë në trajtimin e një aspekti me shumë interes për historiografinë kombëtare shqiptare.